Fitorja e shqiptarëve në Tuz afirmon identitetin kombëtar
Kandidati i koalicionit “Forumi shqiptar”, që ka fituar zgjedhjet në Komunën e Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka thënë se falë bashkimit të partive politike shqiptare është arritur fitorja.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se kjo fitore do të jetë në të mirë të së ardhmes së Tuzit.
“Falë veprimit të përbashkët të subjekteve nacionale shqiptare në Komunën e Tuzit, ne sot jemi në situatë të flasim dhe ta hartojmë mënyrën për të ndërtuar të ardhmen tonë. Projekti ynë parësor vazhdon të jetë veprimtaria me përkushtim në ruajtjen e identitetit tonë përmes institucioneve përkatësve të cilat duhet të themelohen në të gjitha fushat në nivelin lokal. Në këtë mënyrë do të kontribuojmë për vendosjen e një baze të mirëfilltë për të ndërtuar një të nesërme më të sigurt në të gjitha fushat e jetës, duke respektuar veçoritë dhe nevojat e çdo qytetari në territorin e Komunës së Tuzit”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj.
Ai ka vlerësuar se qytetarët në Malësi kanë nevojë për vetëqeverisje të plotë e cila ka për qëllim realizimin e programit të hartuar së bashku me qytetarët.
Sipas Gjeloshajt, fitorja e shqiptarëve në Komunën e Tuzit dëshmon vendosmërinë për afirmimin e identitetit kombëtar.
“Popullata shqiptare e ka pritur dhe dëshiruar këtë moment, sidomos tashmë që kemi fituar komunën e plotë, pas pothuajse tri decenieve kërkesash të vazhdueshme, angazhimeve dhe veprimeve të panumërta, të vetëdijshëm se vetëm kështu mund ta ndërtojmë të ardhmen në komunën tonë, me forcat tona dhe njerëzit tanë”, është shprehur ai, duke shtuar se lidershipi politik shqiptar duhet të jetë i bashkuar për të vepruar në të mirën e kombit.
“Epoka e re”: Z. Gjeloshaj, pas zgjedhjeve të së dielës Komuna e Tuzit do të drejtohet nga një shqiptar. Si e vlerësoni këtë proces zgjedhor dhe çfarë do të thotë për ju dhe shqiptarët në përgjithësi kjo fitore?
Gjeloshaj: Ishte proces zgjedhor i rëndomtë, me sfida dhe angazhime të shumta, sidomos për subjektet tona politike kur gjendesh përballë forcave qeveritare me të gjithë infrastrukturën e nevojshme për një fushatë jo të barabartë me subjektet e tjera pjesëmarrëse. Mirëpo, edhe krahas këtyre sfidave dhe përballjeve me probleme të ndryshme, vullneti, vendosmëria dhe, mbi të gjitha, përkushtimi i koalicionit ‘Forumi shqiptar’, në orientimin e drejtë dhe qëllimmirë për të ardhmen e malësisë, ka reflektuar me një vullnet të pashoq të elektoratit tonë jo vetëm këtu në trevat tona, por sidomos në radhët e mërgimtarëve tanë të cilët kanë dhënë kontribut të pashoq në rezultatin pozitiv nga zgjedhjet e para vendore në komunën e plotë të Tuzit. Domethënia për banorët shqiptarë është dhe do të jetë afatgjatë, pasi ata e dëshmuan vendosmërinë për afirmimin e identitetit të vet kombëtar përmes veprimtarisë së strukturave nacionale shqiptare.
“Epoka e re”: Sipas rezultateve preliminare, koalicioni i shqiptarëve “Forumi shqiptar” ka marrë rreth 3 682 vota, duke fituar kështu 16 nga 32 mandate. Por, është raportuar se një nga socialdemokratët pritet të kalojë në radhët e koalicionit shqiptar. A mund të na tregoni se si do të rrjedhë procesi tash e tutje deri në marrjen e detyrës tuaj si kryetar?
Gjeloshaj: Kuptohet se në raste të ngjashme gjithherë ka spekulime të ndryshme për opsione dhe kombinime të shumta për ta formuar pushtetin. Me rëndësi është se koalicioni ynë ka fituar bindshëm zgjedhjet, pra numrin më të madh të mandateve dhe natyrisht sa më parë do ta fillojmë procesin e formimit të pushtetit sepse qytetarët në Malësi kanë nevojë për një vetëqeverisje të plotë lokale, që kuadrot tanë sa më parë ta fillojnë punën për realizimin e pikësynimeve tona programore që i kemi hartuar bashkërisht me qytetarët. Andaj, besojmë se edhe ky proces do të rrjedhë normalisht, pasi ne si fitues i zgjedhjeve jemi në pozitën që ta përcaktojmë dinamikën dhe rrjedhën e këtij procesi.
“Epoka e re”: Kjo fitore e juaja është arritur falë bashkimit të tri partive politike shqiptare. Cili do të jetë projekti juaj për qeverisjen e kësaj komune?
Gjeloshaj: Falë veprimit të përbashkët të subjekteve nacionale shqiptare në Komunën e Tuzit, ne sot jemi në situatë të flasim dhe ta hartojmë mënyrën për të ndërtuar të ardhmen tonë. Projekti ynë parësor vazhdon të jetë veprimtaria me përkushtim për ruajtjen e identitetit tonë përmes institucioneve përkatësve të cilat duhet të themelohen në të gjitha fushat në nivelin lokal. Në këtë mënyrë do të kontribuojmë për vendosjen e një baze të mirëfilltë për të ndërtuar një të nesërme më të sigurt në të gjitha fushat e jetës, duke respektuar veçoritë dhe nevojat e çdo qytetari në territorin e Komunës së Tuzit. Do të bëjmë çmos për tërheqjen e investimeve nga jashtë për ta avancuar zhvillimin ekonomik, për zvogëlimin e papunësisë si njërin ndër gjeneratorët kryesor për emigrimin e të rinjve tanë. Kjo duhet të ndalet duke krijuar parakushtet e duhura për një jetë normale në vendlindjen tonë.
“Epoka e re”: Sa do të jetë sfiduese për ju dhe për shqiptarët qeverisja e Tuzit?
Gjeloshaj: Kuptohet se të qeverisësh në territorin që e do aq shumë dhe të menaxhosh me të mirat natyrore të tij, me resurset e pasura natyrore, ekonomike dhe kulturore në të mirën e bashkëvendësve, është ndjesi e veçantë dhe që ngjall optimizëm për të ardhmen e përgjithshme. Popullata shqiptare e ka pritur dhe dëshiruar këtë moment, sidomos tashmë që kemi fituar komunën e plotë, pas pothuajse tri decenie kërkesash të vazhdueshme, angazhime dhe veprime të panumërta, të vetëdijshëm se vetëm kështu mund të ndërtojmë të ardhmen, në komunën tonë, me forcat tona dhe njerëzit tanë.
“Epoka e re”: Z. Gjeloshaj, gjatë këtij procesi zgjedhor në Tuz liderët shqiptarë nga të gjitha vendet kanë bërë thirrje për ta votuar koalicionin ‘Forumi shqiptar’ që ju keni drejtuar. Tani, pas bashkimit të shqiptarëve dhe fitores, cili është mesazhi juaj për liderët shqiptarë?
Gjeloshaj: U jemi mirënjohës të gjitha strukturave politike, kulturore, individëve dhe shoqatave të shumta nga hapësira mbarëshqiptare që na kanë inkurajuar ta formojmë koalicionin ‘Forumi shqiptar’, me emrin e listës zgjedhore ‘Malësia na bashkon’. Kjo ishte shtysë e madhe për ne dhe elektoratin shqiptar në këto hapësira. Kënaqësia me rezultatin e arritur është e përbashkët dhe dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata vëllazërisht. Uroj që lidershipi politik shqiptar të gjendet në pikat e përbashkëta për të vepruar në të mirën e çdo qytetari shqiptar kudo që jeton. Opinioni evropian dhe më gjerë vlerëson të arriturat e kombit shqiptar dhe e kemi obligim të veprojmë bashkërisht për arritjen e standardeve më të larta për jetën e përditshme të banorëve dhe për afirmimin e përgjithshëm mbarëkombëtar.
Shqipe HETEMI