Fitojnë Prizreni dhe Ylli
Proton Cable Prizreni shënoi fitore në shtëpi ndaj Borës me rezultat 85:80 (18:23, 18:17, 22:20, 27:20), në javën e gjashtë të ProCredit Superligës.
Çereku i parë u zhvillua me rikthime, me vendasit që kishin epërsi 8:3 dhe mysafirët 16:23, derisa kjo pjesë përfundoi 18:23. Perioda e dytë dhe e tretë ishin të baraspeshuara, ku asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej, duke bërë që fituesi të vendosej në dhjetë minutat e fundit. Në çerekun e fundit, vendasit u shkëputën në 76:67, e më pas në 81:72, por prishtinasit u rikthyen për 83:80, por pa arritur të bëjnë më shumë dhe Proton Cable Prizreni triumfoi 85:80.
Më i miri te prizrenasit ishte Jordan Johnson me 21 pikë e 14 asistime, kurse te kryeqytetasit më i miri ishte Jalen Graham me 21 pikë e 12 kërcime. Proton Cable Prizreni ka dy fitore e katër humbje, ndërsa Bora ka një fitore e pesë humbje.
Ndërsa Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore shumë të rëndësishme ndaj Vëllaznimit në Gjakovë me rezultat 72:77 (21:19, 11:21, 18:13, 22:24), në javën e gjashtë të ProCredit Superligës.
Mysafirët e nisën sfidën shumë më mirë me një seri prej 0:11, por më pas vendasit u rikthyen, ku çereku i parë përfundon 21:19. Therandasit ishin më të mirë në periudhën e dytë, 11:21, për të shkuar në pushim me rezultat 32:40.
Pjesa e dytë ishte kryesisht e baraspeshuar, me kuqezinjtë që u rikthyen, ku shifrat 1 minutë nga fundi ishte 71:72, por Ylli në momentet vendimtare ishte më i mirë dhe fitoi 72:77.
Më i miri te vendasit ishte Jason Jitoboh me 21 pikë, ndërsa Lis Shoshi ishte më i miri për mysafirët me 18 pikë e 12 kërcime për 30 minuta sa luajti.
Vëllaznimi ka dy fitore e katër humbje, ndërsa Golden Eagle Ylli tri fitore e tri humbje.