Fitojnë Feronikeli, Prishtina dhe Flamurtari
Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 14-të në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kryesuese, Feronikeli ka shënuar fitoren e radhës, këtë herë si mysafire në Therandë kundër Ballkanit, me rezultat 1:0.
Golin e fitores për skuadrën nga Drenasi e ka realizuar Kastriot Rexha, në minutën e 26-të. Fitore me të njëjtin rezultat dhe si mysafire ka realizuar edhe Prishtina, që vazhdon ta ndjekë hap pas hapi skuadrën lidere. Bardhekaltrit e kryeqytetit golin e fitores në duel me Drenicën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj e kanë shënuar në minutën e 89-të nëpërmjet Basit Khalid.
Ndërkohë, edhe në ndeshjen e tretë fitores iu gëzua skuadra udhëtuese. Flamurtari shumë më vështirë se sa është pritur e ka mposhtur skuadrën e fundit në renditje, KEK-un, me rezultat 4:3.
Golat për Flamurtarin i shënuan Alban Shillova (8’), Agron Bruqi (27’) dhe Egzon Krasniqi (46’ e 75’), derisa për “elektricistët” shënuan Rilind Nimani (6’), Vigan Veliu (30’) dhe Gëzim Berisha (89’).