Fitorja e dytë e Rahovecit ndaj Dritës
03 nëntor 2021
| 22:51
Rahoveci ka shënuar fitore ndaj Dritës me rezultat 104:122 (25:36, 23:29, 29:26, 27:33), në kuadër të javës së nëntë të Art Motion Superligës, që ishte e dyta këtë edicion ndaj gjilanasve, njëkohësisht fitoret e vetme të Vreshtarëve këtë edicion.
Gjilanasit në fillim të ndeshjes kishin epërsi të lehtë, por pas rezultatit 15:15, Vreshtarët ishin më të mirë, duke e fituar çerekun e parë me 11 pikë epërsi 25:36. Rahovecasit vazhduan me lojë të mirë duke ngritur epërsinë në 20 pikë, sa ishte më e larta 33:53, dhe më pas kontrolluan lojën, duke shkuar në pushim me shifrat 48:65.
Basketbollistët e Gjilanit në periudhën e tretë zhvilluan një lojë të mirë, për të ngushtuar shifrat në nëntë pikë, 64:73, por më pas Rahoveci sërish shkëputet, por gjilanasit sërish afruan rezultatin në 77:86, megjithatë pesë pikë radhazi nga Rahoveci bëri që rezultati në semafor pas 30 minutash të jetë në semafor 77:91. Vreshtarët menaxhuan epërsinë në 10 minutat e fundit për të triumfuar me rezultat 104:122.
Te Drita u dalluan Isaiah Johnson me 28 pikë e gjashtë kërcime, Marcus Mayers me 25 pikë dhe Bardh Jakupi me 16 pikë e pesë kërcime, kurse te Rahoveci u dalluan Altin Morina me 31 pikë, shtatë kërcime dhe tetë asistime, Tyheim Monroe me 22 pikë e 16 kërcime dhe Milik Yarbough me 26 pikë e 16 kërcime.
Drita ka nëntë humbje në nëntë ndeshje, kurse Rahoveci dy fitore (ndaj gjilanasve) dhe gjashtë humbje.