Fitore dramatike e Partizanit përballë Penzës
Në një ndeshje shumë interesante dhe dramatike, Partizani ka mundur Penzën me shifrat 69:66 (18:15, 12:11, 21:20, 18:20), në xhiron e gjashtë të Ligës Unike për femrat.
Në çerekun e parë u zhvillua lojë kryesisht e barabartë me vashat vendase që kishin epërsi 5-6 pikësh, ndërsa kjo pjesë përfundoi 18:15. Edhe periudha e dytë ishte e baraspeshuar, ku asnjëra skuadër nuk arriti të shkëputej në rezultat dhe pjesa e parë përfundoi 36:30.
Po ashtu edhe perioda e tretë ishte e barabartë, ku shifrat pas 30 minutash ishin 51:46. Kjo bëri që dhjetë minutat e fundit të jenë vendimtarë për fituesin. Në këtë pjesë herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjetra. 1:14 nga fundi, Penza po fitonte 63:66, por në momentet vendimtare, skuadra tiranase u tregua më e vëmendshme dhe fitoi 69:66.
Te Partizani më e mira ishte Ornela Lalaj me 19 pikë e 12 kërcime, kurse te Penza më e mira ishte Saranda Daci me 18 pikë e 13 kërcime.
Partizani ka katër fitore e dy humbje, kurse Penza dy fitore e katër humbje.