Fjolla Rraci, vajza që gjithë jetën e saj e kaloi duke i ndihmuar personat me nevoja të veçanta
Fjolla Rracin e njohin shumë njerëz, e më së shumti personat me nevoja të veçanta, të cilëve ajo ua ka kushtuar gjithë jetën e saj.
Që nga fëmijëria, e pa u ndalur e lodhur asnjëherë, ajo vazhdon të jetë shoqe dhe mësuese për këta persona, veçse ndihma e saj tashmë i ka kaluar kufijtë shtetërorë e kombëtarë.
Në një intervistë për “Gazetën SCANNER”, Fjolla tregoi arsyet e lidhjes së saj të fortë me personat me Sindrom Down, personat më të veçantë në jetën e saj dhe formën se si ajo e ndihmoi atë kategori, duke u shndërruar kështu në një model se si njerëzit t’i pranojnë personat e gjërat e ndryshme me të cilat përballen, pa i paragjykuar e diskriminuar.
“M ‘quajtën Fjolla se qëlloj dimër kur linda por t’ftohtin e asaj stine se kam ndjerë asnjëherë ne jetën time, se kam pas gjithë ngrohtësinë e njerëzve qe me kanë rrethuar. Bash 9 muaj pas lindjes time, erdhi në jetë Meritoni, djali i axhës. Kush e dinte atë kohë që do ishte ardhja e tij në jetë ajo që do t’ma ndryshonte jetën mua.
Meritoni bashkë me gëzimin që solli në familjen tonë, ai solli me lindjen e tij edhe diçka që do ta “shoqëronte” atë gjithë jetën, sindromën Down. Kështu, unë rritesha, ai rritej, e dashnia jone rritej. Ka qenë Meritoni personi i parë me sindromën Down që ka ardhur në jetën time, ka qenë mësuesi im i jetës prej asaj kohe e sa të kem jetë. Prej tij unë mësova si t’i dua shokët e tij e si të sillesha me ta, si të trajtoja çdo njeri njëjtë pa u bazuar në diagnozat e tyre”, ka deklaruar ajo.