FKG-jaK nënshkruan marrëveshje me Raiffeisen Leasing Kosovë
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) ka nënshkruar marrëveshjen e garancisë me Raiffeisen Leasing në Kosovë (RLKO).
Marrëveshja do të i mundësojë institucionit përkatës të përfitojë më shumë siguri kolaterali për lizingjet e lëshuara për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-të) të regjistruara në Kosovë, duke ofruar kështu qasje më të lehtë në financa për kompanitë kosovare.
Marrëveshja synon të zgjerojë lizingdhënien për bizneset kosovare, të kontribuojë në krijimin e vendeve të punës, rritjen ekonomike, si dhe në rritjen e mundësive për sektorë ekonomikë e kategori që janë shërbyer më pak, si gratë, pakicat, bujqit, ndërmarrësit dhe rinia.
RLKO është Institucioni Financiar jo Bankar (IFJB) i parë i cili ka nënshkruar marrëveshjen e garancisë me FKGK-në. Ne besojmë se marrëveshja me RLKO-në do të rritë kontributin e këtij institucioni drejt zhvillimit të portofolit të garancisë dhe arritjes së qëllimeve të marrëveshjes.
Shuma totale e kredive të miratuara nga Bankat të cilat janë vënë nën mbulimin e garancisë ka arritur tashmë rreth 62 milionë euro të shpërndara në 1,600 kredi.
/Epoka e re/