Fitojnë favoritët në hendboll
Fitore bindëse kanë shënuar katër skuadrat që llogariteshin favorite për ndeshjet e javës së dytë të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt).
Të gjitha ndeshjet e javës së dytë janë luajtur të shtunën.
Kampioni Besa Famgas e ka shënuar fitoren e dytë, njëjtë si Kastrioti i Ferizajt e Drita e Gjilanit.
Skuadra pejane Besa fitoi ndaj skuadrës së kthyer në Superligë, Drenicës, me rezultat 33:18. Kastrioti në Ferizaj fitoi edhe më thellë ndaj Trepçës. Rezultati në fund të takimit ishte 41:20 në të mirë të ferizajasve.
Drita e ka fituar derbin gjilanas ndaj Zhegrës me rezultat 46:28.
Fitoren e parë e ka shënuar Prishtina, që në xhiron e parë pësoi nga Drita. Prishtina pa ndonjë vështirësi arriti te fitorja ndaj Samadrexhës me rezultat 38:20.
Për dallim nga këto katër ndeshje, takimi i luajtur në Vushtrri në mes të Vushtrrisë e Vëllaznimit ishte dramatik. Në fund kjo ndeshje nuk dha fitues, pasi përfundoi me rezultat 27:27.
Pas pjesës së parë vushtrriasit ishin në epërsi solide prej katër golash, 16:12. Por në të dytën gjakovarët u kthyen dhe në fund e morën një pikë. Në minutën e 43-të Vëllaznimi barazoi rezultatin në 20:20 dhe madje kaloi në epërsi më pas prej tri golave (23:20). Por vendasit nuk u dorëzuan dhe kaluan në epërsi 25:24 në minutën e 53-të. Vushtrria kishte epërsinë edhe prej 26:25 e 27:26, por në minutën e 59-të Vëllaznimi përmes G. Fanës barazoi rezultatin në 27:27 me të cilin edhe u mbyll kjo ndeshje dramatike.