Fitore e rëndësishme e Prishtinës përballë Trepçës

13 mars 2021 | 19:54

Sigal Prishtina ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Trepçës me rezultat 80:85 (13:19, 19:19, 28:24, 20:23), në kuadër të javës së 23-të në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll.

Fillimi i ndeshjes ishte i baraspeshuar, megjithatë, në dy minutat e fundit të çerekut të parë, Prishtina nga 13:10, hyn në një seri prej 0:9, duke përmbyllur këtë pjesë 13:19. Bardhekaltrit ngritën epërsinë në periodën e dytë, ku më e larta ishte 20:31, por mitrovicasit shpejt rikthehen për 27:31, ndërsa pjesa e parë përfundon me shifrat 32:38.

Vendasit në periodën e tretë nuk u dorëzuan, duke shkrirë epërsinë e mysafirëve që shkoi deri në 10 pikë, duke barazuar shifrat në 57:57, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 60:62.

Lojë interesante u zhvillua edhe në 10 minutat e fundit, ku 5 minuta para fundit rezultati ishte 69:69, megjithatë, në momentet vendimtare të ndeshjes Sigal Prishtina u tregua më e kujdesshme dhe triumfoi 80:85. Tashmë të dy skuadrat kanë nga nëntë fitore dhe 14 humbje.

Te Trepça u dalluan Ivan Koljeviq me 20 pikë e 13 asistime, Drilon Hajrizi me 20 pikë e 18 kërcime dhe Stavros Toutzaiarkis me 14 pikë e 14 kërcime, kurse te Prishtina u dalluan Nigel Johnson me 24 pikë, 6 kërcime e 9 asistime, Fisnik Rugova me 17 pikë, Daniel Lekndreaj me 11 pikë e 12 kërcime dhe Tevin Mack me 21 pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë 24 orëve të fundit në Republikën e Maqedonisë së…