Skuadra kampione në fuqi, Prishtina ka pësuar humbjen e dytë në këtë edicion. Bardhekaltrit e kryeqytetit janë mundur nga Drenica në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, me shifrat 2:1. Për Drenicën kjo ishte fitorja e dytë, teksa kanë realizuar edhe një barazim. Golat për kuqezinjtë i shënuan Denisson (9’) dhe Baton Zabërgja (63’), derisa për Prishtinën golin e vetëm e realizoi Otto John (73’). Do theksuar se prishtinasit që nga minuta e 38-të luajtën me një lojtar më pak, ngase Erando Karabaci u ndëshkua me karton të kuq, pas rishikimit të VAR-it për shkak të një ndërhyrje të ashpër.

Fitore në shtëpi realizoi edhe Ballkani, por shumë më vështirë se sa pritej në duel me Ulpianën, me rezultat 3:2. Ballkani kaloi në epërsi në minutën e 5-të me golin e Armend Thaqit, derisa epërsinë në 2:0 e shtoi Astrit Thaqi, në minutën e 53-të.

Mirëpo, mysafirët arritën të rikthehen me golat e Trimnor Selimit (72’) dhe Ardi Shalës në minutat e fundit. Megjithatë, në minutën e fundit të shtesës Ballkani gjeti golin e fitores, kur pas harkimit të bukur të Armend Thaqit mbrojtësi Rrustem Hoxha shënoi me gjuajtje me kokë për 3:2.

Ndërkohë, Drita shënoi fitore si mysafire, 1:0, duke ia ndalë nismën pozitive skuadrës së promovuar në elitë, Malishevës.

Goli i vetëm në këtë ndeshje u shënua në minutën e 83-të nga Ardit Tahiri, gol ky i cili u konfirmua vetëm pas rishikimit në VAR, pasi nuk dihej nëse topi e kishte kaluar vijën e portës apo jo.

Nesër zhvillohen dy ndeshjet e tjera, ku Gjilani është mikpritës i Dukagjinit, derisa Llapi luan me Feronikelin.