Fitore minimale e Tottenhamit ndaj Cityt
Tottenhem Hotspur tregohet cinik në maksimum dhe triumfon në sfidën ndaj Manchester Cityt. Akti i parë është fituar nga londinezët minimalisht me shifrat 1-0, të cilët i falen golit të Heung-Min Son në minutën e 78-të.
Ndeshja ka nisur menjëherë e vrullshme, teksa në minutën e 13-të, City kishte rastin më të mirë për të kaluar në avantazh. Gjyqtari Bjorn Kajpers akordoi 11-metërsh në favor të Cityt pas konsultimit me sistemin VAR, me Rose që kishte prekur topin me dorë në zonë. Gjuajtja e Agueros nga penalltia u neutralizua në mënyrë perfekte nga Hugo Loris.
Penalltia e humbur e bëri City që ta ulte presionin, me Tottenhemin që mori besim dhe nisi të krijonte përpara. Gjithsesi, pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Fraksioni i dytë nisi përsëri vrullshëm si i pari, me të dy ekipet që patën nga një rast të pastër. City fillimisht kërcënoi me anë të Sterling, ndërsa më pas ishte radha e vendasve, të cilët iu afruan golit me anë të Son.
Në minutën e 58-të, Kane la fushën e lojës, si pasojë e një dëmtimi dhe tashmë anglezi rrezikon shumë pasi lëndoi kaviljen dhe sipas gjasave mund të humbasë pjesën e mbetur të sezonit.
Gjithsesi, ishte Heung-Min Son heroi për Tottenhemin, teksa në minutën e 78-të çoi në qiellin e shtatë tifozët e tij. Pasi vallëzoi bukur në zonë, koreano-jugori mposhti portierin Ederson, duke i dhënë avantazhin të tijve.