FJALIMI I ALI AHMETIT NË STUDENIÇAN

08 shkurt 2025 | 11:29

Të nderuar të pranishëm,
i nderuar Kryetar i Degës,
kryesi e degës,
kryetarë të këshillave vendor,
këshilltarë komunal,
deputetë,
funksionarë.

Ka dy kategori shtetesh, shtete etnike dhe shtete multietnike që ndërtohen prej dy e më shumë komuniteteve.
Neve na ka rastis këtu që të jemi dy komunitete më të mëdha.
Me një dallim jo edhe aq të madh mes komunitetit shqiptar dhe atij maqedonas.
Sigurisht që dallimi mes komunitetit të parë që e quan veten si zot i këtij vendi dhe të tjerët janë përkohësisht që jetojnë në këto hapësira, apo kanë ardh nga diku dhe ja që na ka rastis fati që të jetojmë bashkë, sepse kështu na trajtojnë sipas enciklopedisë anti-shqiptarë që u botua para ca viteve.
Por dallimi dhe diferenca është shumë e vogël, gati 10% është.
Sepse 46% janë jo-maqedonas dhe 54% janë maqedonas.
Në Zvicër jetohet dhe qeveriset nga 4 komunitete.
Edhe pse komuniteti gjerman është më i madhi, rreth 60%, 40% të tjerët janë francezët, italianët dhe retoromanët.
Belgjika përbëhet prej dy komuniteteve.
Këto janë shtete që funksionojnë në Evropë.
Dhe funksionojnë si është më së miri.
Në Zvicër po t’ua prekësh zviceranëve Zvicrën të gjen belaja.
Kështuqë vendi ynë, ky vend i vogël përbëhet prej dy komuniteteve më të mëdha që kanë përgjegjësi mbi fatet e këtij vendi, dhe fatet e këtij vendi varet se si ndërtohen raportet shqiptaro-maqedonase.
Këto raporte i ka rregulluar Marrëveshja paqësore ndërkombëtare, që quhet Marrëveshja e Ohrit, e garanatuar dhe nënshkruar nga Amerika, Evropa dhe NATO.
Sa ma në marrëdhenie të mira të jenë shqiptarët me maqedonasit, aq më afër zhvillimit dhe përparimit të vendit dhe integrimit sa ma të shpejtë në BE.
Ne kemi nevojë për më shumë paqe, stabilitet, siguri, përparim ekonomik, përparim në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, e jo të kthehemi pas ashtu siç na kanë kthyer, për fat të keq.
Ka zëra që e krahasojnë të sotmen me para vitit 2001, dhe këto krahasime, dhe kjo situatë nuk është shumë e lumtur për asnjërën palë.
Ne nuk duam të kthehemi pas, ne duam të ecim përpara.
Por ne punën e partive politike maqedonase nuk mund ta bëjmë te komuniteti maqedonas.
Punën e vetë ata duhet ta bëjnë vetë dhe duhet t’i bindin që ky shtet nuk është vetëm i maqedonasve por është edhe i shqiptarëve edhe i komuniteteve të vogla që jetojnë këtu si turqit, boshnjakët, romët, vllehët, serbët.
Por përgjegjësinë e kanë dy komunitetet më të mëdha, po e përsëris.
Këto marrëdhënie që po ndërtohen aktualisht nuk janë të mira, nuk shohim ndonjë dritë në fund të tunel.
Me këto kuadro që na përfaqësojnë dhe me këtë tendencë nacionale deri në shoveniste, nuk shoh dritë.
I kanë sakatu përfaqësimin e drejtë në ushtri, polici, në dikastere të ndryshmme, si shëndetësi e arsim.
Këta tanët që janë aty, sa ma parë që e braktisin atë barakë aq ma mirë është për ta dhe për familjet e tyre, por i nderojnë edhe votuesit që i votojnë. Çështjet në të cilat ne përballemi, nuk është problem vetëm i BDI-së.
Ky problem është problem shqiptar.
Dalëzotës duhet të jenë të gjithë shqiptarët sepse këto janë çështje të mëdha.
Nuk janë çështje individësh e grupacionesh.
Nëqoftëse preket ligji i gjuhës, nëqoftëse preket ligji i gjuhës edhe herojtë ndër varre do të ngjallen.
Nëqoftëse vazhdon poshtërimi i shqiptarëve, shqiptarët nuk do të rrinë indiferent.
Unë jam duke mbajtur me dhjetëra tubime.
Ky nuk e di se i sati është.
Nuk e durojnë shqiptarët poshtërimin, e aq më tepër që krenarinë u shtoi Ushtria Çlirimtare Kombëtare, me të gjitha vlerat që i instaloi në këto hapësira, pa e dëmtuar komunitetin tjetër, por kemi nxjerr hisen tonë që na takon sepse jemi autokton, nuk jemi në toka të huaja ashtu si na përshkruanin anti-shqiptarët më të mëdhenj.
Prandaj tanët duhet ta shohin praninë në të gjitha takimet që kemi me popull.
Prania është më shumë sesa në zgjedhjet e kaluara.
Sepse njerëzit janë të shqetësuar, shqiptarët janë të shqetësuar me përdhosjen që u bëhet, me poshtërimin, nga kush?
Maqedonasit janë popull i vogël, nëqoftëse duan të mbijetojnë duhet të mbijetojnë me ne.
Pa ne nuk mund të mbijetojnë!
Dhe këtë duhet ta kuptojnë sa më parë.
Ne pas shpine nuk ju punojmë.
Ne thikë pas shpine popullit tonë nuk i japim.
Kemi punuar sa kemi mundur.
A ka mund ma shumë, sigurisht!
Por ama këta që na shkuan pa legjitimitet, na kanë çu në fund të pusit, turp është.
Prandaj bëjnë mirë të tërhiqen.
Nuk thotë kot proverba: Të ishte lehtë me majt shpi, Dema jem i kishte mbajt tri.
Ka fitu BDI-ja 13 cikle zgjedhore, po BDI ka kuadro, ka investu kombi në kuadro.
Vendosi ku të duash, në kancelari ndërkombëtare, nga përtej Atlantikut e në Evropë, të qesin faqebardhë.
Këta ngjajë si zhaba kur ka pa kalin duke u mbathur, edhe ajo ka kërku të mbathet, por ka zënë n’thu menjëherë.
Të nderuar të pranishëm,
Ne në vazhdimësi punojmë që gjërat të shkojnë mirë.
Por për të shkuar mirë duhet vullnet i dyanshëm.
VMRO fitoj zgjedhjet me politikë anti-shqiptare.
VMRO fitoj zgjedhjet duke ju bë thirrje maqedonasve për “De-duizimin” e Maqedonisë ta bëjnë, dhe t’ua kthejnë maqedonasve Maqedoninë se e kishin humbur.
Nuk është mirë, nuk e nderon kombin kështu.
Kombin e nderon, e madhëron duke respektuar edhe kombet tjera edhe bashkëqytetarët që jeton bashkë me ata.
I kanë zbraz klinikat.
Sot ishta me një grup specialistësh, saqë më thanë nuk na shkohet në punë.
Na kanë zhvesh komplet.
Na i marrin zyret.
Specialisht të njohur, që bëjnë ndërhyrje nga më të vështirat.
Kanë shku ua kanë ndrru bravat e dyerve.
Ua kanë marrë zyret.
Shifi çfarë poshtërimi ju bëhet kuadrove shqiptare.
Nuk është mirë.
Nuk e bëj këtë për të ngjall urrejtje e revoltë te ju të pranishëm.
E bëj dhe e tregoj këtë.
Nuk duhet të veprojmë si ata.
Ata keq vepruan deri në 2001.
A e dini çka i gjet në 2001 ata trima, në podrum hynë.
Ne duhet t’i respektojmë, gjuhën, kulturën, zakonet e tyre, kuadrot e tyre.
Për këtë e them këtu parpara jush.
Bashkë duhet të anëtarësohemi në BE, bashkë duhet t’i zgjedhim problemet si me Bullgarinë, Greqinë, Serbinë.
Pse të vijnë ndërkombëtarët e të ndërmjetësojnë këtu, kur mund të merremi vesh, 2 milion popull jemi këtu.
Por, por i hyp nqafë njëri tjetrit.
Ne duam të drejtën tonë, ne hijen kërkujt s’ja kemi zënë, e as diellin s’ja kemi zënë.
Jemi në tokën tonë, në hakun tonë.
Duam të na lënë rahat me të gjitha të drejtat që i kemi fitu me gjak, nuk na i kanë dhënë dhuratë.
Se të ishte për të dhuratë, kurrë e përjetë s’do kishim as flamur, as universitete, as gjuhë, as policë, as ushtarakë, asgjë.
Se ishin mësu që shqiptarët t’ua lajnë kanalet dhe oxhaqet.
Sot nuk ka ashtu.
Të nderuar vëllezër e motra,
Kam patur një shqetësim për një ndërhyrje të kryeministrit të Kosovës rreth gjuhës shqipe këtu në Maqedoni të Veriut.
Ndërhyrja e tij ishte e pabazë.
Ishte edhe poshtëruese saqë më vinte me plas kur dëgjoja anti-shqiptarët më të mëdhenj maqedonas duke thënë ja kryeministri i Kosovës thotë se gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoni.
Gjuha shqipe është zyrtare dhe këtë e dokumenton Marrëveshja e Ohrit që firmën ka hedh Amerika, Evropa dhe NATO.
Nuk bëri mirë kryeministri i Kosovës për këtë ndërhyrje dhe atë kënaqësi të madhe që ua krijoi anti-shqiptarëve këtu në RMV.
Me 9 shkurt në Kosovë ka zgjedhje.
Të gjithë qytetarët e Kosovës e kanë ditën më të veçantë dhe më të rëndësishme të jetës së tyre që me 9 shkurt të vendosin ata, me vullnetin e tyre, duke e vulosur atë vullnet me votën e tyre që Kosovën të mos e lënë në pako me Rusinë dhe Bjellorusinë të cilat shtete janë nën sanksione të Evropës dhe Amerikës, edhe Rusia edhe Bjellorusia.
Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë obligim moral e kombëtar të mos harrojnë ndihmën e pazëvendësueshme historike që përjetë duhet të jemi mirënjohës mbështetjes së Amerikës për çlirimin e Kosovës.
Pa vendimin e Amerikës, Kosova nuk do ishte çliru.
Pa ndihmën e NATO-s, Kosova nuk do ishte çliru.
Për fat të keq, çdo ndërkombëtar që kam takuar brenda këtyre dy vitesh, i pakënaqur me qëndrimet e politikave që ndërtoheshin nga institucionet e Kosovës.
Politika që e ndanin, politika që nuk bashkëpunonin me Amerikën, Evropën dhe NATO-n.
Dhe kjo pakënaqësi për fat të keq është shprehur me një revoltë, me një pezëm të madh nga shumë përfaqësues ndërkombëtar nga takimet që i kam patur brenda dy viteve.
Për të mos qenë unë hipokrit, unë këto pakënaqësi ua kam shpreh autoriteteve të Kosovës, sepse Kosova duhet të jetë në Aleancë e miqësi të përhershme me Amerikën, Evropën, NATO-n dhe të ndertojë institucionet dhe pavarësinë përfundimtare të Kosovës.
Por Kosova ndërkombëtarisht pa Amerikën dhe Evropën, pa përkrahjen e tyre nuk mund të jetë as anëtare e OKB-së e as institucioneve tjera ndërkombëtare.
Prandaj me 9 shkurt çdo qytetar i Kosovës e ka fatin e Kosovës në dorë, a do i shpie në Evropë dhe NATO apo do e lejë në pako me Rusi dhe Bjellorusi të sanksiounuar nga Evropa dhe Amerika.
Prandaj populli andej vendos vet, si do që të jetë unë kam obligim moral dhe kombëtar që këtë mesazh dhe porosi bashkëluftëtarët e mi në Kosovë ta dëgjojnë nga vetë unë.
Ka nevojë që të gjithë ata njerëz na kanë mbështet e strehuar që nga 1981, për Kosovë të pavarur, të dëgjojnë këtë qëndrim personalisht drejtpërdrejtë nga unë.
Dhe nesër askush mos më thotë nga bashkëluftëtarët dhe të gjithë ata patriotë që na kanë mbajt me bukë dhe pushkë në dorë, mos thonë që s’ta dëgjuam zëri se si ne të vendosim me 9 shkurt.

Ali Ahmeti,
Studeniçan, 07.02.2025!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për deputet Bekim Haxhi, ka thënë se…