Fitojnë Trepça dhe Prishtina
Prishtina ka arritur fitore në udhëtim në Gjakovë, duke fituar ndaj Vëllaznimit me rezultat 47:94 (8:24, 13:24, 16:27, 10:19).
Vajzat nga Prishtina dominuan gjatë tërë ndeshjes, kështu duke shënuar fitoren e 13-të, kurse kanë vetëm tre humbje. Në anën tjetër Vëllaznimi ka vetëm një fitore nga 16-të ndeshje të zhvilluara. Më e mira tek Prishtina ishte Diellza Dekaj, e cila kontribuoi me 18 pikë, pesë kërcime dhe një asistim.
Fitore në kuadër të xhiros së 16-të shënoi edhe Trepça ndaj vajzave United Basketball me rezultat 33:39 (11:10, 11:5, 5:15, 6:9).
Ndeshjen më mirë e nisën vajzat nga Gjilani, por periudha e tretë e riktheu Trepçën duke e regjistruar kështu fitoren e pestë, një më shumë së United Basketball. Te Trepça u dallua Marshanique Hall me tetë pikë, nëntë kërcime dhe pesë asistime.