Fitorja patetike e Edi Ramës!
Nga Kimete Berisha:
(Lexojeni se e kam përmendur edhe Albin Kurtin – për ‘të mirë’, mos m’qoftë për kob!).
Kurrë nuk besoj se votuesi shqiptar di ta bëj dallimin mes të djathtës e të majtës.
Ama kurrë nuk besoj se vetëdija shqiptare është aq e lartë sa që ata kanë vendosur t’i votojnë socialistët për inat të Sali Berishës.
Shqiptari është materialist dhe i vetmi dallim që di ta bëj është dallimin mes lekut të vjetër dhe lekut të ri.
Nëse dikund në botë ‘Zot’ është paraja, ai vend është Shqipëria.
Ta nxjerr shpirtin për pare.
I shesin kujtimin e fëmijërisë për pare;
e shesin dhimbjen për TV – programe që popullata të argëtohen me dhimbjen e tyre: bëhen dëshmitarë të rremë për pare dhe e vetmja gjë që për ta ka kuptim – është paraja.
Dhe, anipse e kanë ‘zot’ paranë, janë më të varfërit në Evropë.
Anipse në tregun medial e qesin dhimbjen në shitje si djathin boshnjak në tinarë prej druri; prap se prap aty dhimbja kushton lirë.
Shumë lirë!
Dhe Liria është ‘send’ i panevojshëm, kur s’ke pare.
Kur s’ke pare je i lirë si i vdekuri.
Liria kushton lirë kur nxjerret në shitje.
Prandaj, varfëria kushton shtrenjtë.
Dhe, prandaj fitorja e madhe e pushtetit në një vend të varfër është karikaturë.
Populli shqiptar kushton shumë lirë.
Nuk ka turk që të më bind se shqiptari i Shqipërisë beson në drejtësi dhe në votime demokratike.
Ata duan lekë, jo demokraci!
Sepse, demokracinë kujtojnë që e kanë. Njeriu e kërkon atë që s’e ka.
Lekë kush jep, vëlla, tregoni ju, se demokracia nuk ‘hahet’!
Nuk është normale që në fund të vrapimit, Edi Rama u forcua më shumë se sa kur e nisi vrapin për pushtet.
Edi Rama i lodhur nga pushteti i gjatë, doli edhe më i fortë nga lodhja.
Nuk është e natyrshme të të zbulojnë shqiptarët se sa i mirë je ti, pas dhjetë vitesh në pushtet.
Në Kosovë fitoi shumë Albin Kurti sepse ishte i paprovuar…por mjaftoi një kohë e shkurtër për ta parë shqiptarët se Albin Kurti nuk është ai që kishin kujtuar dhe në zgjedhjet lokale ia treguan qejfin.
Secili politikan i provuar me pushtet të gjatë nuk mund të bëhet atraktiv nga e para, sikur mos ta kishte pasur asnjë ditë mëkat në jetën e tij.
Shpjegoma ti mua: çfarë fiton një fukara i Kukësit (vendi më i varfër në Shqipëri), që e voton partinë e milionerëve.
Kë ëndërron ‘ta vras’ robi përveç padronin e tij.
Kë urren më shumë fukaraja se sa pasanikun.
Veç espadrillat e Edi Ramës kushtojnë sa rroga e shqiptarit…
Çka e motivon një fukara shqiptar që ta votoj një pushtet që e ka bërë të varfër. Pse shqiptarët kanë sevda në varfëri!
Pse nuk e ndëshkojnë fajtorin e mjerimit të tyre!
Kush mund të ketë faj përveç ai që të udhëheq!
Për Edi Ramën më e rëndësishme është Shkodra se sa krejt Shqipëria.
Veç për inat. Nuk është merakli i femrave se nuk e kish lënë pa gjetë edhe një Shkodrës (me theks të veçantë të Tropojës), veç për inat!
Hakmarrja ndaj Sali Berishës për të është më e madhe se sa fitorja e Shkodrës.
A kishte alternativë tjetër votuesi shqiptar?
Nuk kishte alternativë sepse nuk kërkonte alternativë.
Shqiptari kërkon cash, të pasurohet shpejt, të jetoj sot për sot, të luaj në internet, të flas anglisht dhe të mos punoj.
Jemi duke e jetuar një shenjë të kiametit që të bën të ndjesh sikur koha po harxhohet shpejt.
Nuk ka më kohë të presim për t’u bërë të lumtur.
Më mirë i merr pak para se sa që e falë votën, e s’ta di kush për nder!
Ta votosh Ilir Metën, s’të grish!
Se, ai nuk jep – veç merr.
Ilir Meta është simbol i dukatit në Shqipëri, dhe me ata dukat që e ka vjedhur – e ka blerë çmendurinë e tij: aq shtrenjtë ka kushtuar të dështosh si Ilir Meta.
Shqipëria (bashkë me Kosovën) janë vendet më të varfëra në Evropë.
Të jesh i varfër duke pasur tokë, ujë, ajër, naftë, qymyr, dukat, pula dhe lopë – është sëmundje e varfërisë.
Sepse, aty ku ka diell, shi dhe liri, do të duhej të shërohej sëmundja e varfërisë.
Veriun dhe Jugun i ndau mentaliteti, por edhe mentaliteti blihet me pare.
Opozita nuk ekziston në Shqipëri sepse populli nuk ka nevojë për opozitë.
Kush ka kohë të pres derisa të vijnë në pushtet të mundurit!
Pushteti në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të turpërohet që udhëheqin popullin më të varfër në Evropë.
Pse populli është i varfër e Ata s’janë!
Me përjashtim të Albin Kurtiit, unë bile i kam 200 euro krye shpirti, Albini veç 100 i kish.
Ama për dallim prej tij, nuk e kujtoj veten kur nuk kam punuar.
P.S. Fitorja e Edi Ramës është primitive dhe e dhimbshme.
Zbulon varfërinë e madhe të shqiptarëve.