
Fjalimi i Ali Ahmetit në Çair
Vëllezër e motra,
të nderuar dhe shumë të dashur bashkëluftëtarë,
familje të dëshmorëve,
bashkëveprimtarë,
bashkëdrejtues në Bashkimin Demokratik për Integrim.
I nderuar Kryetar i Degës,
i nderuar Shef i shtabit politik për Shkupin e Vjetër,
të dashur kryetarë të këshillave vendor, Këshilla vendor,
të gjithë ju aktivi politik i BDI-së në Shkup.
I dashur Bujar,
Të një zëri ishim këtu të tërë të pranishmit, veç unë do shtoja se legjitimitetin, se të gjitha fitoret që i kemi bërë, sukseset e hapërimet që janë bërë për çerek shekulli i kemi larë me gjak e me lot.
Unë nuk kam dal për të shit trimëri, sepse kur është dashtë, ata që m’kanë provuar e dinë.
Unë nuk kam dal dhe të bëjë takime me popull, se ky është i fundit nga agjenda mbi një muaj që bëj takime vend më vend e qytet më qytet.
E kam lënë të fundit siç e thonë këta që merren me propagandë: Çershinë mbi tortë – Çairin, Shkupin e Vjetër.
Për të ndarë mesazhe, porosi nga do të shkojmë.
Nuk mendoj që rrugët tona që na presin përpara janë të shtruara me gjethe dafine.
Sigurisht që janë të vështira, por edhe më të vështirë e kanë bërë këta tanë, që faqja e zezë u qoftë dhe nuk mësuan sepse nuk kanë mësuar histori kombëtare se gjithmonë e keqja ka ardh nga tanët.
Kanë dëmtuar gjithandej, qe ne na duhet shumë kohë për riparim.
BDI nuk ka humbur, kanë humbur shqiptarët.
BDI nuk ka humbur, ka humbur procesi.
Dhe për këto procese, dhe për këto të arritura të shqiptarëve, na vjen keq, por BDI është si çeliku, sa ma shumë fërkohet, aq më shumë forcohet, dhe ky është një fakt që ne na ka bërë shumë herë më të fortë si çelik e beton, dhe kjo shihet nga çdo takim që bëjmë me njerëzit që janë të preokupuar, shqetësuar, për çështjen shqiptare.
Shkupi i Vjetër ka qenë në qendër të vëmendjes së BDI-së sepse i tërë laboratori anti-shqiptar këtu ka qenë i instaluar.
Nga këtu janë bërë provat, eksperimentet me shqiptarët dhe pastaj janë apliku në Kosovë.
Këtu u ndryshua Kushtetuta në 1989, u hoqen shqiptarët si element konstituiv i Republikës.
Këtu u bënë shkollat e përziera, këtu bëheshin eksperimente, dhe pastaj i aplikonte në Kosovë Millosheviçi dhe suprimin të autonomisë.
Shkolla e përziera gjithandej, që i detyruan shqiptarët, edhe pse ishin nën okuptim, në grykë të armëve të bëjnë shkolla dhe universitete paralele, si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni.
Ata që e quajtën Univërsitetin e Tetovës foshnje të vdekur, ai lindi me gjak për t’i dhënë porosi Nënë Terezën sepse shqipen e duam në Shkup, është Universiteti mu në kazermën e atij që sot përgjigjet për krimet, Mlladiç.
Universiteti i dytë shtetëror në gjuhën shqipe.
Nuk mund të rrinte në Krujë dhe Lezhë i qetë Gjergj Kastrioti – Skendërbeu pa u vendos aty ku e ka vendin, aty ku bëri rezistencën mu në qendër të Shkupit të Vjetër.
S’mund të harroheshte Hasan Prishtina që shkriu tërë pasurinë për shqiptarinë e për lirinë.
S’mund të harroheshte Isa Boletini që u fliua për shqiptari. Të gjithë këta kanë pas ushtri.
Ushtri më të mëdha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ajo Kombëtare, duke filluar nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Azem Bejta, Kalosh Dani, të gjithë e kanë dashur atë që e realizuam ne, Kosova shtet i pavarur dhe shqiptarët shtetformues në themelet e veta dembabadem, ku i kanë lënë të parët e vet.
I dashur Bujar,
Lë të mendohen mirë ata që mendojnë të rrezikojnë dhe të cenojnë Skendërbeun, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin.
Nuk është as lavdatë e as që dua t’i livdohem dikujt, por nuk na lënë heronjtë që ne të rrimë indiferentë sepse ata ngrihen nga varri dhe nuk na lënë të qetë.
Ne duam paqen, stabilitetin, sigurinë, ardhmërinë, Evropën, ne duam të jetojmë të lirë, pa rënë në qaftë kujt.
Fituan zgjedhjet me fushatë anti-shqiptare, gabim shumë i madh i VMRO-së.
Fituan zgjedhjet me fushatë gati një dekadë se u bë BDI-zimi i Maqedonisë.
Ne as e shqiptarizuam hisen e tyre, as nuk e BDI-zuam anën e tyre, ne bëmë punën tonë.
Ne bëmë misionin tonë, ne realizuam amanetin tonë që akoma nga lashtësitë e qiellit na vjen nga dëshmorët: Mos na harroni, se me gjak i kemi fituar të gjitha këto të arritura, me gjuhë, me flamur, me universitete, me administratë, me përfaqësim në polici e ushtri dhe nuk na i kanë dhënë dhuratë, prandaj larg duart nga zjarri, se ajo që është fituar me gjak nuk merret as me testamente, as me ndryshim të Kushtetutës sepse gjaku as lahet as thahet.
Prandaj, këto janë të drejta, njëherë të fituara, nga gjaku të garantuara.
Ne i kemi kërku që të respektohet legjitimiteti sepse jemi të organizuar mbi baza etnike.
Shqiptarët votojnë për parti shqiptare, maqedonasit për parti maqedonase.
Derisa e kemi këtë realitet në këtë vend, duhet respëktuar legjitimiteti i komunitetit të dytë më të madh nga mandatari.
Sepse ne nuk e kemi në duar të fitojmë mandat aktualisht, në të ardhmen po, dhe këtë nuk e fshehim, se mandati do t’u takojë shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.
Ne i kemi kërku të mos bëhet luftë në mes etnive, mos i acaroni dy popuj që kanë përgjegjësi për ardhmërinë e këtij shteti dhe përgjegjësia është mbi shpatullat e dy komuniteteve më të mëdha, atij shqiptar dhe maqedonas.
Prandaj politikanët maqedonas duhet të jenë të kujdesshëm se çfarë flasin, se e shoh se si po e helmojnë popullin e vet.
E shoh se çfarë thirrje bëjnë: Shqiptarët le të shkojnë në Shqipëri.
Le të kërkojnë gjuhën e tyre shqipe në Gjermani e në Zvicër le të bëjnë një kanton shqiptar dhe të kërkojnë ndryshimet andej.
Jo more!
Nuk është mirë.
Unë me dhimbje i dëgjoj të gjitha këto që i thonë televizionet e Maqedonisë.
Këtë që ua them juve unë, ua kam thënë të gjithë politikanëve maqedonas, bëni kujdes, mos i helmoni njerëzit.
Bindini njerëzit se shqiptarët janë shtetas të këtij shteti, autokton, nuk janë të ardhur, nuk janë të dyndur nga asnjë vend tjetër.
Dembabadem me diellin janë këtu.
Kjo është e keqe që vetë duhet ta luftojnë ata, se jo pa vështirësi ne kemi ardh deri këtu për t’i bind shqiptarët që Marrëveshja e Ohrit është kompromis.
Por është kompromis që nuk i kënaq të dyja palët.
Por është zgjidhje më e drejtë dhe më e mirë.
Unë u kam thënë të gjithë politikanëve maqedonas, po të doja ta ndaja këtë shtet, kam pas 12 mijë ushtarë, propozimi ka ardh nga pala maqedonase, por s’kam dashur t’u shkaktoj plagë e gjak e dhimbje, as komunitetit tim, as komunitetit tjetër.
Nuk kam gjykuar si një drejtues i 12 mijë ushtarëve aktivë, por kam gjykuar si një njeri që s’duhet ndarë vendi sepse çdo ndarje do ishte e dhimbshme, katastrofale për palët, edhe për ne edhe për ata.
Edhe unë kisha dashur ta bëjmë krejtë Shqipëri, por s’është. Prandaj hiqni dorë nga ajo, se nuk është e gjithë e juaja Maqedonia.
Është e shqiptarëve, e maqedonasve dhe e gjithë tjerëve që jetojnë në këto hapësira.
Përgjegjësitë i kemi të përbashkëta.
Ta shpiem vendin drejt Evropës, t’i heqim kufijtë mes shteteve të cilët kufij kanë shkaktuar dhimbje e tragjedi mbi popullin tonë.
Sot isha në përkujtim të një shokut tim, Qerim Kelmendit, i vrarë pas 5 vitesh, lavdi i qoftë.
Shof në kufi vargje të tëra të makinave.
Pse vargje të tëra, dhe jo vetëm sot.
Ai kufi duhet rënuar, duhet hequr, është e keqja e njerëzimit.
Ai kufi hiqet në momentin që vendi anëtarësohet në BE.
Të njëjtin e ke në Qafë Thanë.
Duhet rënuar.
Të lëvizin njerëzit lirë me familjet e tyre, te njerëzit e tyre. BE nuk ofron vetëm standard ekonomik.
Mirëqenie njerëzore.
Por edhe afërsi në lëvizje e në kontakt me njerëz dhe familje. Prandaj të gjithë duhet t’i bëjmë hyzmet dhe sa më parë vendin ta shpiem aty ku e ka vendin.
Të ndryshohet Kushtetuta.
E përmendi Bujari.
Me këta s’bëhet asgjë o Bujar!
Sepse sa më shumë që zgjat, nuk e kemi për vete ne, e kemi për bashkëqytetarët tanë maqedonas, sa humbëm me palën greke që e zgjatëm, e zgjedhim sot, e zgjedhim nesër.
Dhe ramë në fund të pusit me kërkesa.
Sa më shpejtë që mbyllet çështja me bullgarët aq më mirë është për të gjithë ne.
Dalin detyra të rëndësishme për ne si Lëvizje Kombëtare, Lëvizje Politike që për çerek shekulli nuk ka regjistru asnjë humbje, falë mbështetjes të pjesës dërmuese të shqiptarëve që kanë vlerësuar sakrificën, historinë dhe unë jam krenar që jam përfaqësuesi juaj 18 cikle zgjedhore, asnjë humbje!
Prandaj, ky çerek shekulli që na kanë mbështet shqiptarët, na obligon dhe detyron neve që të jemi të hapur, të jemi vigjilent, ashtu siç i kemi pregatitjet shkencore, bashkë me çdo shqiptar të vazhdojmë rrugën drejt avancimit edhe më tej të çështjes shqiptare, sepse kemi edhe shumë punë, sepse unë nuk i takoj kampit të njerëzve pesimistë e skeptikë.
Unë në jetë kurrë s’kam qenë skeptik dhe pesimist.
Gjithmonë kam qenë optimist dhe optimizmi nuk më ka lejuar e të bie në patoz.
Përmbysëm një Perandori që quhej Jugosllavi, pavarësisht se çka thonë këta që përpiqen të na denigrojnë.
Unë nuk jam sufler në ngjarjet kombëtare, por jam aktor, le ta marrin vesh të gjithë.
Nuk vi nga ekranet televizive me popullin tim, por popullit tim i kam hy me ushtri këtu.
Ta marrin vesh mirë të gjithë, nuk ka lojë me çështje kaq serioze e madhore të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë.
Po si kemi duart ndër gurrë ne.
Jemi dalëzotës vetë, me këto djem e vajza e cuca që kemi.
Po nuk mundesh t’i mboshtësh shqiptarët me tre unviërsitete, le ta harrojnë të kaluarën që ua kanë marrë shpirtin me helmeta.
3 universitete kanë, administratë, ushtri, polici.
Si mund t’ju shkojë mendja ta heqin gjuhën shqipe të larë më gjak, turp!
Përfaqësimin e drejtë!
Prandaj, këta tanë që janë andej t’i braktisin këto institucione, ne nuk shkojmë, nuk pranojmë, ne pranojmë vetëm zgjedhje të jashtëzakonshme në tetor bashkë me ato lokale!
Mos rrinë nëpër dritare tani.
Mos vijë dikush i BDI e të na hyjë brenda.
Jo mor jo.
Një çerek shekulli kemi drejtu.
Se kemi hallin për pushtet, e kemi për shtet.
Janë shtetformues shqiptarët dhe nuk heqin dorë nga shtetformësia.
Me flamur, universitete, administratë, me krejt elementet që i ka kombi.
Nuk heqim dorë!
Vetëm duhet t’i avancojmë.
Prandaj, Shefi i shtabit politik, ke detyra të rënda dhe të mëdha, dua fitore nga ty!
Asnjë dështim nuk e kam me shefat e ushtrisë, s’dua ta kem as me shefat politikë!
Ne jemi në të drejtë, jemi krenarë, jemi ballëlartë se kurrë pas shpine popullin se kemi godit.
Jam krenar që krejt vëmendjen e kemi orientu në aspekt kombëtar, të gjithë personalitetet në Shkup janë vendos.
Sepse këtu e ka pas shpirtin Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Kalosh Dani si komandant i zonës së perëndimit.
Prandaj këtu është vendos Skendërbeu që rinia e Shkupit me krenari thonë:
Takohemi te Sheshi Skendërbe, tubimi te Sheshi Skendërbe.
Dhe aspak nuk pendohem për të gjithë këtë investim kombëtar sepse Shkupi, din, din Shkupi ta nderojë veten, ta rikthejë të tërë situatën në favorin e vet shqiptar.
Prandaj, vëllezër e motra,
të dashur bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë,
kemi punë shumë për të bërë.
Si në skenën kombëtare, ashtu dhe atë ndërkombëtare.
Kemi qenë kontribues të paqes, të zgjidhjes së problemeve, kemi energji dhe potencial të vazhdojmë të kontribuojmë në forcim, në radhë të parë të sigurisë se bashkë të gjithë jemi një në mbrojtje të të gjitha të arriturave që i kemi bërë, jemi në mbrojtje të gjakut, sakrificave, jemi që ne të mos cenohet e rrezikohet e ardhmja e fëmijëve tanë.
Ngjarje e zhvillime të mëdha ka në tërë botën, prandaj nuk duam edhe një problem më shumë, as për vete as për aleatët.
Por po na shkoi thika në asht, dhe populli e ka një shprehje:
Ike, t’ike deri te plehu, por aty deri në gjoks këmbët e pëllëbët i vendosim.
Duhet të punojmë që të ketë mirëkuptim, të tërhiqen këta trimat modern që i shoh unë, trima me parfime dhe seriozisht t’i qasemi punëve.
Ta shpiem vendin në BE.
Të vendosim standarde, të rrisim standarde.
Si në ekonomi, infrastrukturë.
A thoshin Korridori i 8 Shqipëri e madhe.
Do ta ndalojmë, do ta ndalojmë.
Hajt le ta prekin!
Po ai korridor bëhet për ardhmëri, të lidhet dy brigje, adriatiku dhe deti i zi, dy kontitente Azia dhe Evropa. Shkupi bëhet kryeqendër jo vetëm e Evropës, por edhe e Azisë.
Merreni me mend sa tokmakë janë.
Dhe kur e panë, dolën, dhe atë ditën e promovonin si ditë historike sepse fillon punimet Korridori i 8.
Rrugën Bllacë – Shkup, Sheshin “Hasan Prishtina” vetëm se i vonojnë.
Asnjë projekt, qoftë infrastrukturor, qoftë për zgjidhje me shtetet fqinje, si ai me Bullgarinë.
Ne nuk kemi punuar pas shpine.
Bujar Osmani ka qenë ministër i jashtë.
Asnjë maqedon nuk ka mundur ta arrij Marrëveshjen kaq të tillë për maqedonasit.
Po të ishte ndonjë maqedonas ku me ditë sa lëshime do kishte bërë.
Bujari e ka mbrojt me dinjitet.
Dhe i kemi bërë për të gjithë.
Jo vetëm për vete.
Ne nuk jemi egoistë.
Dhe kurrë shqiptarët s’kanë qenë komb egoist.
Kujt në qafë si kemi mbet shqiptarët historikisht, vetëm na kanë rënë të gjithë në qafë.
Me tokat tona krejt janë pasuru.
Prandaj atë histori të lashtësisë ne e dimë, po nuk duam t’i kthehemi pas, dhe nuk duam vendit e popujve t’u shkaktojmë asnjë dëm, por s’duam edhe të na shkaktojmë.
Sepse janë zgjeru me tokat tona, janë pasuru me tokat tona dhe ne kemi gjet ngushëllimin, anëtarësimin në BE, përjetësisht t’ua heqim nga qafa këtë dhimbje shqiptarëve, të jenë të lirë të lëvizin nga Mitrovica deri në Gjirokastër.
Të nderuar vëllezër e motra,
Unë do doja të ju falënderoj shumë për praninë tuaj, për angazhimin tuaj, për përkrahjen tuaj, këto janë çështje që duhet t’u dalim zot bashkë.
Gjuha shqipe nuk është e BDI-së, flamuri nuk është i BDI-së, Universitetet nuk janë të BDI-së, institucionet nuk janë të BDI-së.
Institucionet janë tonat, të shqiptarëve.
Prandaj duhet t’i dalim zot të gjithë kësaj.
Më vjen keq që na kanë poshtëru këta që gjoja na përfaqësojnë, sepse kanë mundur mos të pranojnë.
Të bëhen digë me ne.
Do do ju thoshim bëhuni ministra, drejtora, do ju duartrokasim.
Por na sjellni në këtë derexhe.
Bëjnë hajgare të tjerët me ta se si rrijnë pas dere për grada.
Turp ju qoftë!
Prandaj vendin të gjithë e kanë në BDI.
Sepse ka njerëz që na kanë votuar edhe andej, për 20 vjet. Këtu e kanë vendin ata që na kanë votuar.
Sepse kanë votuar për Skendërbeun, universitetet.
Këtu e kanë vendin, sepse ne ua rrisim krenarinë kombëtare atyre, dinjitetin.
Kemi dhënë prova, jo fjalë e premtime.
Kështuqë, ne nuk jemi në përplasje.
E kanë provu pak!
Vendin këtu e kanë!
Seriozisht, vendin këtu e kanë.
Gjithë kjo begati e pasuri kombëtare, edhe ata kanë hise, se kanë votu, na kanë përkrah.
Për një moment janë habit.
Dhe thirrni.
Vëllezër e motra,
falemnderit shumë për vëmendjen, për kohën e juaj, mirëupafshim në suksese dhe veprimtari të reja.
Falemnderit.
Ali Ahmeti,
Shkup, 27.02.2025!