FJALIMI I ALI AHMETIT NË GOSTIVAR

13 dhjetor 2024 | 15:13

Dega e Bashkimit Demokratik këtu në Gostivar,
kryetarë të këshillave vendorë,
këshillitarë të këshillit komunal,
forumi i rinisë,
forumi i gruas,
bashkëluftëtarë,
familje të dëshmorëve.

Unë jam sot këtu në mbledhje në degës bashkë me kryetarin e degës dhe përfaqësues të organeve të larta drejtuese të Bashkimit Demokratik për Integrim, nënkryetarë, sekretar të përgjithshëm e organizativ, deputetë, anëtarë të kryesisë, me qëllim që të begatojmë edhe më shumë strategjinë dhe politikat se si duhet proceset t’i shpiejmë përpara dhe të jemi të realizushëm e të suksesshëm në këto procese.

Të nderuar vëllezër e motra,
Po përjetojmë situata goxha shqetësuese dhe këto shqetësime kanë filluar të shfaqen që nga fillimi i fushatave anti-shqiptare sepse është bërë tanimë praktikë nëse don me fitu zgjedhjet bëhu anti-shqiptar.
7 vite e gjysëm kanë vazhduar VMRO.
Deri sa ishim në koalicion me VMRO, LSDM ishte ajo përfaqësuesja më e madhe e maqedonasve ndërsa ne ishim “paterica”, ndërsa ne ishim çelësi i shtetit, po të iknim ne shteti binte.
Por ne vepruam me mend në kokë, ne na interesonte paqeja, stabiliteti, siguria, ekonomia, ardhmëria, marrëdhëniet e mira ndëretnike, të mos krijojmë tensione, nxitje, përplasje, sepse ne jemi të përgjegjshëm e ndërgjegjshëm, nuk jemi anarkistë.
Ne nuk na duhet të fitojmë zgjedhjet me politika anti-maqedonase, s’fitojmë gjë.
Ne mund të fitojmë mandate, por moralisht e kombtarisht asgjë nuk kemi fituar nëse ne i orientojmë platformat tona që lehtësisht, se këta shkollat e mia nuk i kanë për politika nacionaliste e për organizime të forta. Këta janë politikanë të salloneve, unë nuk jam politikan i salloneve.
Unë nuk jam politikan i salloneve, as i biskotave.
Por këto politika nuk na çojnë përpara.
Merrni me mend deri ku kanë shkuar gjërat.
Vendimi dje i Gjykatës Kushtetuese është që ky ligj do të shtyhet për tre muaj, në mars eventualisht në maj ku do të thirren ekspertë dhe kryetarë të partive politike.
Çka do të thotë kjo?
Të rinegociiohet Marrëveshja paqësore e Ohrit, e garantuar nga SHBA, BE, NATO dhe e larë me gjak nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare.
Po ku shkruhet kjo?
Ku merret ky guxim të rinegociiohet Marrëveshja paqësore e Ohrit.
Do të thotë aq larg është shkuar që kjo Marrëveshje të humbas dhe të futet në arkivol.
Unë nuk e besoj që ka shqiptar që e pranon një gjë të tillë, pavarësisht ku është i rreshtuar, a është në Frontin për Europë, a është te partitë që s’kanë legjitimitetin e shqiptarëve, por edhe ata janë shqiptarë edhe ata duhet të reflektojnë sepse ajo gjuhë nuk është vetëm e jona, është e çdo shqiptari, është edhe atyre shqiptarëve që do të lindin pas 1000 mijë vjetësh deri sa të jetë dielli e toka.
Nuk bëhet fjalë këtu se ne si Front apo BDI, ejani burra të dalim e të ngrisim autoritetin e kredibilitetin para shqiptarëve.
Ne kredibilitetin e besueshmërinë e kemi te shqiptarët.
Aty kemi dal të mbrojmë ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe në vendin tonë, në vendin e të parëve tonë.
Dhe nuk kemi dal as për pikë politike sepse informacionet tona ishin të sakta, ashtu siç i kishte të sakta Mickoski që thoshte se ne i përcjellim hap pas hapi se ku shkojnë ata, ku lëvizin ata.
A kujtoi ai se më frikësoi mua?
Mu m’kanë ndjek gjithë një Jugosllavi e s’jam frikësu.
Edhe ne e kemi përcjell hap pas hapi veprimet, lëvizjet si të institucioneve, qeverisë ashtu edhe të Gjykatës.

Vëllezër e motra,
Dita e djeshme ka qenë, 72 faqe është përgatit arkivoli për të vrarë gjuhën shqipe për ta çuar në varr.
Ato çadra e shpëtuan gjuhën shqipe.
Ato çadra e shpëtuan.
Përsa llomotisin ashtu, të gjithë policinë e Maqedonisë e kanë pru në Shkup.
Unë ju përgjigja.
Mu lëshua mbesa në krah, u lëshua vajza të ma heq nga krahu, i thash mos e merr, mu rrënqeth trupi, thash ne për këta fëmijë jemi djeg e vra me shekuj, për atë gjuhë jemi vra, ma le në krah.
T’u tregoj atyre se unë nuk kam ardh këtu për luftë.
Se t’jetë për luftë, lufta ka nishane tjera.
Unë kam ardh këtu për paqe, unë kam ardh këtu për këta fëmijë, për gjuhën e tyre, që këta mos rriten e mos i përjetojnë. Më mirë e din Gostivari se si vdisnin shqiptarët këtu për flamur duke ua marrë shpirtin me helmetat.
Se pak u dukeshte me plumb, por me helmeta shpirtin me ua marr.
Me marrëdhëniet ndëretnike nuk ka lojë, të merremi vesh.
Unë kam biseduar, siç bisedoj me ju.
Kam biseduar me të gjithë udhëheqësit kryesorë të VMRO dhe LSDM.
U kam thënë dëgjoni këtu.
Punoni me popullin e juaj që ky shtet është i përbashkët, punoni dhe bindini se Marrëveshja e Ohrit është Marrëveshje që ndërpreu luftën dhe t’i jap mundësi paqes, dialogimit e pajtimit.
Nuk kanë punuar fare.
Dhe këta ua kam thënë që të gjithëve, t’i lëmë anash politikat nacionaliste sepse nuk ndërtohet e ardhmja me ato politika, të shofim se si të ndërtojmë ardhmëri.
Për fat të keq, hapni çdo TV.
Mungesë e vullnetit për bashkëjetesë, kjo është fatkeqësi.
Ne ketë drejtim e kemi kry, tashmë 22 vite, se duhet të bashkëjetojmë, këtë qiell e kemi të përbashkët, ky diell na ngroh, të përpiqemi vendin tonë ta çojmë në BE, të përpiqemi ta anëtarësojmë në NATO.

Pse a lehtë e kem pas unë kur më ngriteshin në takime këtu e Zvicër, “Ali Ahmeti na ke fut në luftë me e bë Shqipërinë”, jam përpjek çdo shqiptari t’ia shpjegoj se nuk ishte zgjidhja më e mirë ajo.
Por zgjidhja më e mirë ishte Marrëveshja paqësore e Ohrit.
Se nuk nuk kishte zgjidhje që do i rregullonte të gjitha çështjet, se 260 mijë shqiptarë duhet të dëboheshin këndej dhe 60 mijë maqedonas andej.
Si me largu njerëzit nga varret e veta.
Dhe ka qenë vendimi më i rëndë.
Mbase edhe më i rëndi në të gjithë veprimtarinë time.
Ma lehtë e kisha përjetu të jem në dyluftim sesa të marrë atë vendim, a për Shqipëri apo Marrëveshje e Ohrit.
Por Shqipëri do ishim një copëz e vogë, dhe kurrë nuk pendohem.
Por ama politikanët maqedonas duhet të punojnë me popullin e vet sepse ne nuk mund të jemi peng pakufi që dikush të përdhosë e ofendojë shqiptarët.
E shohin flamurin shqiptar si kur është gjarpër me shtatë krena, sikur i han.
E shohin gjuhën shqipe si gjuhën e nepërkave, ne as ua kundërshtojmë, mohojmë, as i ofendojmë për gjuhë, kulturë e traditë, assesi.
Neve s’na kontestohet identiteti, por ne i kemi, u rrim në krah se ua kontestojnë identitetin, kishën, historinë, besimin dhe jemi në krah të tyre.
Prandaj mos fyhen, mos jenë aq ofendues, “kush do flamur shqiptar le të shkoj në Shqipëri”, “Kush do gjuhë shqipe e ligj… se ky shtet është i Maqedonisë”, jo s’është i Maqedonisë, le ta harrojnë!

Le t’i mbajnë mend fjalët e Branko Cërvenkovskit në 2002, në paraqitjen e tij para parlamentit ku doli dhe tha: Unë gjashtë vite kam qenë kryeministër, por jo edhe i shqiptarëve.
Le ta dini bashkëkombasit e mi se ky shtet më nuk është vetëm i joni, por edhe i shqiptarëve.
Hapne në vitin 2002 kur ai paraqiti fjalën e tij për ta votuar për kryeministër, kështu e ka thënë.
Këtë traditë, atë mesazh Branko sot duhet ta përsërisë, t’ju drejtohet bashkëqytetarëve të vet sepse ai nuk del në zgjedhje që të humb vota, e ka kry misionin e vet.
Por ama mision humanitar e njerëzor mbetet që ne popullin ta drejtojmë ka e mbara, t’i drejtojmë ka e ardhmja e jo t’i orientojmë për t’u ngatëruar.
Kollaj është për ne zjarr në shpi t’ate.
Marrëdhëniet ndëretnike duhet të forcohen, paqeja, stabiliteti duhet të forcohen, të anëtarësohemi në BE, të hiqen kufijtë në Ballkan, ashtu siç jemi në NATO, të jemi edhe në BE.
T’i përparojmë vlerat tona këtu, e jo me politika anti-shqiptare me fitu zgjedhje e me bë garë se kush është më anti-shqiptar.
Se po hymë në këtë garë nuk e di si na del fundi.

Vëllezër e motra,
Tani pa dashur se ka shumëçka të thuhet, mirpo unë dua t’ua lë fjalën juve me mendime, me ide, se si të dalim më mirë të organizuar, t’i thirrim këta shqiptarët tanë, mos na e rrezikojnë gjuhën, pse nuk e bënë atë ligjin e përfaqësimit të drejtë, ai është përfaqësimi etnik, sepse ligji e hudh poshtë ligjin, ai që s’bente për shembull për përfaqësimin etnik.
Dhe tash Talat Xhaferi në zgjedhjet e ardhshme, ne s’kemi të drejtë etninë ta shkruajmë, e kemi humb badenterin, sepse kështu shkojnë gjërat, ngadalë.
Në 1989 neve na kanë marrë, kanë abrogu Kushtetutën, kur shqiptarët kanë qenë element konstituiv, ajo kushtetuta e 1974 ka qenë e fuqishme, tjetër është që nuk është zbatu.
Të realizoheshte ajo në praktikë, sepse Maqedonia ishte shtet i shqiptarëve, maqedonasve, turqve dhe të tjerëve.
E abroguan, e hoqën, dhe e bën Maqedoninë shtet të maqedonasve.
Mbas që i hoqën këta, ndryshuan Kushtetutën, e bën shtet të maqedonasve, atëherë Millosheviçi organizoi suspendimin e autonomisë së Kosovës.
Maqedonia ka qenë laborator i anti-shqiptarizmit.
Sot më nuk është, të vogël janë këta për t’u bërë laborator, nuk kanë takat.
Por ajo histori le të jetë e së kaluarës, t’i apelojmë këta se vërtetë më dhimbsën, se janë shqiptarë, nëqoftëse nuk mbledhin mend, t’i thirrim elektoratin e tyre të na bashkohen në këtë rrugë të shenjtë, sepse është e shenjtë të mbrohet gjuha, gjakun, djersën.
Ne nuk jemi të interesuar të jemi pjesë e Qeverisë, rahat le të dalin.
Ne jemi të interesuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme bashkë me ato lokale në 2025, në javët e para të tetorit.

Falemnderit shumë.

Ali Ahmeti,
Gostivar, 12.12.2024!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi PDK-ja ka…