Fitorja, opsion i vetëm për Prishtinën dhe Llapin

11 maj 2019 | 12:55

Derbi i xhiros së 31-të në Superligë në mes të Prishtinës dhe Llapit do të zhvillohet sot (e shtunë) në stadiumin “Fadil Vokrri”. Të dyja skuadrat kanë paralajmëruar se do të luajnë për fitore, kurse dështimi për secilën skuadër mund të jetë dalje jashtë garës për titull të kampiones në elitë.

Fitorja është opsion i vetëm për Prishtinën dhe Llapin në derbin e javës së 31-të në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Çdo rezultat tjetër mund të qesë njërën apo tjetrën skuadër nga gara për titull të kampionit.

Kapiteni i Prishtinës, Armend Dallku, pret që skuadra kryeqytetase të shënojë fitore ndaj Llapit në stadiumin “Fadil Vokrri”. “Mund ta quajmë si duel parafinale, por ne kemi mbajtur ekipin maksimalisht të përqendruar për këtë ndeshje, pastaj edhe për dy ndeshjet e tjera, por na gëzon fakti që luajmë në stadiumin tonë. Mos të harrojmë se në çfarë mënyre është sjell ekipi kundërshtar në ndeshjen e fundit në Podujevë dhe kjo duhet të na motivojë neve si futbollistë që brenda fushës të kemi motiv shtesë që t’i kundërvihemi në mënyrën e duhur edhe për atë ndeshje. Shpresojmë të jemi në maksimumin e kondicionit të gjithë futbollistët deri në ditën e ndeshjes, ta japim maksimumin dhe t’i gëzojmë shikuesit tanë që do të jenë të pranishëm”, ka thënë Dallku.

Fitore ka paralajmëruar edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina. “Në çdo ndeshje futemi për fitore dhe me këtë qëllim udhëtojmë edhe ndaj Prishtinës. Llapit nuk i interesojnë shumë rezultatet e tjera pasi ne duam t’i marrim tri fitore në tri ndeshjet e fundit dhe të shpallemi kampionë”, ka thënë Batatina, i cili konfirmoi se nuk ka mungesa dhe se në ndeshjen ndaj Prishtinës do të luajë me formacionin më të fortë. Prishtina në këtë ndeshje do të jetë pa Meriton Korenicën, kurse Ahmet Haliti rikthehet në formacion.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të rinjtë dhe fëmijët shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të…