Fjala e poetit Lulzim Tafa, me rastin e pranimit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

09 shtator 2024 | 11:58

Poeti i njohur, Lulzim Tafa edhe zyrtarisht është bërë anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Me këtë rast, Tafa ka falënderuar Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për vlerësimin dhe organizimin e ceremonisë zyrtare ku i është ndarë ky titull. Tafa para të pranishmëve ka mbajtur një fjalë rasti.

Fjala e poetit Lulzim Tafa, me rastin e pranimit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë:

I nderuar z. kryetar, z. nënkryetar, z. sekretar dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave, Shkëlqesia Juaj, Ambasador i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Të nderuar miq, Zonja dhe Zotërinj.

Duke qenë poet me përgatitje profesionale të juristit, gjithmonë kam qenë i intriguar për ta gjetur përkufizimin më të saktë për poezinë. Kam lexuar shumë teoricienë të njohur të letërsisë, të artit në përgjithësi, estetë e filozofë të ndryshëm, dhe, në fund, përgjigja më e mirë që e kam gjetur deri më tani rrjedh pikërisht nga pyetja: “A thua do ta dimë ndonjëherë se çka është poezia?” Edhe  pse kjo pyetje vazhdon të qëndrojë prej kohësh, misionin që ka poezia, unë e kam kuptuar herët, qysh kur kam filluar të shkruaj, si fëmijë, si nxënës. Pra, atë mision që t’i bëj bashkë fjalët që kurrë më parë nuk kanë qenë pranë njëra-tjetrës dhe me to të thuhen bukur gjërat. Pra, jo domosdoshmërisht të thotë vetëm gjëra të bukura, por e rëndësishmja, atë që e thotë, ta thotë bukur. Pra, njësoj si kur flet për jetën, dashurinë e gëzimin, ashtu edhe kur flet për vdekjen, dhimbjen e trishtimin. Por, edhe misionin tjetër të letërsisë si një botë paralele, ta bëjë imagjinaren të duket si reale, e realen si imagjinare. Që imagjinarja të jetë më e bukur se realja ndodh shpesh, por vetëm në raste të rralla si ky rast, ndodh që realja të jetë më e bukur se imagjinarja.

Pse e them këtë? Sigurisht jo vetëm për të përçuar një emocion të ngrohtë që unë tani e ndiej, por sepse për ne kosovarët që e kemi jetuar kohën e robërisë e të represionit, vetëm në ëndrrat tona më të bukura kemi mundur të ëndërrojmë që një ditë, të papenguar nga askush, të mund të vijmë në Tiranë, ta shohim Tiranën, ta shohim Shqipërinë, e lëre më që një kosovar apo disa kosovarë (sepse kjo Akademi ka edhe kosovarë të tjerë, të cilët janë pjesë e këtij tempulli) të jenë pjesë e institucionit më të lartë të dijes, shkencës, artit e kulturës së kombit. Dhe, e them tani, pa frikën se mund të rrëshqas në patetizëm, pasi e them nga zemra, se për ne shqiptarët e Kosovës, Shqipëria ka qenë dhe mbetet dashuri e madhe.

Kryetar, z. nënkryetar, anëtarë të Akademisë, me mirënjohje dhe respekt, e pranoj këtë nderim.

Natyrisht, është privilegj i jashtëzakonshëm për mua të jem pjesë e këtij institucioni që përfaqëson arritjet më të larta të shkencës, artit dhe kulturës së kombit tonë. Ky nder më bën të reflektoj për përgjegjësinë që ka ky anëtarësim dhe përkushtimin që duhet të tregoj, për të kontribuar në mënyrë domethënëse për avancimet e gjithanshme. Do të angazhohem për të qenë në lartësinë e besimit që keni vendosur tek unë dhe për të punuar me pasion e përkushtim, në emër të asaj që kjo akademi përfaqëson. Ju falënderoj për këtë nder dhe për mundësinë që më jepni për të bashkëpunuar me ju. Me padurim po pres të ndaj idetë dhe përvojat e mia me ju dhe të kontribuoj për të ardhmen e shkencës, artit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, në përputhje me misionin që ka kjo akademi.

Ju faleminderit!

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fundi i sezonit të kaluar ishte dërrmues për Paul Pogban,…