Fitojnë Ballkani, Gjilani dhe Trepça ’89

23 shkurt 2020 | 15:39

Ballkani e ka mposhtur bindshëm 3:0 Ferizajn të dielën në Suharekë, duke e ruajtur epërsinë prej tri pikëve në krye të renditjes në Ipko Superligë, në një luftë të zjarrtë katërfronteshe për titull këtë sezon.

Ndërkohë, Gjilani e mundi 2:0 Flamurtarin në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, duke i mbajtur gjallë shpresat për titull. Në anën tjetër, Trepça ’89 ka bërë një hap të rëndësishëm për mbijetesë duke e mposhtur me përmbysje 2:1 Dukagjinin në Mitrovicë.

Ballkani i Ismet Munishit u rikthye në krye të Superligës me tri pikë më shumë se ndjekësit e parë Drita dhe Prishtina, falë një fitoreje bindëse.

Edvi Kuc e kaloi liderin në epërsi me një gol fantastik nga largësia në minutën e 26-të në Stadiumin e Qytetit në Suharekë.

Pas një periudhe të gjatë pa gola, skuadra vendase i fitoi dy penallti në pesë minutat e fundit.

Arbër Hoxha dhe portieri Armend Ruxhi shënuan nga pika e bardhë për një triumf tjetër të rëndësishëm për Ballkanin në luftë për titull.

Duke e mundur 2:0 Flamurtarin, Gjilani bëri një hap të rëndësishëm për të mbetur në luftë për titull, duke e kthyer te fitorja që nuk e kishte shijuar në katër ndeshjet e fundit para takimit me klubin nga kryeqyteti.

Ky ishte momenti i duhur për Gjilanin për t’u kthyer te fitorja, pasi po vinte nga një humbje e dhimbshme ndaj rivalit të përbetuar, Drita.

Sebino Plaku në fund të pjesës së parë dhe Tomislav Busic në pjesën e dytë, realizuan golat e triumfit për Gjilanin.

Tani, Gjilani grumbullon 35 pikë, vetëm pesë më pak se lideri Ballkani dhe dy më pak se Drita dhe Prishtina, në vendet dy dhe tre.

Trepça ’89 ishte buzë një disfate tronditëse, por nuk lejoji befasi duke e siguruar një triumf shumë të rëndësishëm për mbijetesë ndaj Dukagjinit tashmë të dorëzuar në fund të renditjes tabelore.

Përkundër dominimit të vendasve, klubi nga Klina kaloi në epërsi herët në takim, kur Mark Milicaj shënoi nga gjuajtja e lirë.

Dukagjini nuk qe në gjendje ta ruajë rezultat, me Arb Manaj që ishte heroi i vendasve duke shënuar dy herë.

Manaj e barazoi rezultatin në minutën e 71-të, duke realizuar nga penalltia. Ai ia siguroi fitoren Trepçës ’89 dy minuta para fundit me golin e dytë personal.

Trepça ’89 renditet në vendin e shtatë tani me 26 pikë, katër më shumë se Flamurtari në pozitën e nëntë, që dërgon një rang më poshtë në futbollin kosovar.

Dukagjini, ndërkohë, ngel i fundit me vetëm nëntë pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Deçanit në bashkëpunim me Degën e Organizatës së…