“Flakadani i lirisë”, Mustafë Shyti, nderohet në Gjilan nga “Kadri Zeka”

27 mars 2025 | 08:48

Fakulteti i Edukimit i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dje ka organizuar promovimin e monografisë “Flakadani i lirisë” të autorit Bedri Tahiri, kushtuar figurës së Mustafë Shytit, mësues, poet dhe dëshmor i kombit.

Në këtë promovim morën pjesë dhe kontribuuan me fjalime profesorë, studiues, miq dhe bashkëveprimtar të Mustafë Shytit.

Në fjalën  e tij prof. dr. Bajram Kosumi, bashkëveprimtar i heroit Mustafë Shyti, e vendosi këtë promovim në një kontekst historik, ku theksoi përkushtimin dhe sakrificat e atdhetarit për idealet e lirisë dhe drejtësisë. “Data 26 mars lidhet me demonstratat e vitit 1981, të cilat ndryshuan kahun e zhvillimeve në Kosovë. Kosova, nga Hasan Prishtina e deri më sot, ka pasur njerëz si Mustafë Shyti të cilët e kanë nisur betejën për liri. Ai ishte udhëheqës i demonstratave të vitit 1981 dhe qëndroi në ballë të luftës deri në veshjen e uniformës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku u flijua për liri. Jam krenar që e kam njohur dhe bashkëpunuar me të dhe se sa të ketë njerëz të tillë, Kosova do të ecë përpara”, ka thënë në fjalën e tij Kosumi.

Prof. dr. Merxhan Avdyli, një nga bashkudhëtarët e Shytit, ndau kujtimet dhe përjetimet personale me heroin Mustafë Shyti, duke sjell një rrëfim të ngrohtë e domethënës mbi karakterin dhe misionin e tij atdhetar.

Ndërkaq Berat Dakaj, botues i librit, foli mbi procesin e mbledhjes së fakteve dhe realizimin e botimit, duke theksuar rëndësinë e dokumentimit të historisë dhe figurave kombëtare.

Ndërkohë recensenti i monografisë, Miftar Kurti, paraqiti një vlerësim të hollësishëm mbi librin, duke e cilësuar burim të vyer për të gjithë ata që duan t’i njohin sakrificat dhe idealet e heronjve të Kosovës.

Edhe Sadik Zeqiri, bashkëveprimtar i Mustafë Shytit, ndau kujtime të vlefshme mbi angazhimin e tij në çështjen kombëtare dhe ndikimin e tij në brezat e rinj.

Një analizë për librin bëri prof. dr. Flamur Maloku, i cili vlerësoi monografinë si një dokument historik të rëndësishëm që ndriçon jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Mustafë Shytit.

Promovimi u pasurua nga interpretimet e studentëve të Universitetit Publik “Kadri Zeka”. Loresa Haxhiu recitoi poezinë “Vargjeve të mia” të Mustafë Shytit, ndërsa Arbëresha Maliqi solli poezinë “Optimisti”, e cila përfaqëson forcën dhe shpresën që Mustafë Shyti e ruajti deri në fund të jetës.

Një nga momentet më emocionuese të këtij promovimi ishte fjala e Jehona Shytit, e vajzës së Mustafë Shytit. Ajo shprehu mirënjohje për organizatorët dhe për të gjithë ata që po kujtojnë dhe dokumentojnë jetën e babait të saj dhe të heronjve të tjerë të kombit.

Në fund të promovimit, autori i monografisë, Bedri Tahiri, u shpreh i lumtur që kishte mundësinë ta dokumentojë jetën dhe veprën e një figure të shquar si Mustafë Shyti. Ai i falënderoi të gjithë të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike për brezat e ardhshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleanca…