Fjala e Smajl Latifit në ditëlindjen e 53-të të heroit të kombit, Bahri Fazliu

01 shtator 2024 | 11:44

Përshëndetje bashkëluftëtarë, shokë e familjarë të Bahri Fazliut, Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, me shokët e luftës të kësaj zone dhe me përkrahjen e Ramush Haradinajt, njeriut që i priu me guxim dhe udhëhoqi me dinjitet luftën tonë për liri në tërë Rrafshin e Dukagjinit, kanë bërë e po bëjnë punë të mira midis shumë punëve të tjera, si kjo e shënjimit të vendit ku ra në betejë Bahri Fazliu-Gëzimi, që po e përurojmë sot, në ditëlindjen e tij.
Përshëndetje vëllezër të dy heronjve, Fahriut e Bahriut, Fadil dhe Nebih, nipa të heronjve, shokë nga krahina shqiptare e Plavës dhe Gucisë, të prirë nga veprimtari atdhetar Tahir Gjonbalaj, ju që e kishit shokë e bashkëveprimtarë të ngushtë heroin Bahri Fazliu, ju që ishit bashkudhëtarë me Bahriun ato ditë maji të vitit 1998.
Përshëndetje për të gjithë pjesëmarrësit!
***
Heronjtë asnjëherë nuk vdesin, sepse rron vepra e tyre. Kjo pllakë do ta mbajë të pavdekshëm një kujtim, një histori, një luftëtar që nderoi armët e kësaj pjese të Shqipërisë, për ta bërë të plotë Shqipërinë. Nuk vdes Bahri Fazliu, ai do të jetojë ndër breza, do të jetojë sa malet tona.
Dua t’iu përgëzoj për këtë përkushtim, dua t’i pëshëndes të gjithë pjesëmarrësit, shokët e Bahriut nga anë e anës, bashkëluftëtarët, familjarët e Bahriut. Mirë se erdhët në Alpet Shqiptare, mirë se u bashkuam këtu në Bogiqe, në bjeshkët tona të larta, krenare e të nemura për armiqtë. Jemi bashkuar në këtë zonë ku trimat bënë histori duke luftuar me pushtuesit.
Sot, na bashkoi:
Njeriu që u edukua, u frymëzua dhe u përgatit atdhetarisht për t’i ngritur të tjerët në këmbë. Ai që pa pushim dhe me vetëdije të plotë veproi në rrethana të rënda të robërisë, për t’i dhënë drejtim rrugës së çlirimit. Ai që nuk u tund nga stuhitë, nuk u zbraps nga përndjekjet dhe kërcënimet, por guximshëm zgjodhi të veprojë fshehtë kundër atyre që s’kishin lënë e s’po linin të zezë pa u bërë shqiptarëve. Ai që po rritej dhe me vetëmohim iu kishte rrëkur idesë për liri e për këtë qëllim të lartë “pashë më pashë” do t’i bie ferrit. Ai që err e terr, pa pushim, po luftonte për Diellin. Ai që u rrit në një familje të thjeshtë, i biri i bacës Rrahman, që ishte minator e një burrë i ndershëm e fisnik, një atdhetar me zemër të madhe. Ai që u rrit në një mjedis duke dëgjuar rrëfimet nga historia e duke e ndier thikën e armiqve të futur thellë në trupin e shqiptarëve. Ai që u lidh me shokë të të vëllait, Fahriut, atdhetar e i organizuar në lëvizjen për çlirim, duke e flijuar jetën në betejën e pabarabartë në Bregun e Diellit, së bashku me Afrim Zhitinë. Ai që u edukua e u mbrujt me ide përparimtare, duke përvetësuar përmes leximit, shfletimit të veprave, hapi e zgjeroi horizontin e dijes për t’u admiruar, të cilat i ktheu në arsenal armësh për të armatosur të tjerët që do t’u kundëvihen pushtuesve. Na bashkoi djaloshi që shquhej për afërsi me të tjerët, për zgjuarsi e i përkushtuar me tërë qenien, njeriu i ngritur dhe i ditur, gjakftohtë, sqarues, i sjellshëm e i pakompromis në pikëpamje – e pamundur t’i ndaheshe, të bënte për vete, që në takimin e parë, falë përgatitjes në pikëpamje teorike, vullnetit dhe energjisë vepruese. I pajisur me dije dhe i armatosur me ide të qarta, debatues i zellshëm, argumentues dhe në shërbim të organizimit. Militant i lëvizjes që nuk u linte vend paqartësive brenda radhëve të organizuara. I paepur, i gatshëm për beteja, i mprehtë në mendje e i kristaltë në shkrime. Na bashkoi heroi Bahri Fazliu nga Llausha, sot, në ditëlindjen e tij, në vendin ku ra, në Bogiqe, në trekëndëshin kufitar Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi.
Bahri Fazliu u lind më 31 gusht 1971, e u përjetësua më 7 maj 1998, duke u dhënë jehonë këtyre bjeshkëve krisma e fortë e pushkës së tij. Bahriun teksa e kishim pranë fizikisht, dha shumë, veproi fuqishëm, ngriti në këmbë me mijëra, u bë fanar në jetën e tij dhe udhëheqës i denjë për liridashësit atdhetarë, që i bëri të ndërgjegjshëm për të rrokur armët kundër pushtuesit. Bahriu qe njeri i virtytshëm, parimor e i përzemërt, i pashoq në veprimtari, themelues e udhëheqës i LKÇK-së, bartës i denjë dhe shpërndarës i ideve, i atyre shkëndijave që ndriçonin rrugën e rrezeve të çlirimit, ndaj edhe e donim dhe i besonim, e çmonim shumë sepse ishte meritor. Ai i dha shpirt, jetë e fuqi Lëvizjes, ai na dha të gjithëve motiv e siguri për të vepruar.
Jetove shkurt, Bahri, por vepra jote u bë muranë që shembëllen dritë dhe porosi ndër breza. Me farën që hodhe ti, Bahri, u mboll liria. Me hapat që hodhe ti, erdhi liria në këtë truall. Me rënien tënde në këtë vend, jeton i gjallë midis nesh ideali i bashkimit të tokave ende të ndara me kufij.
Ty, Bahri, s’të ndalën vështirësitë për të përshkuar shtigjet e luftës, për të prishur mure që na ndanin, për të hequr gurët që na vrisnin, për të vrarë vdekjen nga eskadronet që mbillnin vdekje, për jetën që ne po e jetojmë, e që na ruajnë të freskëta kujtimet e paharruara të një epoke të ndritshme të lirisë, të cilës i dole në ballë, me mendje, me zemërluani e me gjoks, për ta përmbysur epokën e vjetër të robërisë, epokën e territ që ti e luftove me krejt çka pate.
Sa herë që përmendet emri yt, Bahri, na del përpara shoku i idealeve tona të përbashkëta, i punëve tona për sendërtimin e tyre, i përpjekjeve vetmohuese për kryengritjen e armatosur çlirimtare, shoku i netëve pa gjumë, që nuk kurseu asgjë, për ti jetësuar aspiratat popullit që kërkonte liri.
Emri yt, Bahri, është roje e këtyre bjeshkëve, të cilat i lave me gjak. Rënia jote i dha shtytje bashkimit tonë me UÇK-në, bashkimit të armëve për t’i dhënë grushtin armiqve të lirisë e të bashkimit kombëtar. Rënia jote ishte humbje e madhe, por e kthyem në kurajë, forcë e besim për të luftuar për liri deri në fitore, për të marr hak ndaj atyre që na vrisnin shokët tanë më të mirë, ndaj atyre që edhe po e shkilnin e edhe po e digjnin tokën tonë, ndaj atyre që ishin pushtuesit tanë, ndaj atyre që na kishin copëtuar tash e 100 vjet, ndaj atyre që donin të na zhbënin nga trojet tona, ndaj atyre që masakronin fëmijë, gra e pleq. Bahri, shokët e tu vazhduan luftën deri në fund.
Unë, shoku yt i idealit, i punës dhe i luftës, po vij nga Rahoveci e bashkë me mua po vijnë edhe shumë shokë nga vise të ndryshme, me shumë pasues të veprës që ti na le amanet. Erdhëm këtu në Bogiqe, jo për të të qarë, se nuk qahen trimat, por për të të thënë se luftën tënde e vazhduam, se emrin tënd e kemi ngulitur thellë në vetëdijën tonë, se vepra jote është yll që ndriçon rrugën tonë, se idetë dhe vlerat tua nuk mund të zbehen e as të tjetërsohen, se nga krismat e pushkës sate, dëgjojmë ende zërin tënd kumbues, të shokëve që nuk jetojnë më fizikisht, porse jetojnë me ne e ne jemi krenar tërë jetën që i takuam kësaj epoke, ku ti i dole në ballë, u sakrifikove që ta jetojmë epokën e lirisë.
Bahri, ti shok i dashur që kishe dëshirë të të quanim GËZIM, në të gjallë ishe pishtar i dritës së lirisë, e doje jetën edhe pse nuk e gëzove, sepse ti zgjodhe të bësh punën e të luftosh deri në frymën e fundit për të sjellë buzëqeshje e gëzime te fëmijët, liri për shqiptarët. Bahri, ti shoku ynë, i penës e i pushkës, që me aq ëndje i shkroje e i këndoje Kosovës, je bërë gurthemel i lirisë e i pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ti që e nise “Çlirimin” e e dëshmove që nuk ishin vetëm fjalë të shkruara në letër, por ishin ideale e aspirata në të cilat besonim e për të cilat luftonim e flijoheshim, ke qenë dhe do mbetesh dritë në rrugën drejt bashkimit kombëtar.
Pllaka përkujtimore që po e përurojmë sot, është porosi për brezat, një dëshmi se luftëtarët e mëdhenj edhe vdekjen e bëjnë në këmbë, trimërisht, ashtu siç e bëri Bahri Fazliu.
Ky portret dhe teksti i gravuar në këtë pllakë mermeri, flasin shumë, shprehin një kujtim, një dhimbje krenare, për një ‘gur’ që peshon rëndë dhe përcjell një amanet: mos u ndalni, por vazhdoni angazhimin për jetësimin e idealit të bashkimit.
Faleminderit hero Bahri Fazliu!

Respekt për Kryetarin Bashkim Ramosaj dhe për nënkryetarin Sami Cacajn, për gjithë angazhimin tuaj dhe për kujdesin që keni treguar ndaj emrit dhe veprës së heroit Bahri Fazliu! Respekt ndaj shokëve të Bahriut e ndaj familjes që u kujdesën për dizajnimin që të dalë sa më mirë ky projekt!
Urime për ditëlindjen, shoku ynë Bahri Fazliu-Gëzimi! Emri dhe vepra e juaj do të jetojë sa Alpet Shqiptare! Lavdi dhe nderime për jetë e mot!
—-
Smajl LATIFI
Bogiqe, 31 gusht 2024

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombet e Bashkuara në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore palestineze nisën…