Fitojnë Philadelphia, Milwaukee dhe Toronto
Me përjashtim të ndeshjes Lakers-Clippers, e shtyrë për shkak të vdekjes së legjendës Kobe Bryant, të gjitha takimet e tjera janë luajtur në NBA.
Skuadra e Milwaukee, kryesuese e renditjes në Konferencën e Lindjes arriti fitore me rezultat 151-131 ndaj Washingtonit, në një ndeshje spektakolare. Ndeshje e mirë e Middleton, që realizoi 51 pikë, ndërsa Bledsoe e mbylli me 36 pikë e 10 rebound. Mirë u paraqit edhe Beal për miqtë, me 47 pikë, por që mbetën për statistikë, raporton “Telesport”.
Skuadra e Philadelphia arriti fitore me rezultat 115-104 ndaj Golden State, sfidë që është dominuar nga vendasit. Në këtë takim, ylli i NBA-së, Joel Embiid luajti me fanellën numer 24 në nder të Kobe Bryant, duke realizuar edhe 24 pikë, më i miri në fushë. Fiton edhe ekipi kampion i Torontos, që e mundi me rezultat 130-114 Atlantan, sfidë ku diferencën për kanadezët e bënë Siakam e Ibaka, me nga 24 pikë secili. Surprizë ishte humbja e Denverit, që u mund me rezultat 104-96 nga Memphisi (Brooks 24 pikë), duke humbur disi kontakt me kreun në Perëndim.
Rezultatet
Charlotte – New York 97-92
Philadelphia – Golden State 115-104
Cleveland – New Orleans 111-125
Toronto – Atlanta 130-114
Memphis – Denver 104-96
Miami – Boston 101-109
Milwaukee – Washington 151-131
Dallas – Phoenix 104-133
Lakers – Clippers (Është shtyrë)