Flamur Kasami po përfaqëson Kosovën në skenën botërore të ‘bukur-leximit’ të Kuranit në Kuala Lumpur të Malajzisë
Flamur Kasami është duke përfaqësuar Kosovën në Konkursin Ndërkombëtar të Kuranit, që po zhvillohet në Malajzi.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kasami ka thënë se është shumë i privilegjuar dhe mirënjohës që përfaqëson Kosovën, gjegjësisht Bashkësinë Islame të Kosovës në një ndër garat më të mëdha botërore të Kuranit në Kuala Lumpur të Malajzisë.
Ceremonia e hapjes së garës – që zhvillohet nga 5 deri më 12 tetor – u mbajt në Qendrën Botërore të Tregtisë në Kuala Lumpur me pjesëmarrjen e garuesve, zyrtarëve malajzianë dhe jo vetëm.
Ajo përfshinte një recital nga recituesi pesë herë kampion malajzian Rahmas Abdullah.
Ngjarja organizohet çdo vit në kryeqytetin e vendit, Kuala Lumpur nga Departamenti i Zhvillimit Islamik të vendit (JAKIM).
Ndërsa duke iu drejtuar ceremonisë së hapjes, kryeministri malajzian Anwar Ibrahim theksoi rëndësinë e unitetit dhe mençurisë.
“Mendimi mendjengushtë do të na fundosë. Në të njëjtën kohë, të menduarit e nxituar dhe jo i mençur do të bëhet një sfidë për ne”, citohet të ketë thënë ai.
Ai theksoi nevojën për mirëkuptim, durim dhe mençuri në vendimmarrje, veçanërisht në dritën e luftës së vazhdueshme në Gaza.