“Fjalori i marrëdhënieve…”, një + i madh për shkencën shqiptare
SABRI KIÇMARI
Këto ditë shtëpia botuese me renome “Logos-A” auditorit shkencor dhe më gjerë ia paraqiti një vepër kapitale, me titull Fjalori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë të autorëve Ahmet Emin Dağ dhe Ali Pajaziti. Fjalorët janë një lloj i veçantë i krijimtarisë dhe kanë rëndësi të madhe për fushën e shkencës në përgjithësi. Në ta paraqiten njohuritë në një fushë të caktuar shkencore në mënyrë të përmbledhur dhe alfabetike, u shërbejnë studiuesve dhe të interesuarve për të marrë shpejt informacione themelore për një temë, ngjarje, teori, autor, fenomen ose nocion.
Fjalori i këtyre dy penave ka karakter shkencor dhe përmbledh një numër të gjerë prej rreth 15 000 nocionesh, temash, ngjarjesh dhe teorish të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë. Me gjuhë me nivel, strukturë të lakmueshme dhe shpjegime koncize, ky fjalor është shumë i rëndësishëm për ata që merren me studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë si dhe për ata që interesohen ose punojnë në institucione të përfaqësimit diplomatik.
Autorët kanë zgjedhur një metodë të dyanshme të paraqitjes së nocioneve, dukurive dhe ngjarjeve në fjalorin e tyre. Në raste të caktuara ata kufizohen vetëm me përkthimin e nocionit, ndërsa në raste të tjera japin shpjegime me hollësi për ngjarjen, fenomenin ose nocionin diplomatik apo të marrëdhënieve ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë këto shpjegime më të gjera vërehen në temat që ndërlidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian ose ngjarjet që kanë të bëjnë me zhvillimet politike dhe shoqërore në Lindjen e Mesme.
Nocioni kryesor i librit është diplomacia. Përcaktimet mbi këtë nocion janë të shumta dhe të ndryshme. Autorët e kanë përmbledhur përkufizimin për diplomacinë si “art i përfitimit në favor të shtetit vetjak gjatë zhvillimit të marrëdhënieve dhe takimeve ndërkombëtare”. Sipas tyre, “diplomacia është vegël e politikës së jashtme për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare përmes metodave paqësore e jo përmes atyre ushtarake”. Për të shpjeguar këtë fenomen ata kufizohen në numërimin e dy detyrave kryesore të diplomacisë: negocimin dhe përfaqësimin.
Teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare po ashtu zënë një vend të rëndësishëm. Liberalizmi në këtë vepër me peshë përcaktohet si “paradigmë e marrëdhënieve ndërkombëtare që mbron idenë se vlerat etike globale do t’i bëjnë marrëdhëniet ndërkombëtare më të rregullta, më të drejta dhe më bashkëpunuese. Sipas këtij botëkuptimi, anarkia dhe luftërat ndërkombëtare mund të pengohen vetëm në sajë të reformave institucionale, që do ta përforconin të drejtën (dhe organizatat) ndërkombëtare”.
Kurse realizmin e shpjegojnë si një “qasje teorike që thotë se në marrëdhëniet ndërkombëtare aktori kryesor është shteti dhe se këto marrëdhënie janë identitet i përplasjes së forcave. Sipas realizmit, sistemi ndërkombëtar është anarkik. Për shtetet, me rëndësi është që në kuadër të kësaj anarkie të ruhet siguria kombëtare. Për këtë arsye shtetet para se gjithash duhet të jenë të forta në aspektin ushtarak”. Në të dyja këto përkufizime autorët kanë përmbledhur në mënyrë mjaft precize disa prej karakteristikave themelore të dy drejtimeve të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Fjalori është i pasur edhe për nga të dhënat historiografike në lidhje me zhvillime të veçanta ndërkombëtare. Në të shpjegohen dy luftërat botërore, luftërat e shumta në Lindjen e Mesme, konflikti arabo-izraelit etj.
Edhe ngjarjet dhe fenomenet që kanë të bëjnë me Kosovën zënë një vend të rëndësishëm në Fjalor. Në të jepen shpjegime për EULEX-in, KFOR-in, Grupin e Miqve të Kosovës, çështjen e Kosovës, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, planin paqësor për Kosovën, operacionin e forcave aleate me rastin e ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë etj.
Në fakt, ky është fjalori i dytë që Ali Pajaziti, pas një pune katërvjeçare – përkthim, plotësim, zëra të rinj – ia ofron lexuesit shqiptar. Ndërsa Fjalorin e sociologjisë ai na e solli si vepër vetjake para disa vitesh, për të plotësuar një nevojë imediate të studiuesve dhe studentëve të sociologjisë dhe shkencave të tjera sociale, Fjalorin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të diplomacisë ai na e sjell në bashkëpunim me shkencëtarin turk Ahmet Emin Dağ. Kontributi i autorit shqiptar është i veçantë në kontekstualizimin e këtij produkti, në latimin e terminologjisë për auditorin shqiptar, në frymimin shqip të tij.
Ajo që e bën të veçantë Fjalorin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të diplomacisë është trigjuhësia e tij (anglisht-frëngjisht-shqip), përkatësisht shumëgjuhësia e tij. Shumica absolute e nocioneve janë përkthime nga anglishtja dhe frëngjishtja në shqip, kurse jo pak nocione janë përkthime nga latinishtja, por edhe gjermanishtja dhe gjuhë të tjera.
Dağ dhe Pajaziti ua sollën lexuesve dhe bibliotekave tona një libër të rëndësishëm dhe me këtë mbuluan edhe një hapësirë të ndjeshme për zhvillimin më tutje të dijes shkencore ndër shqiptarë në përgjithësi dhe të lëmit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë në veçanti.