
Flakadanët si Mustafë Shyti kanë jetë të përhershme
Të nderuar familjarë të familjes Shyti,
I nderuar autor Bedri Tahiri,
Të nderuar profesorë universiteti, i nderuari ish-rektor Bajram Kosumi,
Studentë, miq dhe dashamirë
M’u bë shumë qejfi që, pas përurimit në Prishtinë të monografisë për Mustafë Shytin, Universiteti “Kadri Zeka” i bëri ftesë botuesit për ta përuruar këtë libër në universitetin që mban emrin e një prej veprimtarëve të atdhetares politike.
Atë ditë që u përurua ky libër në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare, mes dyqind njerëzve, isha i pranishëm. E kam dëgjuar redaktorin, e kam dëgjuar recensentin, e kam dëgjuar autorin, e kam dëgjuar vëllanë e Mustafë Shytit, Hamdiun, çfarë kanë thënë për librin dhe për poetin, mësuesin dhe dëshmorin Mustafë Shyti. Pas leximit të librit shpreha dëshirën të shkruaj diçka të shkurtër për të dhe, në këtë rast, më bëhet qejfi të më dëgjojnë edhe autori edhe bashkëpunëtorët e këtij libri, gjithashtu edhe ju.
“Flakadani i lirisë : (monografi për mësuesin, poetin dhe dëshmorin Mustafë Shyti)” ka 264 faqe. Është i ndarë në gjashtë pjesë: Jeta dhe veprimtaria e Mustafë Sh. Shytit, Bota poetike e Mustafë Shytit, Kujtime, mendime dhe vargje për dëshmorin Mustafë Shyti, Rikujtime dhe plotësime, Dromca kujtimesh familjare, Shtigjeve luftarake të një beteje.
Libri ka, po ashtu, një parathënie nga recensenti i librit, studiuesi Miftar Kurti, një hyrje nga autori, përfundimin, literaturën dhe shënimet për autorin.
Në këto gjashtë pjesë sistematike njohim, në radhë të parë, trungun familjar të familjes Shyti, jetën dhe veprimtarinë e madhe e të shumanshme të Mustafë Shytit, veprat e tij të para fizike për atdheun dhe popullin, edhe shkëndijat e tij të para poetike, poezitë me motive dhe tema, kryesisht atdhetare. Derisa i lexoja poezitë e tij që janë përmbledhur në këtë libër, më vinin ndër mend shumë poetë të Rilindjes Kombëtare, shumë kontribute të tyre, shumë mesazhe nga veprat e tyre. Mustafë Shyti, ndoshta, edhe po mos t’i lexonte veprat e autorëve të Rilindjes Kombëtare, do të bëhej dhe të mbetej po aq atdhetar sa ishte deri në ditën e rënies, sepse gjenealogjia e tij familjare është e lidhur ngushtë jo me fatin e individit, po me fatin e tërë popullit shqiptar. Është një familje që, sa herë është bërë një kushtrim për reagim ndaj masave të dhunshme serbe, i është përgjigjur me burra dhe me gra, me laps dhe me pushkë. Dera e kësaj familjeje për atdhetarë, për ideatorë revolucionarë, ka qenë e hapur natën e ditën. Gjithashtu, ka qenë e vëzhguar nga spiunë të Serbisë, natën dhe ditën. Paramendojeni se çfarë lirie të kufizuar të veprimit dhe me çfarë rreziku është përballur kjo familje, kur vazhdimisht janë përcjellë anëtarët e saj nga organet e sigurimit serb që në atë kohë, para luftës në Kosovë, vepronin pa pushim për të gjurmuar njerëz të tillë që bënin rezistencë.
Reagim ballëhapur mësuesi Mustafë Shyti shprehte edhe në shkollë, kur i mësonte fëmijët si duhet dashur atdheu. Reagim ballëhapur shprehte edhe në vargje. Mesazhet e tij në poezi ishin të drejtpërdrejta. Ja një strofë katërvargëshe:
Zgjohu Kosova ime,
Shqyej perdet e territ,
Zgjohu për ditë t’agimit
Mbylli rrugët e ferrit!
Nuk i fshehte dhe as nuk i mbështillte idetë e kundërreagimit as në artin e fjalës.
Prandaj, ky njeri, që e deshi lirinë më shumë se jetën, e flijoi jetën për lirinë e Kosovës. E jeta e tij u bë burim frymëzimi për krijues letrarë, për poetë, të cilët i kushtuan vargje dhe rrëfyen për karakterin e këtij burri të madh që kishte Ashlani, që kishte gjithë Kosova.
Të ndjeshme dhe të përmallshme janë në këtë libër kujtimet familjare për Mustafën. Secili familjar e kujton angazhimin e tij që në moshën e rinisë deri në ditën e rënies. E bashkëluftëtarët e tij i numërojnë një për një shtigjet luftarake të betejave të tij, edhe orët e fundit me të, në këtë libër që, më shumë se gjeneratës sonë, duhet t’u shërbejë gjeneratave të reja, të cilat, nëpërmjet një shëmbëlltyre sakrifikuese për atdheun, duhet të mësojnë se ky vend ka pasur burra që, më shumë se jetën e vet, se familjen e vet, e kanë dashur kombin.
Bedri Tahiri me këtë libër nuk ka nderuar vetëm Mustafë Shytin dhe familjen e tij, por të gjitha ato familje që kanë dhënë dëshmorë për atdheun. E Mustafë Shyti në këtë libër na përcjell mesazhin se liria nuk është dhuratë, por e mbushur me gjak dhe dhembje.
Jemi shumë të nderuar me dinjitetin që ai na mësoi, me guximin që ai mishëroi, me idealin që ai mbrojti deri frymën e fundit me pushkë në dorë. Ai u bë flakadan i lirisë sonë, e flakadanët e tillë kanë jetë të përhershme.
Lavdi dëshmorit Mustafë Shyti!
Fjala e Sadik Zeqirit në përurimin e librit në Universitetin “Kadri Zeka”