
Fitore bindëse e Ferizajt ndaj Istogut
Ferizaj ka fituar superderbin e Superligës së Kosovës në hendboll (femrat).
Të dielën në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, skuadra vendase e mposhti Istogun me rezultatin bindës, 35:26. Për Istogun është humbja e parë pas një kohe të gjatë. Kampionatin e kaluar e kishte përfunduar pa disfatë, ndërsa kishte fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Në fillim të këtij edicioni e fitoi edhe Superkupën duke e mposhtur Ferizajn në Mitrovicë.
Derbi i së dielës i ka takuar xhiros së shtatë.
Ferizaj nisi herët shkëputjen, ndërsa në pjesën e parë krijoi epërsi prej nëntë golash. Me lojë të mirë skuadra ferizajase vazhdoi edhe në pjesën e dytë. Mbajti epërsi që sillej në rreth dhjetë gola dhe në fund fitoi 35:26.
Ferizaj tani shkëputet në krye të tabelës me 12 pikë nga gjashtë ndeshje. Istogu mbetet me 10 pikë nga gjashtë ndeshje në pozitën e dytë.
Amanda Lemos i shënoi 9 gola për Ferizajn. 8 i kishte Luljeta Sopjani.
Luna Goncalves i realizoi shtatë gola për Istogun, ndërsa nga pesë i kishin Albina Rugova dhe Arlinda Dinarica. Po të dielën, Ulpiana e Vëllaznimi barazuan 22:22. Ndërsa Jusuf Gërvalla e mposhti Kastriotin në Ferizaj me rezultat 33:31.