Fitore dramatike e Yllit, e teta radhazi
Golden Eagle Ylli ka regjistruar fitoren e tetë radhazi, ku në një ndeshje dramatike ka mundur Pejën me shifrat 58:57 (21:14, 16:17, 9:16, 12:10), në ndeshjen e mbetur të xhiros së dhjetë.
Sfida ka qenë interesante dhe pothuajse e barabartë gjatë gjithë takimit, ndërsa në fund takimin e vendosi Valon Bunjaku me dy gjuajtje të lira.
Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua ndeshje shumë interesante. Peja ishte duke fituar 50:52, por therandasit me gjashtë pikë radhazi kaluan në epërsi 56:52, megjithatë, asgjë nuk kishte përfunduar, pasi mysafirët shënuan në dy aksione radhazi për 56:57, kurse në sekondën e fundit Valon Bunjaku u ndal në mënyrë të palejuar dhe ishte i pagabueshëm nga gjuajtjet e lira për 58:57, ndërsa në aksionin e fundit nuk ishin të saktë mysafirët dhe Ylli regjistroi fitoren e tetë radhazi pas katër humbjeve, kurse pejanët kanë dhjetë fitore e tri humbje.