FJALIMI I ALI AHMETIT NË LIKOVË
Ali Ahmeti
Të dashura familje të dëshmorëve,
invalidë të luftës,
anëtarë të Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim,
Kryetar i Degës,
kryetarë të këshillave vendor,
ju më të përkushtuarit për 22 vite që krenarinë kombëtare e keni mbajt lartë dhe asnjëherë nuk jemi përkul dhe nuk jemi turpër.
Unë jam sot këtu, në këtë takim, mbledhje të Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Likovë.
Kemi ndryshuar kursin e organizimit.
Unë do doja t’i falënderoj të gjithë ata që e mbështetën idenë time që degët tanimë, jo të mbajnë mbledhje si të zgjedhur 20 apo 30 sa janë në degë, por të mbajnë me të gjithë përkrahësit mbledhje bashkë, bashkë t’i trajtojmë çështjet dhe ky standard fillon në komunën time e tuajën, Likovën, që do vendoset standard në të gjithë Bashkimin Demokratik për Integrim, që degët më s’ka të bëjnë takime e mbledhje kokë më kokë, por bashkë me popullin.
Unë jam sot këtu me një pjesë të udhëheqjes së Bashkimit Demokratik për Integrim, sekretarë, nënkryetarë, deputetë të zonës, në këtë mbledhje që besoj për së mbari do shkojë në të gjithë Republikën ky aktivitet dhe këto punime që do t’i zhvillojë Dega sot.
Të nderuar vëllezër e motra,
Ne kemi vendosur vijat e kuqe për bashkëqeverisje në këtë vend.
Vijat e kuqe tonat kanë qenë: Marrëveshja paqësore e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja për fqinjësi të mirë, sepse kështu kemi vlerësu se u kontribuojmë qytetarëve dhe të ardhmes së vendit. Mirëpo të tjerët nuk kanë bërë projekte se si vendin ta çojmë përpara, se si t’u japim drejtim çështjeve që kërkojnë zgjidhje e guxim, por kanë bërë projekte të tjera.
Ulën kokë më kokë Zoran Zaevi, Kristijan Mickoski dhe bëjnë strategji se e keqja e këtij vendi është Bashkimi Demokratik për Integrim dhe se Bashkimi Demokratik për Integrim duhet varrosur, sepse shqiptarët po na e marrin shtetin.
Thirrin oligarkë në krye më Angjushevin, ish-zëvendëskryeministër në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, si intelektualë dhe profesorë në universitetet e huaja që të propagandojnë dhe agjitojnë politikën anti-shqiptare se shqiptarët ua morën shtetin me Marrëveshjen paqësore të Ohrit, kanë ndërtuar universitete, simbolet kombëtare, gjuhën e tyre, në ekonomi po dominojnë dhe tani kanë bërë strategji të marrin edhe drejtimin e energjetikës në shtetin e tyre, jo tonin.
Të gjitha këto informacione i kisha të verifikuara një për një, se çfarë planesh po bëjnë ata.
Perdërisa e keqja e këtij vendi është Bashkimi Demokratik dhe ai duhet varrosur, po para se të varroset Bashkimi Demokratik duhet vrarë politikisht Ali Ahmeti
Për të gjitha këto ligjerata e takime, mbledhje, politikanë e oligarkë, të dhënat i kisha shumë të sakta dhe kam thirrë ministrin e punëve të brendshme, Oliver Spasovskin, dhe ia kam shpjeguar në tërësi.
Me kujdes më ka dëgjuar dhe më thotë: Këtë punë dhe këtë aktivitet e bën vetëm një njeri i çmendur por jo edhe Zoran Zaevi.
I thash zotëri: Nuk flet me një njeri që flet prej çajtore, shihëm njëherë me kë flet, pa e vërtetuar në burime të sakta, unë nuk të thirri këtu në seli të Bashkimit Demokratik për Integrim se unë nuk jam as mashtrues, nuk jam as shpifës.
A mund të flas me Zoran Zaevin?
I thash po fol.
Prej te une, te Zoran Zaevi.
Zoran Zaevi ka thënë ç’është ky muhabetin, ç’janë këto shpifje, s’jam unë. Më thirri Oliveri e tha, ashtu si të thash ky njeri thotë që unë nuk qëndroj pas këtyre punëve, ç’janë këto shpifje.
I thash po a?
Po!.
Mirë.
Kam thirr Zoran Zaevin, ka 5 vite që më fton në Strumicë, ditën e mërkurë e m’pret të t’vi të oxhaku aty, tha po.
Kam thirr Oliverin i thash të vish dëshmitar me mu dhe e kam marr Artan Grubin.
Pasi më tha po (Oliveri), pas 15 minutash më thirr e thotë po me m’thënë ai kush t’ka thirr ty këtu, çfarë bëj unë, m’shkoj mendja se kisha pasur një rast të tillë, i them pritëm edhe pak.
Kam thirr Zoranin, me kë m’pret, me Filipçen.
I thash thirre edhe Oliver Spasovskin, është gjeneratë e vjetër, edhe ai dua të jetë të drekojmë bashkë.
Pasi u mendu 5-6 sekonda, tha mirë dakord.
E ka thirr në Strumicë.
Dhe kështu si flas me ju, kam fol me Zoran Zaevin, Oliverin edhe Artani ka qenë në tavolinë.
Jeni ul, keni bë strategji, BDI në varr, politikisht të vritet Ali Ahmeti.
10 vjet keni bë koalicion me VMRO-në, e keni nda pushtetin, 1 votë kush fiton ma shumë – Kryeministrin, i dyti kryetarin e Kuvendit, dikasteret do të ndahen: 5 LSDM, 5 VMRO, 5 shqiptarët e ndershëm.
Për herë të parë mu rrënqeth trupi se Millosheviçi e shpiku këtë, shqiptarët e ndershëm dhe shqiptarët e pandershëm.
Kur e kam dëgju për herë të parë, më doli përpara surrati i Millosheviçit se unë isha shqiptar i pandershëm bashkë me të gjithë Lëvizjen studentore të asaj kohe, me gjithë ata patriotë, me gjithë ata të burgosur politik që stërpikën të gjithë qelitë e Jugosllavisë.
Unë isha ai shqiptari i pandershëm dhe kërkonin shqiptarët e ndershëm që të ishin përfaqësues të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Pasi më dëgjoi deri në fund, e mori fjalën. Tha nuk jam takuar tri herë me Kristijan Mickoskin por jam takuar dy herë.
Atëherë mbeti pa tekst Oliver Spasovski, se i kishte thënë ç’janë këto punë, ç’janë këto shpifje.
I tha në emër të kujt je taku ti, s’je kryetar?
I tha: S’je kryetar.
I tha: Për çështjen e shtetit, të zgjedhim problemin me Bullgarinë, bile për këtë punë tha kam fol me Edi Ramën dhe Ambasadoren e Amerikës, edhe ata e dinë.
Katër orë kemi bisedu.
Definitivisht u morëm vesh që ai t’i lejë ato punë të pista.
Por nuk i kishte lënë, kishte vazhdu.
Zejdin e kishte thirr pas një jave, dhe tani e mora vesh unë që kishte vazhdu veprimtarinë.
Thirrëm Edi Ramën, Edi Rama tha ai ka lind gabim në Maqedoni, të kishte lind në Amerikë do të ishte artist i Hollivudit, s’kam bisedu unë me atë për këto tema. As Amerika s’kishte bisedu.
Doli parulla “Sërish Maqedoninë ta kthejmë”.
Ishte parullë e VMRO-së.
U hapën tema, Bashkimi Demokratik për Integrim e keqja e vendit, të kriminalizum, të korruptum, gjithçka e keqe.
Nëse ju kujtohet, kur ishim në partneritet me VMRO-në, LSDM-ja na quante patericë e VMRO-së.
Këta tjerët na quanin “BDIzim i Maqedonisë”, do të thotë se u BDIzu krejt Maqedonia, u bë BDI.
I kanë marrë krejt institucionet, nuk është më Kovaçevski kryeminister, është Artan Grubi, shefi i Qeverisë rrin në Reçicë të Vogël.
Dolën me slloganin “Sërish Maqedonia e jona”.
Dolën n’fushatë, hapet çështja e Tribunalit. Çështja e Triubunalit është mbyll tash e 22 vjet.
I tejkaluam dhe i gëlltitëm të gjitha këto me qëllimin më të mirë që vendi të mos ketë sharrje e përçarje.
U shkel me dy këmbë legjitimiteti.
Shtrohet pyetja pse shqiptarët të dalin në zgjedhje pas një vjeti, apo tre vjetësh apo dy vjetësh, kur do të organizohen.
Kur dikush tjetër i ndan shqiptarët në mirë dhe në të këqij, shqiptarë të ndershëm dhe të pandershëm.
Kështuqë, këto shqetësime ne i kemi pas duke pa se si po organizoheshte e tërë fushata, megjithatë ne kishim dhënë prova se nuk jemi të lidhur për pushtet, por jemi të lidhur për mision dhe misioni jonë ishte anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe nëse ju kujtohet kur e kushtëzoi Kovaçevskin – Kristijan Mickoski që unë po vi në qeveri por të largohet Bashkimi Demokratik për Integrim, pa dalë nga mbledhja, nga konferenca e shtypit flakë për flakë i është përgjigj zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani – Kristijan Mickoskit: Ne po bëjmë dorëheqje kolektive në momentin që ju votoni ndryshimin e Kushtetutës.
Mbeti pa tekst.
Sepse ne prioritetet i kemi vënë, prioritet numër 1: Anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian, shifni çfarë ndodhi, Shqipëria po ik, ne po mbesim në vendnumëro.
Kjo që ndodhi nuk është mirë as për maqedonasit e mos flasim më për shqiptarët sepse këtu më fillon një hidhërim i shqiptarëve.
Se s’mund të rrijmë peng ne të ca proçeseve që kanë zgjidhje dhe me futjen e bullgarëve në Kushtetutë asgje nuk humbin maqedonët.
Përkundrazi, do dihet kush janë bullgarë e kush janë maqedonas, por vendi hapëron përpara.
Dëgjoj lloj lloj klithmash, se me e fut minoritetin bullga që u regjistruan 3 mijë dhe 150 mijë që kanë pasaporta bullgare do bëhet Shqipëria e Madhe dhe Bullgaria e Madhe, gjë që nuk qëndron sepse as Shqipëria nuk është e interesuar për të cënuar as integritetin, as sovranitetin e as nuk ka pretendime territoriale ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Çështja tjetër, përderisa ti je marr se Bashkimi Demokratk i kriminalizum, i korruptum.
Pikë të dytë, katër vjet ka në Parlament propozimi jonë për Veting, që pret, nuk e mbështet as LSDM-ja as VMRO-ja.
Hajde bëjmë punë.
Vetingun me ndërmjetësim ndërkombëtar, me ekspertë ndërkombëtarë, Brukselit dhe Uashingtonit.
T’i hymë me radhë, politikanë, gjyqtarë, polici, drejtues, kryetarë komunash.
Veting i mirëfilltë.
Sepse, pabesueshmërinë e kanë organet e drejtësisë.
Hajde ta bëjmë këtë.
Pika e tretë, urdhëroni të hapim hetim për të gjitha partitë politike.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka vendim të organeve drejtuese: Të hapet hetim për të gjitha partitë politike. Përderisa ju pretendoni, Bashkimi Demokratik Integrim i korruptum, i kriminalizum, të hapim hetim, bashkë le t’i bëhet një Veting i ndërmjetësuar nga Brukseli dhe Uashingtoni.
Hajdeni të hapim hetim për prejardhjen e pasurisë të të gjithë politikanëve.
Të hapim hetim për privatizimin, si u bë privatizimi, pse u përjashtuan shqiptarët nga privatizimi.
Dhe këtu mbase mund t’i bëhet edhe keq Boris Stojmenovit, ish-ministrit të financave dhe kryetarit të Bordit të privatizimit.
Por ai vet ka ardh vullnetarisht të unë dhe është rëfy para meje, i ka mbi 90 vjet, dhe është ul, a e din pse kam ardh te ti?
I thash jo.
Kam ardh të rëfehem, dhe ti duhet ta dish të vërtetën.
I thash urdhëro.
Tha: Unë kam qenë ministër i financave, kam qenë kryetar i Bordit të privatizimit.
Në çdo mbledhje të ministrisë së financave, pika e parë e rendit të ditës ishte si t’i përjashtojmë shqiptarët nga pjesëmarrja në privatizim.
Pika e parë në Bordin e privatizimit ishte si t’i përjashtojmë shqiptarët nga privatizimi, nga pjesëmarrja në privatizim.
Pika e parë në qeveri që unë e propozoja ishte si t’i përjashtojmë shqiptarët nga privatizimi, prandaj kam ardh te ti zotëri Ahmeti sepse fajtor për atë luftë që u bë jam edhe unë.
Dhe këtyre oligarkëve që s’mbajnë përgjegjësi as për paqe, as për stabilitet, as për siguri, fare nuk u shkon ndërmend se lehtësisht mund të rrëshqasim dhe të na përsëritet e kaluara.
E kaluara është e dhimbshme, dhe këtë që ua them juve ua kam thënë edhe të tërë atyre prej te Zoran Zaevi deri të Kristijani. Dhe u thash, shkoni sa është gjallë Boris Stojmenovi, mos ndodh si në 2001 –dhjetor që dhash deklaratë që unë kam pas ofertë nga Qeveria e Maqedonisë për ndarje dhe nuk e kam pranuar.
Doli Stojan Andovi e tha s’është e vërtetë. A Stojan Andovi doli në parlament dhe tha: Po, mund të shtrohet në rend të ditës ndarja e Maqedonisë.
Ju thash shkoni, se Lupço Georgievski pas 22 vitesh ua thot të vërtëtën, prandaj uluni dhe dëgjojeni Boris Stojmenovin.
Vëllezër e motra,
Jemi të interesuar me përkushtim, kemi investuar energji për proçese, kemi investuar mund me degë, me votues, janë 18 cikle zgjedhore, të rojnë shqiptarët e Maqedonisë, 18 cikle zgjedhore të fituara i kemi.
Nuk varroset Bashkimi Demokratik se don dikush.
Bashkimin Demokratik për Integrim e varros nëse shkel mbi idealet e atyre që derdhën gjakun.
Dhe të tjerët, le të mbajnë mbledhje e le të këndojnë qyfire sa të duan, se nuk varroset Bashkimi Demokratik për Integrim.
Ne kemi qenë transparent, na kanë përgju, na përgjojnë, mu fare nuk më bën përshtypje.
Unë si flas në televizor, flas edhe me popullin.
Si flas në telefon, flas edhe me anëtarësinë.
Ne standarde të dyfishta nuk kemi.
Ky është shtet edhe i joni.
Të rrezikosh gjuhën, Marrëveshjen paqësore të Ohrit, është kthim pas.
Të heqësh etninë që quhet Balancer, s’është kurgjë balanceri, etnia është, s’ka të regjistrohesh shqiptar, do të thotë të bjen një pasues i tërë i Marrëveshjes së Ohrit.
Unë i kam vënë në alarm komunitetin ndërkombëtar, nënshkruesit dhe garantuesit e Marrëveshjes paqësore të Ohrit për këtë që ndodh.
U hiqet e drejta diasporës për votim, i kanë zbrit mandatet e këshilltarëve nëpër komuna në bazë të popullatës rezidente. Po ata nuk kanë ikur, ata janë pjesë, popullata, mërgata jonë, ata vijnë në zgjedhje.
Si ua mohon ti atë të drejtë?
Ata paguajnë tatimin.
Ndaj një apel bëjuni të gjithë të afërmve që keni, ta ngrisim zërin.
Do të thotë, këto janë simptoma jo të mira, këto janë simptoma të një apart’heidi, të heqësh njerëzit nga e drejta e votimit. Dikush mund të thotë jo ata s’hiqen por popullata rezidente, por ti ata po i heq.
Ti ke inciativë tani tani mbas dy javësh për të abrogu ligjin e gjuhës shqipe, ti hoqe etninë, cënove Marrëveshjen qe garantoi paqen e ndali luftën, e avancoi vendin, u anëtarësua në NATO, ishim në proces të mbarë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, model për zgjidhjen e problemeve tjera nëpër vendet tjera – Marrëveshja paqësore e Ohrit.
Bashkimi Demokratik për Integrim do bëjë destabilizim! Kush e bën destabilizimin?
Ai që prek gjuhën shqipe, kush ishte gjeneratori i krizës?
Ishte Kushtetuta e Republikës që e ndryshuan, i hoqën shqiptarët nga të qënurit popull konstituiv në Maqedoni. Kushtetutën e ndryshuan në 1989, i hoqën shqiptarët si popull konstituiv dhe aprovuan Kushtetutën e re 91-92 ku shqiptarët ishin qiraxhinj në shtepi të vet.
Këto janë të drejta që duhet t’i mbrojmë të gjithë kolektivisht.
Sinjalet nuk janë të mira, besoj që me vëmendje të dëgjojnë, mos kthehemi pas, tanët kanë gabu shumë, për një supë dhe një sallatë nuk shkohet të hysh aty dhe mos bësh asgjë se hija e zezë mbetet për familjet e tyre, për ata, dhe bëjnë mirë të tërhiqen.
Ne publikisht e kemi thënë, gomë rezervë nuk jemi, hiqet dikush e ne të shkojmë të vendosemi gomë rezervë, asesi.
Ne nuk bëhemi pjesë e kësaj qeverie pa u ul, pa bisedu me agjendë konkrete çfarë do bëjmë për një mandat.
Ku do ta çojmë vendin, ku do jetë vendi tash e një vjet.
Ju do thoni tash, votën ua kemi dhënë, grahni punës.
Jo, bashkë do jemi, bashkë kemi qenë 22 vjet, bashkë në luftë, bashkë në paqe, bashkë do e çajmë edhe këtë të keqe që na e kanë bërë me poshtërimin, me përbuzjen e vullnetit dhe të legjitimitetit të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.
Dhe kjo që ka ndodh tani s’duhet përsëritur më, le të jetë një mësim për palën se ky vend ec përpara vetëm duke qenë afër dhe në komunikim dy komunitetet më të mëdha, shqiptarë dhe maqedonas, kanë përgjegjësi për të ardhmen, kanë përgjegjësi për paqen, stabilitetin, sigurinë, por pa marrëdhënie të mira ndëretnike vështirë është të realizohen qëllimet fisnike.
Nuk është mirë, është bë Korridori i 8-të gogol, pa shifni njëherë.
Mos mendojnë këta, përnjëmend janë të ri si politikanë, se ne jemi të verbër.
Me të gjitha shtetet ka lidhje hekurudhore e autostrada Maqedonia, veç me Shqipërinë s’ka edhe me Bullgarinë.
Po Korridori i 8-të nuk është Korridor i Bashkimit Demokratik për Integrim, është Korridor i paqes, është Korridor i stabilitetit, është Korridor i NATO-s.
Të gjithë shohin si ta pengojnë, si ta bojkotojnë, si ta sabotojnë.
Këto ëndrra nuk do i shohin.
Pas nesh janë të gjitha forcat demokratike dhe përparimtare, si në rajon, ne Evropë dhe në Amerikë, dhe ne suksesshëm do të dalim në këtë luftë, në këtë betejë.
Falemnderit shumë!
Likovë, 23. 10. 2024!