Fitojnë Ballkani dhe Gjilani
Skuadra e Ballkanit ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me skuadrën kampione në fuqi, Feronikelin, me rezultat 3:1.
Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi ka treguar lojë shumë të mirë dhe në fund me meritë ka arritur t’i gëzohet fitores së parë në këtë edicion, pasi në ndeshjen e parë të kampionatit kishte barazuar 0:0 në Klinë me Dukagjinin. Blend Baftiu shënoi dy gola në fitoren e Ballkanit, në minutat 5 dhe 54, derisa me një gol kontribuoi Besnik Krasniqi, në minutën e 20-të nga penalltia. Në anën tjetër golin e vetëm për Feronikelin e shënoi Haxhi Neziraj, në minutën e 49-të.
Ndërkohë, Gjilani ka shënuar fitore si mysafir në duel me Ferizajn, me rezultat bindës 3:0, duke u këndellur në mënyrën më të mirë nga humbja befasuese e javës së parë nga Trepça’89. Golat për gjilanasit i shënuan Januzi (45+2’), Progni (48’) dhe Busic (91’).