FJALIMI HISTORIK I RAMIZ CERNICËS NË KUVENDIN E KOSOVËS NË PRIZREN

04 gusht 2023 | 08:10

Ismet Sylejmani

“… Sot jemi mbledhur ne të deleguarit e popullit të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit për të shprehur vullnetin dhe dëshirën e popullit (shqiptar) të kësaj Krahine!

Unë jam i deleguar i popullatës së rrethit të Gjilanit!

Këtu sot do të vendoset për fatin e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit!

Siç dëgjova nga referati i paraqitur pak më parë, Partia paska vendosur që Krahinën tonë t’ia bashkojë Serbisë pa e pyetur fare popullin e saj!

Unë shpreh mospajtimin tim me këtë synim!

Populli i Krahinës sonë është kundër bashkimit me Serbinë!

Ai është për bashkim me Shqipërinë!

Për ne Serbia është njerkë, kurse Shqipëria është Nënë!

Kush kujdeset më fort për evladin e vet – nëna apo njerka?

U muar vesh se nëna kujdeset me gjithë zemër e pa hile, kurse njerka gjithherë i bën hile e padrejtësi!

Pra, unë jam për t’iu bashkuar Kosova Shqipërisë, sepse me këtë po shpreh dëshirën e popullit!

Kjo dëshirë e popullit për bashkim me Shqipërinë është shprehur e shkruar edhe në Rezolutën e Konferencës së Bujanit!

Gjatë luftës në këtë drejtim e kuptim i kemi folur edhe popullit tonë!

Domethënë, fjalët i kemi pasur ndryshe, e sot na doli krejt e kundërta!

Nuk dua që brezat e rinj të më mallkojnë përjetë!

Prandaj po them,
me Serbinë – JO!,
me Shqipërinë – PO!

Kam shpresuar se ushtria partizane dhe pushteti i ri i vendosur do të jetë i drejtë!

Mirëpo, nuk na doli ashtu!

Partizanët të përzier me çetnikë dhe drejtuesit e këtij pushteti të quajtur popullor, brenda shtatë muajve treguan fytyrën e vet!

Ju na vratë, na pretë, na masakruat, na burgosët e na gjykuat vend e pa vend e pa pikë faji, sepse gjatë okupacionit, shqiptarët nuk janë sjellë keq ndaj serbëve dhe nuk u kanë bërë zullum!

Pra, unë nuk po shoh ndonjë dallim ndërmjet këtij pushteti popullor dhe atij jopopullor të paraluftës!

Të gjitha të këqijat na i keni bërë, vetëm se hala nuk keni filluar të na shpërngulni për në Turqi si Jugosllavia e krajlave”!

Rrëfimi i Ramiz Cernicës, të cilin e mori në shënim Kadri Halimi!

nga libri monografik “Për një atdhe të lirë e të bashkuar”, kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare Nazmi Hoxha, shkruar nga Agim Sylejmani, faqe 36-37!

Prishtinë, 4 Gusht 2023!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tirana, Shkupi dhe Dukagjini kanë mbyllur aventurën në UEFA Europa…