
Fitorja e parë në Superligë për Terezën
10 mars 2025
| 11:04
Tereza e ka shënuar fitoren e parë në Superligën e Kosovës në hendboll. Të dielën në palestrën “Adem Jashari” në Obiliq, Tereza e mposhti Besën e Pejës me rezultat 37:34.
Ndeshja ishte interesante dhe e hapur deri në aksionet e fundit. Por më mirë ndeshjen e mbyllën vendaset, për dy pikë të rëndësishme. Në minutën e 59-të rezultati ishte 35:34. Eduarta Kurteshi e Florentina Preniqi shënuan në fund për 37:34.
Kaltrina Paci udhëhoqi Terezën me 13 gola. Shtatë i kishte Melike Ipçi e nga gjashtë Arjeta Imeraj e Eduarta Kurteshi. Te Besa më efikasja ishte Edona Radoniqi me 10 gola. Tetë i kishte Qëndresa Berisha e pesë Valza Maxhuka.
Tereza mbetet e teta, përkatësisht e parafundit, por tani me tri pikë. Besa është e shtata me tetë pikë.