Fitojnë Ballkani dhe Drita
Kanë përfunduar dy ndeshjet e sotme të javës së 18-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Ballkani ka shënuar fitore të pastër 0:2 në derbin lokal ndaj Suharekës,
Lindon Emërllahu me gol nga distanca në minutën e 15-të kaloi kampionin në fuqi në epërsi.
E Bleart Tolaj e dyfishoi epërsinë në minutën e 69-të, pas një gabimi të mbrojtjes së Suharekës.
Me këtë fitore, Ballkani shkon në pushimin dimëror me 33 pikë në vendin e dytë, shtatë më pak se Drita që prin.
Në anën tjetër, Suhareka mbetet në vendin e pestë me 25 pikë të grumbulluara.
Fitore ka shë1nuar edhe Drita, por që ka hasur në vështirësi të mëdha në shtëpi ndaj Feronikelit ’74.
Gjilanasit kanë triumfuar ngushtë 2:1 me gol në minutat shtesë.
Fillimisht Zekolli ka kaluar Feronikelin 74 në epërsi në minutën e 11-të të ndeshjes, rezultat me të cilin është mbyllur edhe pjesa e parë.
Rron Broja ka barazuar shifrat në minutën e 55-të.
Ndërsa Besnik Krasniqi ka pasur mundësi ta përmbyste rezultatin në minutën e 63-të, por gjuajti jashtë nga pika e 11-metërshit.
E golin e fitores e shënoi Arb Manaj në minutën e dytë shtesë.
Me këtë fitore, Drita e ruan diferencën prej shtatë pikëve me Ballkanin dhe dimëron si kampione në Superligë.
Në anën tjetër, Feronikeli 74 mbetet i fundit me 10 pikë, 10 më pak se zona e shpëtimit dhe e pret punë e madhe në pranverë për ta siguruar mbijetesën.