Fitorja jonë është e sigurt
Botuesi dhe profesori universitar Muhamet Mavraj ka reaguar pasi që Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dërguar në Dhomat e Specializuara të Kosovës aktakuzë për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe për kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.
Në emisionin “Imazh” të RTK-së ai ka thënë se në deklaratën e prokurorit të specializuar i kanë bërë përshtypje dy gjëra: “Numri 100 i viktimave. Pra jo 99 ose 101. Dhe, pjesa puro politike”.
“E pashë deklaratën e prokurorisë. Pashë, po ashtu, qindra dhe mijëra reagime të shqiptarëve të Kosovës të cilët janë të shokuar, disa të gëzuar e disa të mërzitur. Sa i përket deklaratës së prokurorit të specializuar më bënë përshtypje dy gjëra: E para, fiks numri 100 i viktimave. Jo 99 ose 101, por fiks 100. Më bëri përshtypje edhe ajo pjesa që është puro politike, e pastër politike. Nga përvoja ime edhe nuk është e vogël, në rastet gjyqësore kundër pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me theks të veçantë nga viti 2000 e deri tash vonë, them se ky paralajmërim i këtij procesi gjyqësor ose i kësaj aktakuze është shumë më politike sesa ato që i bënte UNMIK-u. UNMIK-u nuk merrej me prapavijat politike të veprimeve aktuale, por fokusohej, kinse, në krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së. Ai [UNMIK-u] ishte shumë më brutal sesa që këta kanë paralajmëruar. Por, unë nuk dua ta luaj rolin e viktimës e të merrem tash me dobësitë e procesit legjislativ, procesit akuzues, procesit gjyqësor, procesit deklarativ për këta dy njerëz dhe për ata të tjerët që do të përfshihen në grupin e tyre. Sigurisht jo me dëshirën e tyre, por në moment kyç këta vullnetarisht janë angazhuar për këtë gjykatë, për të cilën e kanë ditur mirë se do të jenë të parët që do të akuzohen prandaj, duke e parë si pjesë shumë dinjitoze të tyre, as këta dy, as të tjerët, as tifozët dhe as këta që po gëzohen shumë, nuk duhet ta nxjerrin jashtë këtij konteksti. Kjo është sakrificë për Kosovën. Siç është filluar me dinjitet, ashtu duhet të pranohet”, ka shprehur mendimin Mavraj, transmeton “Epoka e re”.
Ai ka thënë se ky proces është paralajmërim shumë i dobët dhe do të dështojë me turp.
“Të vazhdojnë të gjithë së bashku ta përballojnë me shumë dinjitet. Bindja ime e thellë, ende pa i parë mirë faktet, flas nga përvoja e kaluar me proceset gjyqësore të UNMIK-ut, ndaj grupit të Llapit, të Dukagjinit, të Prizrenit e kështu me radhë, pa harruar rastin e gjeneral Sali Veselit, ndaj rasteve në Hagë, procesit Limaj që ka qenë shumë kompleks, procesit Haradinaj që ka qenë disa herë më kompleks, me mbi 35 akuza për krime lufte. Ky proces është paralajmërim shumë i dobët. Do të dështojë me turp kushdo që e ka bërë. Ama unë nuk dua t’i nxjerr jashtë binarëve të një përballjeje dinjitoze këta dy, Hashimin dhe Kadriun dhe shokët e tjerë që aty do të bashkëngjiten, për Kosovën. Kjo nuk është aktakuzë për ta. Kjo e sfidon Kosovën. Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne kemi hyrë në këtë proces për ta pastruar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga akuzat e fabrikuara. Dhe ka shumë fakte që ato janë të fabrikuara nga raporti i Dick Martyt, i cili është i paguar nga Serbia dhe nga lobi rus. Që nga kjo pikë e tutje ne duhet të ecim dhe ta përballojmë me dinjitet. Mos të kukasim kot sepse fitorja, sipas meje, nga përvoja që kam deri tash, është e sigurt”, ka deklaruar Mavraj.