Fitore e rëndësishme për vashat bardheblu
Tirana shënoi fitore të rëndësishme në Liga Unike Femrat. Skuadra bardheblu ka mundur Flamurtarin me shifrat 62:59 (20:12, 11:21, 19:15, 12:11), në javën e shtatë.
Tashmë tiranaset kanë tri fitore e katër humbje, kurse ajo vlonjate dy fitore e pesë humbje.
Vendaset e nisën më mirë ndeshjen, duke e fituar çerekun e parë 20:12, por mysafiret u kundërpërgjigjën shpejt në periudhën e dytë, për të shkuar në pushim me shifrat 31:33.
Skuadra nga Vlora krijoi epërsi prej nëntë pikësh 36:45, por tiranaset u rikthyen për të përmbysur shifrat në 50:48, sa ishte rezultati pas 30 minutash. Në dhjetë minutat e fundit, tiranaset kishin epërsi prej pesë pikësh dhe arritën të ruajtën, duke fituar në fund 62:59.
Më e mira te vendaset ishte Enisa Qosja me 18 pikë, katër kërcime e tri asistime, derisa te mysafiret më e mira ishte Asia Henderson me 17 pikë e 22 kërcime.