FKGK-ja fillon me zbatimin e marrëveshjes lidhur me programin COSME
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) ka filluar zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më 16 maj 2019 me Fondin Evropian për Investime (EIF) lidhur me Programin COSME të Bashkimit Evropian për mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM).
“Mbështetja e portfolios së garantuar të FKGK-së nga EIF, pjesë e Bankës Evropiane për Investime (EIB) do të rrisë edhe më tej aftësinë e Fondit për të siguruar nivel më të lartë të garancive për kredi duke shënuar njëherësh një qëndrueshmëri edhe më të lartë për sektorin financiar. Një qëndrueshmëri e tillë do të reflektojë në lehtësi për ndërmjetësimin financiar duke ndikuar pozitivisht në lehtësimin dhe nxitjen e kreditimit të NVME-ve, si dhe në rritjen ekonomike dhe punësimin në Kosovë”, është thënë në njoftimin e FKGK-së.
Sipas këtij njoftimi, kjo linjë garantuese që do të operojë në kuadër të FKGK-së për një periudhë dyvjeçare, falë mbështetjes së EIF-së do t’ju ofrojë institucioneve Financiare kushte më të favorshme për garancitë kreditore.
“FKGK-ja është kandidati i parë nga Kosova me një transaksion të miratuar në kuadër të COSME Instrumentit për Garantimin e Kredive. Vlera e kredive të mbështetura për NVM- të pritet të arrijë deri në 90,000,000 euro për një periudhë prej dy vitesh. Shuma totale e kredive të miratuara nga Institucionet Financiare Partnere dhe që janë dorëzuar nën mbulimin e garancisë në Fondin Kosovar për Garanci Kreditore ka arritur tashmë në 128.2 milionë euro të shpërndara në mbi 3,350 kredi, ndërsa investimet e bëra me këto kredi premtojnë mbi 4,932 vende të reja pune”, është theksuar në njoftimin e FKGK-së.
/Epoka e re/