FJALIMI I ALI AHMETIT NË TETOVE
Të dashur vëllezër e motra,
të dashur anëtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim,
Dega e BDI-së në Tetovë,
kryetarë të këshillave vendor,
Kryetar i Degës,
funksionarë të lartë të BDI-së,
këshilltarë në kuvendin komunal të Tetovës,
deputetë të BDI-së,
Të nderuar anëtarë.
Unë sot jam nën shoqërim të një ekipi, të udhëheqjes së BDI-së, kryesisë, këshillit të përgjithshëm, me qëllim për të bërë një analizë e paraqitje të zhvillimeve të fundit në vend dhe në rajon, se në ç’drejtim zhvillohen proceset, ç’drejtim dhe orientim duhet dhënë anëtarësisë sonë, votuesve tanë, elektoratit, që për 22 vite me radhë nuk ka pësuar asnjë humbje dhe na që na bën të gjithëve krenarë, se elektorati, votuesit e BDI-së janë nga votuesit më besnikë që nuk janë shëtitës nomad, për 22 vite mbi 90% kanë votuar BDI-në, dhe kjo na detyron dhe obligon që ne të ndajmë të gjitha hallet, të gjitha zhvillimet dhe detyrat që na presin në të ardhmen.
Të nderuar vëllezër e motra,
Siç kanë prejardhje, orgjinë e ADN njerëzit, ashtu edhe politikanët kanë prejardhje, origjinë e ADN.
Unë nuk jam politikan që vi me ADN nga sallonet.
Unë nuk jam politikan që vi nga banketet. Unë jam një njeri që në bashkërrugëtim kam qenë me të burgosurit politik që i kanë larë qelitë nga Gjevgjelia deri në Jesenicë.
Unë jam bashkëveprimtar i atyre që kanë lidh plagë në fronte e luftra.
Unë jam bashkëveprimtar i atyre që një jetë të tërë ia kanë kushtuar lirisë së popullit të vet, prandaj nuk kam dal për të nxit, nuk kam dal për të bërë karshillëk, por kam dal për të shpjeguar e sqaruar se lufta e propaganda 7 vjeçare e VMRO-së ka qenë jo e drejtë, edhe pse dilte me program kundër BDI-së, por në substancë programi i tyre ka qenë anti-shqiptar dhe kjo është e rrezikshme, kjo është e keqja më e madhe, dhe nuk mund të na hedhin pluhur syve se nuk ka qenë në brendi progam anti-shqiptar, dhe unë këtë ua kam thënë në sy, mos hapni varre e plagë të vjetra sepse asgjëkundi nuk na çojnë po t’i kthehemi së kaluarës.
Të kaluarën s’duhet ta harrojmë, se ata që e harrojnë të kaluarën s’dijnë të ndërtojnë të ardhme.
“Maqedonia sërish e jona”, fushatë e tërë, na iku Maqedonia. Ku do shkoj kjo e ngrata?
Na e morën shqiptarët. Shqipëria e Madhe. Korridori i 8-të.
Kriminalitet korridori i 8-të.
Korrupsion i hatshëm korridori i 8-të.
Po si kanë sy e faqe të dalin të korridori i 8-të dhe të thonë se është ditë historike.
Turp!
Ditë historike korridori i 8-të kur një vit ke thënë korrupsion, kriminalitet po bën BDI-ja.
Dhe del në një moment dhe thua është ditë historike se rifillon punimet korridori i 8-të.
Dje ishte korrupsion, kriminalitet, sot ditë historike.
Dhe ka fillu një fushatë e tillë, jo më tani, por tani ka dal në sipërfaqe, e orkestruar aq bukur me vite të tëra, se e keqja e këtij vendi qenka BDI dhe kjo duhet varrosur, e të vritet politikisht Ali Ahmeti.
Janë mbledh, kanë bërë analiza e diskutime, dhe janë çudit se ju kemi ra n’fije.
Dhe ju shkoj n’konak në Strumicë.
Ore hiqni dorë, se kaq takime i keni bërë.
Me politika arkaike shteti e stabiliteti nuk bëhen.
Shteti bëhet me politika të mençura dhe këtë e kemi në dorë ne, a do e çojmë shtetin përpara, a do e lëmë në vendnumëro apo do e kthejmë 23 vite më përpara.
Ne nuk duam shtetin ta kthejmë 23 vjet pas.
Ne shtetin duam ta çojmë në progres gjeometrik drejt Evropës, ashtu si jemi në NATO.
Ne duam marrëdhënie të mira ndëretnike me të gjithë, ne duam fqinjësi të mirë me të gjithë, zero probleme me të gjitha shtetet fqinje.
Historinë e kaluar le të na shërbejë si një moment që s’duhet të përsëritet.
Pëllëmb e varre janë tokat shqiptare, ngado që të gjurmosh do gjesh kocka, nga tragjeditë që u janë shkaktuar shqiptarëve 150 viteve të fundit.
Dhe kjo histori nuk duam të na përsëritet, por ama lakun në fyt nuk e durojmë sepse për flamur e gjuhë amëtare edhe heronjtë ngriten nga varret.
Kanë përgjegjësi të gjithë, siç kemi përgjegjësi edhe ne shqiptarët, të kultivojmë marrëdhënie të mira ndëretnike, të pranojmë njëri tjetrin, por ama të më fyesh gjuhën, flamurin, idenitetin, të më krahasosh mua me algjerianët e Francës se algjerianët nuk flasin gjuhën arabe në Francë por janë natyralizu.
Unë jam natyralizu këtu shekuj të tërë, mos shprehem emocionalisht, dembabadem edhe kur s’ka pas njeri, po shqiptari këtu ka qenë.
Ajo e kaluar le t’u shërbejë më shumë bashkëqytetarëve tanë maqedonas, sepse ne jemi shqiptarë dhe nuk kemi ardh as nga Algjeria e as nga Gjibuti, dhe nuk kontestojmë origjinën e askujt nga kanë ardh, nuk kontestojmë as gjuhë, as identietet, as simbole.
Ardhmëri ky shtet ka në harmoni e mirëkuptim mes dy komuniteteve më të mëdha, atij maqedonas dhe shqiptar.
Por pa unitet, mendimi e veprimi të këtyre dy komuniteteve, vështirë është ekzistenca dhe dikush mund të thotë mos ji shumë radikal, ore pa shqiptarë nuk ka Maqedoni, s’jam radikal.
Kanë përgjegjësi si intelektualë maqedonas të universiteteve e shkollave të mesme, përderisa 22 vite kemi punu ne për Marrëveshjen e Ohrit ta pranojnë si të tillë shqiptarët, ata 22 vite kanë punu kundër Marrëveshjes së Ohrit nëpër restorane e oda, se ua merrka Marrëveshja e Ohrit shtetin, se flamurin shqiptar se durojnë ata, mirë se duron.
Unë kënaqem që dasmat prej Gostivar e Tetove janë krejt kuq e zi autostrada.
Prandaj kanë detyrë intelektualët maqedonas.
Mos e ushqejnë me urrejtje popullin e vet, por le ta ushqejnë mirëkuptimin, afrimin, bashkëjetesën dhe çuarjen e proceseve përpara.
Po preket Marrëveshja e Ohrit, dy shtylla, po preket gjuha, vëllezër e motra lerini çka thonë, vendimi ka qenë më 11 dhjetor gjuha shqipe të hidhet në shportë, lerini çka thonë, 72 faqe janë përgatit.
Pse i sollën të gjithë policët e Maqedonisë në Shkup.
Dhe ka qenë protestë e kontrolluar, jo pjesëmarrje masive, sepse njerëzit si kontrollojnë emocionet e veta dhe një vendim.
Po ne nuk jemi analfabetë, se e kanë shty vendimin, të mblidhen ekspertë, kryetarë të partive, komisioni i Venecias, dhe ta shqyrtojnë ligjshmërinë e ligjit të gjuhës. Po ajo marrëveshje është larë me gjak, ata që e kanë nënshkruar, Pardju në emer të SHBA-ve, Leotar në emër të BE-së, që të dy janë të vdekur, Amerika është gjallë, BE-ja është gjallë, dhe duhet bashkë t’i dalim zot.
Gjuha shqipe është shtylla kryesore dhe përfaqësimi i drejtë i Marrëveshjes së Ohrit dhe simbolet kombëtare, si mund të tolerojmë ne shqiptarët që në koshin e plehrave të na hidhet gjuha ashtu siç e hodhën identeitetin tonë në 1989, e ndryshuan Kushtetutën dhe e bën Kushtetutën vetëm të maqedonasve, shteti i Maqedonisë vetëm i atyre, dhe pas këtyre ia hoqi autonominë Kosovës Millosheviçi.
Prandaj, thërras nga këtu dy aktorë që janë gjallë të MO-së, Branko Cërvenkovskin, Ljupço Georgievskin të dalin dhe ta mbrojnë MO-në, përndryshe të keqen kombit vet po ia rikthejnë pas.
Pa gjuhë e simbol kombëtar, UÇK-ja nuk pranonte marrëveshje.
Kjo dihet botërisht. Dhe nuk lufta nuk do ndërpriteshte, MO ndërpreu luftën, i hapi rrugë paqes, dialogimit. 22 vite kemi punu për atë marrëveshje, vështirë e vështirë, por janë lëviz gjërat nga vendi, pa hyrë tash të numër se çka është bërë për 22 vite. Prandaj i ftoj pjesëtarët që janë bë bashkë në VLEN, edhe ata janë shqiptarë, edhe ata janë shqiptarë, gjuha shqipe është edhe e tyre, flamuri shqiptar është edhe i tyre, sakrificat e këtij kombi për shekuj me radhë duhet t’i ndjejnë edhe ata, prandaj të solidarizohen në një front të përbashkët, të mos e ndryshojnë ligjin e gjuhës shqipe, ta rikthejnë përfaqësimin etnik, jo ashtu siç kanë vepruar, e heqim ligjin, do e bëjmë një tjetër e ta dërgojmë në komisionin e Venecias.
Ai është komision konsultativ i këshillit të Evropës, nuk është vendimtar.
Marrëveshja e Ohrit nuk çohet në komision të Venecias, vëllezër e motra të mia, MO është marrëveshje ndërkombëtare e dalur nga një luftë.
Dhe më thonë ji pak demokrat, lufta e UÇK-ja, po UÇK-ja e bëri MO-në.
Se frikësohen maqedonasit, po çka frikësohen, ky është realitet.
Tani s’mund të flas unë këtu që ne t’i harrojmë këto gjëra, ndodhi çka ndodhi, le ta prekin gjuhën se s’bëhet gjë, pa gjuhën mund të jetojmë.
Siç thoshte një plak, na dhimbeshin të rinjtë, si të vdes unë çka na duhet flamuri.
Mos nisemi nga ky egoizëm.
Nëse s’jemi na po ç’na duhet gjuha e flamuri??
Po ajo është pasuria e atyre që do lindin, për ata punojmë.
Vërtetë kam brengë, dhe më brengos pse tanë janë aq idiferencë.
Kanë hy me pa të drejtë.
Ne për legjitimitetin kemi fol e diskutu, por situatë më të rënduar sesa të të prekin në gjuhë e simbole nuk ka.
Prandaj t’i thirrim të gjithë, të gjithë jemi shqiptarë, ta kuptojnë edhe bashkëqytetarët tanë maqedonas, ne për pushtet nuk përplasemi me shqiptarët tanë, për gjuhë e flamur po na prekën, nuk është mirë.
Falemnderit shumë!
Ali Ahmeti
Tetovë, 19.12.2024!