Fituesit dhe humbësit ekonomikë pas triumfit historik të Trumpit
Ndërsa Donald Trump rikthehet si presidenti i 47-të i SHBA-së, disa tregje reagojnë fuqishëm ndaj ndryshimit të politikave.
Republikani është bërë politikani i parë që shërbeu dy mandate jo të njëpasnjëshme që nga Grover Cleveland në fund të shekullit të XIX-të, me pasoja të gjera për ekonominë dhe tregjet globale.
Partia Republikane ka fituar kontrollin e Senatit të SHBA-së – Dhoma e Përfaqësuesve është ende në garë – duke i dhënë atij një mandat të fuqishëm për të avancuar agjendën politike, e cila përqendrohet në taksa të ulëta për korporatat dhe të pasurit, tarifa të larta mbi importet dhe ulje të shpenzimeve qeveritare.
Trump e quajti këtë një “mandat të fuqishëm dhe të paprecedentë” në fjalimin e parë gjatë ditës së mërkurë, shkruan euronews.
Por, shtohet pyetja se cilët janë pesë fituesit dhe humbësit ndërsa investitorët përshtaten me administratën e re të SHBA-së.
Pesë fitues në treg me rikthimin e Trumpit si presidenti i 47-të i SHBA-së
Aksionet e kompanive të vogla – Indeksi Russell 2000, i cili ndjek kompanitë e vogla në SHBA, u rrit mbi 6 për qind në tregtinë Evropës, duke arritur afër niveleve rekorde dhe shënuar rritjen më të madhe ditore në dy vitet e fundit.
Qëndrimi proteksionist i Trumpit pritet të ndihmojë prodhuesit vendas, pasi tarifat më të larta mbi importet rrisin kostot për konkurrentët e huaj, duke i dhënë kompanive të vogla amerikane një avantazh konkurrues, transmeton Telegrafi.
Asetet ruse – Tregjet po vënë bast për një lehtësim të mundshëm të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke shtyrë indeksin e Bursës së Moskës (MOEX) të rritet me 3.3 për qind, e cila gjë do t’i tejkalojë “kolegët evropianë”. Gjiganti rus i energjisë, Gazprom, pa një rritje prej 4 për qind, ndërsa Sberbank, një institucion financiar i madh rus, u rrit mbi 3 për qind.
Tesla – Aksionet e Tesla-s u rritën me 4 për qind në tregti para hapjes së bursës, pasi kompania duket e gatshme të përfitojë nga presioni i Trumpit për tarifa më të larta mbi automjetet elektrike kineze dhe evropiane.
CEO i Tesla-s, Elon Musk, një përkrahës i hapur i Trumpit, u përmend në fjalimin e fitorës së republikanit, duke forcuar pritshmëritë që Tesla mund të mbrohet nga konkurrenca ndërkombëtare nën një administratë më proteksioniste e SHBA-së.
Bitcoin – Mbështetja e Trumpit për rregullimin e tregjeve financiare, përfshirë kriptovalutat, çoi në rritjen e Bitcoin me gati 10 për qind gjatë natës, duke arritur një rekord të ri prej 80 mijë dollarësh (79 mijë euro). Në fund të muajit tetor, 78-vjeçari tha se synon që t’i jap fund “luftës së Kamalës ndaj kriptovalutave”, duke sinjalizuar një mjedis rregullator më të favorshëm për asetet digjitale gjatë administratës së tij.
Bankat Amerikane – Bankat kryesore amerikane, përfshirë Wells Fargo, Citigroup dhe Bank of America, u rritën rreth 8 për qind në tregtinë para hapjes së bursës.
Me politikat e Trumpit që priten të rrisin të ardhurat nga tregtimi dhe të zgjerojnë marzhet e interesit, bankat e Wall Street parashikojnë një perspektivë të fortë përfitimesh. JPMorgan dhe Morgan Stanley, secila panë gjithashtu rritje prej rreth 7 për qind.
Pesë humbësit me fitoren e Trumpit në zgjedhjet e SHBA-së
Aksionet e Energjisë së Gjelbër – Aksionet e energjisë së rinovueshme pësuan një rënie të ndjeshme pasi politikat e Trumpit pritet të reduktojnë subvencionet për iniciativat e gjelbra.
Aksionet e First Solar ranë me 12 për qind, ndërsa Enphase Energy dhe NextEra Energy pësuan ulje prej 10 për qind, gjegjësisht 8 për qind, duke reflektuar shqetësimet e tregut për uljen e mbështetjes federale.
Aksionet Kineze – Eksportuesit kinezë përballen me tarifa më të larta nga SHBA-ja për shkak të politikave tregtare proteksioniste të Trumpit, me një tarifë potenciale prej 60 për qind për mallrat e importuara nga Kina. Si rezultat, indeksi Hang Seng në Hong Kong ra me 2.6 për qind, dhe BYD, prodhuesi më i madh i automjeteve elektrike në Kinë, pa rënie të aksioneve me 3.6 për qind.
Euro – Ekonomistët presin që dollari të forcohet, pasi politikat e Trumpit mund të nxisin inflacionin, duke e shtyrë Rezervën Federale të ndjekë një politikë monetare më të ngushtë. Euro ra me 1.7 për qind të mërkurën, duke shënuar rënien më të madhe ditore që nga shitja e shkaktuar nga COVID-19 në muajin mars të vitit 2020, pasi investitorët u drejtuan te dollari për siguri.
Bonot Amerikane – Politikat fiskale të administratës Trump pritet të rrisin borxhin kombëtar të SHBA-së me 7.75 trilionë dollarë (7.1 trilionë euro) deri në vitin 2035, duke e çuar raportin e borxhit ndaj GJDP-së në 143 për qind, sipas Komitetit për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm.
Të mërkurën, normat e bonove 10-vjeçare u rritën me mbi 10 pikë bazë në gati 4.5 për qind, duke reflektuar nevojat e shtuara për huamarrje dhe presionin pasues në rënie mbi vlerën e aktiveve të Thesarit.
Prodhuesit Gjermanë të Veturave – Pritshmëritë për tarifa më të larta të SHBA-së mbi veturat e importuara rënduan mbi prodhuesit gjermanë të automjeteve.
Porsche, BMW, Mercedes dhe Volkswagen panë ulje të aksioneve përkatësisht me 6.5 për qind, 6.4 për qind, 5 për qind dhe 4.9 për qind, për shkak të frikës se politikat tregtare të 78-vjeçarit mund të përkeqësojnë më tej rentabilitetin në një treg tashmë sfidues për prodhuesit evropianë të automjeteve.
Ndryshe, Trump gjatë ditës së martë triumfoi në zgjedhjet presidenciale amerikane kundër demokrates, Kamala Harris. /Telegrafi