Fitore bindëse për Trepçën e Rahovecin
Dy kryendeshjet e xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt) nuk kanë ofruar rivalitetin për të cilin shpresohej. Trepça e Rahoveci kanë shënuar fitore bindëse për të vazhduar ecurinë pozitive në kampionat.
Në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça e mposhti Kastriotin me rezultat 40:30.
Që në pjesën e parë “xehetarët” bënë shkëputje në rezultat, e cila në pjesën e dytë ishte edhe më e madhe. Sali Maxhera, Hamdi Salihu dhe Lulzim Shabani i shënuan nga tetë gola për mitrovicasit, sa i kishte edhe Festim Mustafa i Kastriotit. Në Ferizaj, në hapje të kampionatit, Kastrioti kishte fituar me një gol dallim.
Më pas Trepça rreshtoi pesë fitore. Renditet e dyta. Kastrioti i ka tri fitore e katër humbje. Me gjashtë pikë renditet i pesti. Në tabelë udhëheq Rahoveci me dhjetë pikë. “Vreshtarët” i kanë fituar të gjitha pesë ndeshjet e deritashme.
Të dielën fituan ndaj Prishtinës me rezultat bindës, 47:31. Adonit Isufi i shënoi 13 gola për Rahovecin. Nëntë gola për Prishtinën i shënoi Albi Gjuka. Prishtina është e katërta me tetë pikë. Ka katër fitore e tri humbje.