Fitorja e dytë radhazi për Yllin
Në një ndeshje mjaft dramatike, Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore dramatike ndaj Proton Cable Prizrenit me rezultat 83:79 (21:16, 19:18, 22:26, 21:19), në javën e shtatë të ProCredit Superligës së Kosovës në basketboll.
Takimi ka qenë interesant nga fillimi deri në fund, dhe me shumë kthesa, derisa përfundoi me fitoren e therandasve.
Çereku i parë ishte i baraspeshuar, por katër pikë radhazi nga vendasit, bën që kjo pjesë të përfundojë 21:16. Në periudhën e dytë, prizrenasit avancuan në 21:24 me tetë pikë radhazi, por sërish u kundërpërgjigjën vendasit që kishin deri në gjashtë pikë epërsi, për të shkuar në pushim me rezultat 40:34.
Edhe pjesa e dytë ishte e ngjashme me shumë rikthime, por asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej, kurse në çastet vendimtare, vendasit ishin më të vëmendshëm dhe fituan 83:79, që ishte fitorja e dytë radhazi nën drejtimin e Endrit Elshanit.
Te vendasit disa basketbollistë dhanë ndihmë kyçe në këtë fitore, kurse u dalluan Terrell Brown me 24 pikë dhe Gëzim Morina me 16 pikë, pesë kërcime e katër asistime, ndërsa te mysafirët u dalluan Lenzelle Smith me 17 pikë e nëntë kërcime dhe Jordan Johnson me 18 pikë e dhjetë asistime.
Golden Eagle Ylli ka katër fitore e tri humbje, derisa Proton Cable Prizreni dy fitore e pesë humbje.