FITUESI I ZGJEDHJEVE TË 6 TETORIT DO TË JETË HUMBËSI MË I MADH
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Për moral dhe parime: Sa ishim në llogoret e ish-Jugosllavisë, si të dënuar politikë, ndjenim shumë nevojë t’i përcillnim zhvillimet gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në përgjithësi kurse në Kosovë, në veçanti. Është interesant fakti se një i burgosur, qoftë nëse mbahet edhe në izolim të plotë, i nuhatë ndryshimet që ndodhin jashtë burgut. Ky rregull vlente edhe për afërsisht 50 të burgosur politikë shqiptarë në llogoren Stara Gradishka në Kroaci në vitin 1989 ku ishim bashkë me kuptimin dhe përmbajtjen e përpjekjeve për çlirim, liri dhe bashkim kombëtar, Bacën Adem Demaçi. Në atë kohë, për të qenë në rrjedha të informimit, pa pyetur fare për çmim, e blemë një transistor nga i cili dëgjonim lajmet e Radio Tiranës, BBC-së, Zërit të Amerikës, RFI, Dojçe Velles, radiot serbe, kroate, sllovene dhe programet e tjera në gjuhën që e kuptonim. Një inxhinier kroat, i dënuar si nacionalist kroat, nga një kuti plastmasi e sapunit e improvizoi një radio që e mbanim rezervë në rast se policia, gjatë bastisjeve të shpeshta, e konfiskonte radion e parë. Me bateri furnizoheshim gjatë vizitave me ç’rast gardianët shqiptarë që kishin ardhur nga Kosova për të burgosurit politikë shqiptarë, mbyllnin njërin sy dhe nuk na kontrollonin shumë. Gjithashtu, bateritë i blinim nga të burgosurit ordinerë dhe i paguanim me duhan. Në atë kohë kishte zhvillime në Kosovë që ndikonin në ngritjen e moralit edhe te ne. Në vitin 1989 u themelua KMDLNj, më vonë edhe LDK-ja që udhëhiqej nga Ibrahim Rugova, një intelektual për të cilin nuk kishim shumë informatave përveç paraqitjeve në media dhe në Francuska 7 në Beograd. Baca Adem Demaçi na sugjeroi ta përkrahim Rugovën 100 për qind duke thënë se: “Për herë të parë në krye të një rezistence po vjen një person që po përfaqëson dhe mbron një kërkesë të drejtë…”. Natyrisht se të burgosurit politikë shqiptarë në llogoret e ish-Jugosllavisë, kur e krahasonin Ibrahim Rugovën me Azem Vllasin, Rrahman Morinën, Remzi Kolgecin, Ali Shukrinë, Sinan Hasanin dhe të tjerët, na dukej se ishte ringjallur vetë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Më vonë u zhgënjyem keqas për shkak të mosgatishmërisë së Ibrahim Rugovës për të marrë përgjegjësi për luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje jo që nuk e përkrahi këtë luftë, por e pengoi me aq sa pati mundësi! Barra e dëgjimit të lajmeve binte ekskluzivisht mbi Bacën Adem për faktin se kishte një kujtesë të mahnitshme dhe kuptonte disa gjuhë të huaja, kurse gjuhët sllave i dinte shumë mirë. Pastaj, në çdo mëngjes, para se të shpërndaheshim në vende të punës, na informonte shkurtimisht për lajmet më të rëndësishme për Kosovën. Pas një kohe Baca Adem ma dha radion mua, pasi kisha një kujtesë mesatare dhe njihja shumë mirë gjuhët sllave e që unë, pasi i dëgjoja lajmet, në mëngjes ua komunikoja të burgosurve politikë shqiptarë. Gjithmonë filloja me lajmet e Radio Tiranës duke thënë se, nga 100 për qind lajme të dëgjuara, nuk besoj në 80 për qind prej tyre. Kisha shokë të mrekullueshëm në llogoret e ish-Jugosllavisë e që ishim në gjendje që në çdo kohë të sakrifikoheshim për njëri- tjetrin, por se kishim dallime të mëdha dhe mospajtime për regjimin në Shqipëri dhe shokun Enver. Unë deklarohesha si demokrat dhe isha për sistem shumëpartiak e që e kisha përkrahjen e Dr. Hafir Shalës – Filit dhe Avdullah Dërgutit – Dul Tarakut. Më së shumti kritikohesha nga Baraleci që, pas daljes nga burgu, nga një kooperativist shembullor i Enver Hoxhës u bë kapitalist konstruktiv. Dr. Haki Gashi, një njeri dhe patriot i jashtëzakonshëm, nuk pajtohej me mua, por se ishte shumë konstruktiv për faktin se çështjen kombëtare e kishte mbi interesat personale dhe ideologjike. Rasti i dr. Haki Gashit është shembull tipik se të qenit i ndershëm dhe i pakorruptueshëm është pengesë për karrierë politike. Për këtë arsye nuk pati jetë të gjatë politike pas luftës si nënkryetar i Therandës dhe sigurisht për këtë arsye nuk u përfshi në listën zgjedhore të PDK-së për zgjedhjet e 6 tetorit. Nejse, disa më kundërshtonin me sloganin e Ramiz Alisë se: “Bar do të hamë, por nuk largohemi nga rruga e marksizëm – leninizmit…”. Baca Adem atëherë u thoshte: “Lëreni more marksizëm-leninizmin se nuk ka lidhje me historinë kombëtare, por kapuni pas historisë dhe gjuhës shqipe…”. Në atë kohë ka qenë shumë rrezik për jetën të jesh i burgosur politik shqiptar, keni jetuar nga dita në ditë, pa qenë i sigurt se ditën tjetër do të jeni të gjallë. Edhe më shumë kanë vuajtur familjet tona jo nga serbët sa nga serbët shqiptarë që, për fat të keq, gjuhën amtare e kishin gjuhën shqipe. Të burgosurit politikë shqiptarë janë treguar të butë dhe bashkëpunues edhe me torturuesit e tyre, prokurorët dhe gjykatësit që i kanë dënuar. Familjet tona dhe fëmijët nuk kanë ide se si kemi kaluar në ato llogore sepse nuk iu kemi treguar. Këtë për një herë tjetër. Thuaja 30 vjet pasi jemi liruar nga llogoret e ish-Jugosllavisë, ndonëse në kushte pakrahasimisht më të mira, përsëri në rastin konkret unë po përballem me fenomenin e mosbesimit, thuaja në shkallën 80 për qind të mungesës së besimit në premtimet elektorale te të gjitha, pa asnjë përjashtim, të subjekteve garuese për zgjedhjet e 6 tetorit. Mua më duket, sa i papranueshëm aq edhe neveritës fakti se 2-3 ditë para zgjedhjeve, në përpjekje për ta diskredituar kundërshtarin për një grusht votash të pista, po gërryhet në zorrët e së kaluarës në mënyrën më të pandershme dhe më të paskrupullt të mundshme. Tash po dalin disa “fakte” se kryeministrja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani, paska punuar përkthyese në UNMIK duke e implikuar, pa asnjë dëshmi, si kontribuuese e Tribunalit të Hagës, kundër luftëtarëve të UÇK-së. Apo tash po bëhet publike “afera korruptive” e vëllait të kryetarit të Vushtrrisë gjithnjë në kontekst se ka i fundit qenka mik i kryeministres Osmani. Nga përvoja ime e gjatë e që i kam përjetuar të gjitha regjimet, e them me përgjegjësi se përkthyesit që iu është besuar përkthimi nga ana e UNMIK-ut dhe Tribunali i Hagës nuk kanë qenë nga Kosova, por nga Shqipëria (Lul Basha, Argita dhe Jamarbër Maltezi dhe zonja Vokshi) dhe ca të tjerë. Përkthyesve nga Kosova nuk iu është besuar asnjë rast i ndjeshmërisë së lartë. Kush ta ka pyetur Vjosën në atë kohë?! Një mik imi i mençur dhe i ndershëm më ftoi për kafe dhe duke ditur për raportet e mia të mëhershme me kryeministrin Albin Kurti kërkoi nga unë sqarime nëse gruaja e Albinit është “shkinë” dhe arsyet pse Zaim Kurti dhe Arife Kurti, ndryshe prindër të Albinit si dhe vëllezërit e paskan përzënë Albinin nga shtëpia. Thash se çështja e gruas së Albinit është krejtësisht personale dhe private andaj nuk e komentoj, ndërsa pohova se prindërit e Albinit janë të mrekullueshëm; Zaim Kurti për aq kohë sa e njoh asnjëherë nuk i është ndarë çështjes kombëtare sikur që nëna e Albinit, si të gjitha nënat shqiptare, është e mrekullueshme dhe e papërshkrueshme. Edhe vëllezërit e Albinit janë intelektualë të vërtetë dhe njerëz shumë të mirë dhe me aq e mbylla.
Tash po dalin informata se kryeministri i Kosovës, Kadri Veseli, qenka përfitues i luftës dhe mashtrues sepse qenka ushtar i Rognerit, në ndërkohë që tërë kohën ishte në vijat e para të frontit të luftës së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Këto “informata” dalin nga zorrët e zgjatura të ish-titistëve dhe ish-sllobistëve apo rrahmanistëve dhe të atyre që me çdo kusht e sabotuan luftën duke bërë parada në Shqipëri me uniforma ushtarake. Edhe kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj që, në fakt, ka qenë tmerri vetë për ushtarët, paramilitarët dhe policët e Serbisë duke bërë sakrificë personale dhe familjare dhe duke u lënë i vetmuar, me nja 20-25 ushtarë, nga dezertorët e një “ushtrie” imagjinare, po sulmohet nga demokratët “e sotëm e që dikur ishin gjakpirësit e popullit shqiptar. Po me këto pallavra po luftohet edhe kryeministri i Kosovës, z. Fatmir Limaj.
Kryeministri i Kosovës, z. Milaim Zeka, nuk po merret seriozisht, as në përfolje për faktin se po llogaritet autsajder 100 për qind. Kryeministri i Kosovës, z. Nenad Rashiq, po luftohet nga çetnikët e Aleksandër Vuçiqit dhe Goran Rakiqit kurse nuk po mbrohet as nga shqiptarët e as nga ndërkombëtarët. Pastaj, deri ku ka shkuar çoroditja e trillimeve kundër personaliteteve të shquara flet fakti se edhe Behgjet Pacolli, i njohur si një ndër shqiptarët më të mëdhenj i të gjitha kohëve, që nga koha e Mbretëreshës Teutë e deri te Hashim Thaçi, i njohur për sakrificat sublime që i ka bërë në mbrojtje të shqiptarisë, nga Irani e deri te Kazakistani, pjesa më e ndritur, më përfaqësuese dhe më efektive e institucioneve të Kosovës, brutalisht po sulmohet nga thashethemet përmes një fotoje të montuar me një kriminel serb, në Budva të Malit të Zi. Aty pati marrë në thua edhe Shpendi. Për aq sa kam informata, Behgjet Pacolli kurrë nuk ka qenë në Budva dhe si një trashëgimtar gjenetik i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e që është vërtetuar shkencërisht, kurrë nuk do të takohej me kriminelë dhe armiq të kombit. E kaluara e Behgjet Pacollit është 100 për qind e pastër, në çdo aspekt, andaj protestoj publikisht për këto përfolje. Po të ishte kështu siç paraqitet se është mik me kriminelët serbë, Behgjet Pacolli kurrë nuk do ta fitonte besimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që e zgjodhën president dhe me të drejtë e eliminuan një njeri të vogël si puna e Adem Demaçit. Po të ishte Begja i tillë siç po mundohen ta diskreditojnë, kurrën e kurrës Hashim Thaçi nuk do ta bënte mik dhe pobratim. Prandaj, votues të nderuar, mos u besoni këtyre mashtrimeve të çastit apo të aksham pazarit 2-3 ditë para zgjedhjeve. Votoni sipas bindjes suaj. Në mesin e listave për deputetë ka njerëz të mirë, njerëz të ndershëm, njerëz të moralshëm, atdhetarë që u sakrifikuan dhe u burgosën për të drejtat tuaja dhe për këtë lirë, qoftë edhe jo të plotë. Bëjeni një ndarje nga ata që luftuan dhe i dhanë çdo gjë këtij populli dhe këtij vendi dhe se për këtë nuk kërkuan asgjë. Ata që luftuan dikur, përsëri do të bëjnë sakrificë, nëse e do nevoja. Në listat për deputetë ka edhe anëtarë të partive që e kundërshtuan luftën, por që me shembullin personal e kundërshtuan Serbinë dhe dolën në anën e popullit. Mos votoni për përfitues të luftës apo të paqes që po ua marrin bukën nga sofra dhe ardhmërinë e fëmijëve tuaj. Mos votoni për ata që, me gërshërë në duar duan ta “korrigjojnë” territorin e Kosovës. Mos votoni për bijtë dhe bijat e atyre që na arrestuan, na dënuan, na vranë, na tradhtuan e që këtë përsëri do ta bëjnë, tash në emër të demokracisë. Kur të votoni duhet ta keni parasysh se Kosova po hynë në probleme të mëdha që, pa dëshirën tonë, kërkon që, ndoshta, përsëri të sakrifikohemi e këtë kurrë nuk do ta bëjnë ata që e përqeshën dhe e përqeshin sakrificën që e bëmë për këtë copë lirie dhe pavarësie! Kur të votoni, mos i merrni për bazë “informatat” e këtyre 2-3 ditëve të fundit, por analizoni kohën para, gjatë dhe pas luftës. Në bazë të asaj edhe votoni. Duhet ta keni parasysh që Kosova, pa vullnetin e saj dhe në saje të lakmive të disa “liderëve”, pashmangshëm po hyn në probleme të mëdha. Votojeni për të sotmen, kujtojeni të kaluarën për ta ndërtuar një të ardhme!
Parashikimi i rezultateve: Të gjithë po thonë se është vështirë të parashikohen rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit. Më kujtohet se 2 apo 3 muaj para se të liroheshim nga llogoret e ish-Jugosllavisë, Baca Adem Demaçi na mblodhi të gjithëve për të dhënë një mendim për kohën që e kaluam në burg dhe të ardhmen. Shumica tregonin për plane për të ardhmen me një përcaktim të qartë se do ta vazhdojnë aktivitetin politik dhe kombëtar, pa marrë parasysh pasojat e mundshme. Fehmi Lladrovci ishte i prerë: “Dua që të dalë sa më shpejt nga burgu e t’ia kthej pushkën shkaut…”. Unë, si në hajgare i thashë: “Fehmi, ju drenicasit në çdo 50 vjet e bëni një vepër të madhe kombëtare dhe, pasi t’ju qesin në këngë, pushoni 50 vjetët e ardhshëm. Ende nuk janë bërë 50 vjet nga rënia heroike e Tahir dhe Nebih Mehës”. Mirëpo, Fehmi Lladrovci, bashkë me Xhevën, nuk i kishin vetëm fjalë, e kishin përnjëmend, si ushtarë të Adem Jasharit dhe Adem Demaçit. Kur më erdhi radha të deklarohem, pas më shumë se 5 vjet të kaluara në vetmi dhe izolim, thashë se do të jem shumë i lumtur nëse nga burgu dal gjysmënormal. Ashtu edhe ndodhi. Nga ajo kohë, në shumë shkrime kam deklaruar se jam i papërgjegjshëm para ligjit, para Zotit dhe para robit. Andaj po parashikoj edhe rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, pa u përballur me pasojat e mundshme. I kam dy mundësi për parashikim të rezultateve:
- Nëse në zgjedhje dalin afërsisht 35 për qind të votuesve apo rreth kësaj shifre fituese do të jetë PDK-ja. Pastaj vijnë LDK-ja, LV-ja, AAK-PSD dhe Nisma-AKR-PD. Këtyre të fundit po ua kaloj pragun për hatër të Hashim Thaçit dhe për shkak të veprës madhështore kombëtare të një shqiptari, e që nuk ka tjetër të tillë, Behgjet Pacolli.
- Nëse në zgjedhje dalin më shumë se 42 për qind të votuesve, fituese do të dalë LV-ja ose LDK-ja, kurse e treta PDK-ja. Pastaj vijnë AAK-PSD dhe kooperativa kombëtare e udhëhequr nga Behgjet Pacolli.
Arsyetim: Sa më i madh të jetë numri i votuesve, fitorja e LV-ja është më e mundshme sikur edhe e LDK-së. Sa më pak votues, PDK-ja fiton vendin e parë. Nëse keni parasysh faktin se qytetet e mëdha janë hambarë i vërtetë i votave, atëherë LV-ja ka shumë vota në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë, Pejë, Prizren dhe Gjakovë. Nëse kësaj i shtohet edhe numri i votuesve nga diaspora, e që duket të jetë më i madh se herën e kaluar dhe fakti që këta votojnë për LV-në, kësaj partie i shtohen gjasat për fitore. Situatë e paqartë e cila nuk do të qartësohet as pas 6 tetorit kur Kosova mund ta vazhdojë krizën institucionale, pa përjashtuar mundësinë edhe për zgjedhje të tjera nëse nuk bëhen lëshime gjatë ndërtimit të koalicioneve.
Po cilat janë koalicionet e mundshme: Për ta krijuar një komoditet në vendimmarrje duhen së paku 61 vota shqiptare e që, edhe nëse bëjnë koalicion LV dhe LDK, nuk do të kenë aq deputetë. Po të bënin koalicion parazgjedhor, do të kishim një situatë tjetër. Më së shumti po flitet për koalicionin LDK – LV, kurse të tjerët në opozitë. Nëse flasim për moral real dhe jo elektoral, LV-ja dhe LDK-ja nuk do të bënin koalicion as me PDK-në, as me AAK-PSD (sidomos) e as me Facollin. Bashkësia ndërkombëtare ka rezerva për LV-në për bisedime dhe nuk do ta lejonte mbetjen në opozitë të komplet krahut të luftës. Prandaj, e them se koalicionet paszgjedhore do t’i bëjnë ambasadorët e shteteve të huaja në Kosovë e jo Vjosa Osmani apo Albini, me vija të kuqe apo ngjyra të tjera. Në rastin më të keq, këto koalicione do t’i bënte Richard Grenell, i dërguar për negociata Serbi – Kosovë. Jam i sigurt se do të shkohet në një koalicion të gjerë sepse, në këtë mënyrë më lehtë do të shpërndahet përgjegjësia për pasojat e rezultateve të bisedimeve e që nuk do të jenë edhe aq të lehta. Nisma e Facollit do të bëjë koalicion me të gjithë, kurse AAK-PSD mendon se do të jetë përcaktuese për formim të qeverisë, prandaj i ka pozicionet e forta negociuese. PDK-në po e refuzojnë të gjithë, por se vështirë do të mbetet në opozitë. Lehtë mund të ndodhë që partia që i fiton zgjedhjet mos ta ketë kryeministrin nga radhët e veta për shkak të arkitekturës së koalicioneve. Prandaj, një këshillë për subjektet politike garuese: mos u shani dhe mos u fyeni sepse nuk do ta vendosni aspak për koalicione. Në fund të fundit, të gjitha partitë, në këto çaste kur do të merren vendime jo të lehta për Kosovën, duhet të bashkohen, ose nëse duhet të pranohet diçka që imponohet ose të kundërshtohet me të gjitha mjetet e mundshme. Një gjë duhet të bëhet e qartë: Nuk duhet të negociohet as edhe 1 milimetër i territorit të Kosovës. Çdokush që e bën këtë e ka të garantuar vendin në Alejen e të Mëdhenjve në Beograd apo, nëse është vetëm një person, do të jetë afër varrit të Esat Pashë Toptanit.