Fitojnë Llapi, Dukagjini dhe Gjilani
Kanë përfunduar tri ndeshjet e para të javës së 10-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Në Podujevë, Llapi ka arritur të triumfojë me përmbysje ndaj Trepçës ’89 pas disavantazhit të pjesës së parë. Në fund llapjanët kanë fituar me rezultat 4:1.
Muhamet Jashari ka shënuar vetëm pas një minute të kaluar të ndeshjes, ndërsa llapjanët u zgjuan në pjesën e dytë duke shënuar katër herë dhe për të përmbysur rezultatin.
Labinot Osmani ka arritur të shënoi dy herë dhe një herë portën e kanë gjetur Hyseni edhe Emini për skuadrën e Batatinës.
Ndërsa në Drenas, ka ndodhur befasia, ku Gjilani ka arritur të shënoj një fitore tejet të rëndësishme në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Feronikelit.
Të parët në epërsi kanë kaluar vendasit me anë të Da Silvas i cili ka shënuar në minutën e 73-të të ndeshjes. Mirëpo skuadra e Gentian Mezanit ka arritur të shënojë dy herë brenda 5 minutave me anë të Frashërit dhe Ylber Kastratit për të siguruar tri pikët që e bëjnë liderë në Superligën e Kosovës, raporton “Rtklive”.
Fitore minimale si vendase ka arritur Dukagjini në ndeshjen ndaj Vushtrrisë.
Tri pikë të plota skuadrës së Xhengis Rexhepit ia ka siguruar Altin Merlaku me golin e shënuar në minutën e 21-të të ndeshjes.
Java e 10-të e Superligës së Kosovës vazhdon me ndeshjet tjera të cilat pritet të zhvillohen gjatë këtij vikendi.