Fjalori i dosjeve të një epoke të mbyllur

16 shkurt 2018 | 16:24

(Bashkim Shehu, “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”, “Toena”, Tiranë, 2015)

Mahir Morina

Romani “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve” i Bashkim Shehut, i botuar në vitin 2015 në Tiranë, trajton temën e dosjeve të shtetit shqiptar nën udhëheqjen e sistemit socialist që më pas bëhet sistem komunist.

I quajtur nga autori ‘roman labrint’, romani ndërtohet nga pjesë të shkëputshme nga njëra-tjera, por jo të shkëputshme nga ideja e tij që hapet dhe mbyllet për mbylljen dhe moshapjen e dosjeve.

Loja e autorit me letrat si teknikë e fjalorit, si simbol, bëhet simbolikë për fatin e fateve në kohën kur zhvillohen ngjarjet që rrëfehen. I pozicionuar si autor postmodern, Shehu e dëshmon pozicionimin duke ndërtuar një tekst narrativ, por ndryshe nga tradita, ngjashëm me format postmoderne.

“Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve” na thëllon në besimin se dosjet janë një mister, të paktën duke mos u hapur ende, ashtu vazhdojnë të mbesin për shoqërinë shqiptare.

Romani përcjellë informacione të shumta, shenja, simbole, ndarje, nëndarje, rikthime, labrinte të ndryshme. Fillon me këtë pjesë: “Arkivi. Më saktë, Arkivi sekret, ose Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Është vendi ku shërbimet sekrete mbajnë dosjet e tyre”. Ndërsa mbaron mbi dyshimet sa a mund t’u besohet rrëfimeve të Naun Gjikës (një i çmendur që e mendon veten të dërguar të zotit), aq mund t’u besohet dosjeve të shtetit shqiptar, duke e mbyll librin me një thënie të një libri të moçëm indian “kështu kanë bërë zotat, kështu bëjnë edhe njerëzit”.

Dilema është se hapja e dosjeve, a do ta shënonte krimin e ri të sistemit të vjetër?!

Enver Hoxha si lider është i pashmangshëm në këtë roman, por Shehu shkon më tutje duke kërkuar shkaqet e formimit të një lideri si Hoxha, Enver Hoxhën si ide e sheh si gjendje. Të gjitha zhvillimet brenda botës se personazheve, edhe pse me origjinë të ndryshme, fundet apo burimin e tyre e kanë të ngjashëm, duke qenë pjesë e lirë e sistemit, ata mohohen deri në vdekje për shprehjen e lirë.

Hoxha shihet si i emituar në shoqëri, gjatë jetës dhe pas vdekjes. Autori e dënon me epitet zhvlerësues idenë e kujtimit dhe përkujtimit të tij, me frikën se ky fenomen risjellë gjendje, mandej e bën më të pamundshme ndarjen morale dhe politike nga ai sistem i kohës.

Autori Shehu, përmes diskursit, fiksionin e romanit e thjeshtëson me realitet, sa përshtypjet e para krijojnë ndjesinë e rrëfimit dokumentar, përmes biografizimit deri te historia. Personazhet e këtij romani funksionojnë në një botë ku misteri e përbën kureshtjen e dosjeve.

Personazhi Anahanëm Bagirova, specialiste e artit dhe arkitekturës mesjetare, pasqyron lidhjen e Shqipërisë komuniste me Bashkimin Sovjetik si dhe prishjen e këtij raporti. Personazh tjetër është Festim Diamanti, ish-oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ishte nga njerëzit më të besuar të ministrit, e që fshehtazi shpresonte ta zinte vendin e Naun Gjikës. Por, duke i acaruar marrëdhëniet me të, zhduket. Po kudo i shfaqej Naun Gjika. Pra, të ishe pjesë e sistemit do të thoshte të mos kishe mundësi të liroheshe më nga ai, qoftë fizikisht ose shpirtërisht.

Mariana Kastrati e ka rolin e gazetares. Vritet për shkak të shkrimit të lirë.

Juri Kvasnjikov, paraqitet me një natyrë me komplekse si fëmija sekret i Anahëm Bajgores, kur raporti Bashkim Sovjetik – Shqipëri u prish. Romeo G. dhe dashuria e tij Xhulieta e përjetojnë fatin e shteteve, atë të ndarjes, saqë sistemi shtetëror i kontrolluar nga shërbimet informative, kontrollonte edhe fatet e çifteve shqiptaro-rusë që në atë kohë nuk ishin dhe të paktë.

Fjalori i Shehut e trillon deshifrimin e dosjeve si një udhëzues që flet mbi misterin e tyre, i cili vazhdon të mbetet problematik, pos politike, edhe morale e popullit dhe shtetit shqiptar. Por, Shehu dosjet i sheh më shumë si trillim real, ku fletët janë të zbrazëta dhe nuk thonë gjë për dikë. Kjo bindje mund ta neutralizojë debatin, por nuk e mbyll.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, cili ka marrë…