FLAKA JANARIT ISHTE IDE E XHEVAT QERIMIT
Ismet Sylejmani
Heroi i Kombit Xhevat Qerimi propozoi që në këtë muaj duhet të fillojmë të bëjmë diçka më shumë, dhe vendosëm që me rastin e përvjetorit të rënies së Heronjëve të Kombit Rexhepit Malaj e Nuhi Berisha, të organizonim diçka shumë spektakulare dhe e bëmë!
Xhevat Qerimi ishte kryetar i LPRK-së së Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës, dhe në janar të vitit 1991 shpërndamë 3.000 ekzemplarë FTESË për homazh të Heronjëve Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha!
Në fondin e Këshillit të Rrethit të LPRK-se, i kishim 400 franga zvicerane.
Me ato 400 franga, te fotografisti Hoti në Prishtinë, në masa të rrepta sigurie, i shumëzuam 3.000 ekzemplarët e ftesës dhe i sollëm e i shpërndamë në Gjilan.
Natën e parë FTESAT i kemi vendosur në shtëpinë e veprimtarit të LPRK-së Nazim Zylfiu, shtëpia e të cilit ishte njëra nga bazat e ilegales.
Xhevati thoshte se duhet ta bëjmë në mënyrë të organizuar, dhe se manifestimet për këta viganë duhet të jenë popullore e madhështore, sepse ngrinim më lart moralin e popullit dhe i tregojmë armikut se nuk ka vend këtu.
Ky ka qenë evenimenti i parë që ka paraprirë Flakën e Janarit, dhe merita për këtë i takon në radhë të parë Xhevat Qerimit dhe bashkëveprimtarëve të tij…
Dekoratën e parë të nderit, “post mortum”, nga organizatorët e “Flakës së Janarit”, duhet t’i ndahet, ideatorit të parë të saj, Heroit te Kombit Xhevat Qerimi!
Është histori më vete rasti i ftesës për homazh!
Shpërndarja e ftesës u bë me përpikëri, u zbatuan të gjitha udhëzimet e dhëna, nuk u kap asnjë anëtar e simpatizant në aksion, ishte edhe një sukses i madh i ilegalëve!
Por na ndodhi diçka që nuk e kishim pritur, Dega e LDK-së në Gjilan, me kryetar ish-te burgosurin politik, Basri Musmuratin, natën, pas kryerjes së të gjitha përgatitjeve dhe pas stolisjes së varreve të dëshmorëve me flamuj kombëtar e kurora lulesh, doli me kumtesë në “Radio Zagreb”, në emisionin e gjuhës shqipe, në të cilin thuhej: “ Më 11 janar 1991 në Gjilan u gjetën afishe, të cilat bëjnë thirrje për ‘manifestim publik’ i cili mund të nxisë gjakderdhje, dhe e njoftojmë opinionin se LDK nuk qëndron pas tyre…”.
Shumë rëndë e kemi përjetuar këtë ngjarje, dhe më së shumti Heroi Xhevat Xhevat Qerimi, i cili së bashku me veprimtarin Izja Rexhepi nga Mogilla e Vitisë dhe shokë të tjerë, natën kishin vendosur flamujt kombëtarë dhe kurorat mbi varret e heronjve Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, dhe nga një flamur kombëtar të vogël te varret e dëshmorëve të kombit Rexhep Elmazi, Agim Rashiti dhe Reshat Ymeri!
Xhevati ishte njëri nga udhëheqësit që ishte angazhuar me tërë qenien që përvjetori i heronjve të përkujtohej e të mbahej sa më masovikisht, të ishte popullor!
Dëshironim të fillonte e të bëhej praktikë që homazhet të zhvilloheshin aty ku pushonin eshtrat e shenjtë të heronjve!
Por mjerisht këtë nismë e pengoi LDK-ja e kohës së Basri Musmuratit, pra turpi u takon pasi atëherë dhe sot kurrë nuk u skuqen për ato veprime të ndyra, ndonëse u detyruan të rreshtoheshin përsëri në radhët e UÇK-së, themeluese e të cilës ishte LPRK- LPK-ja, dhe opinionit ia kujtojme se UÇK u themelua më 17 Nëntor 1994!
Prishtinë, më 11 Janar 2020!