Flamuri i Republikës së Kosovës në hapësirën e shtetit mik të përjetshëm të Amerikës

15 shkurt 2025 | 19:40

Skënder Karaqica

Diaspora shqiptare në Amerikë tash e një shekull në krah të çështjes kombëtare, me një zë të fuqishëm para administratës amerikane në Washington, në kërkim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Mijëra burra e gra shqiptarë nga tërë hapësira etnike të Shqipërisë zyrtare dhe të Shqipërisë tjetër Kosovë, nuk u ndalën në veprimtaritë e shumëta kombëtare për të qendruar sa më afër kombit dhe atdheut shqiptar. Në shtetin e tokës së lirë, të vlerave sublime të demokracisë, ata gjetën frymën dhe dorën e përkrahjes nga administrata e shtetit amerikan (Kongresi dhe Senati) si dhe në fushën e diplomacisë, ku, siç dihet shteti mik i Amerikës e projektoi lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës të ndarë nga orët e padrejtësive historike të shtetit serbo-jugosllav si pushtues qysh nga viti 1912-1999.

Dje në Çikago, në nderim të festës së pavarësisë, tashmë traditë kombëtare e kulturore,në qendrën “Richard J.Daley” u ngrit flamuri i Republikës së Kosovës dhe, përmes ngjyrave të dy flamujve të dy popujve miq të përjetshëm, është porosia nga Amerika: E gjithmonshme, pavarësia e Kosovës!

Për këto vite, shumë veprimtarë tashmë në amshim si Hydajet Bregu, Jusuf Azemi, Ajet Rushiti, Faik Ajroja, Qazim Ismaili, Tefik Ashiku, ishin të zëshmit në orët e para kombëtare të demonstratave në Çikago, Nju Jork e Washington në kërkim të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës si dhe të ndyshimeve të sistemit komunist në Shqipëri, në fushën e vlerave të demokracisë e të njeriut njeriut të lirë shqiptar. Në frymën e atdhedashurisë, veprimtari dhe ish normalisti i Normales së Elbasanit, Hydajet Bregu, i sistemuar nga profesor Ernest Koliqi për mësues të shkollës shqipe në Mitrovicë (Kosovë), në krah të tij mësuam se si duhet të bëhet atdheu, fryma e lirisë dhe shpirti i kombit për tokën dhe diellin shqiptar. Po ky burrë i pashoq në rrethet e veprimtarëve në Çikago, në fund të jetës e pati lënë testamentin prej 5 milion dollarësh për hapjen e shkollës apo të katedrës për gjuhën shqipe për brezat e rinj shqiptarë si dhe për të rinjët amerikanë.

Diaspora shqiptare në Çikago, nesër do të festojnë me programin kulturor të këngëtarës Remzije e Nexhat Osmani dhe, familjet shqiptare do të organizojnë takime e përgëzime për Republikën e Kosovës, për të afërmit e tyre në hapësirën e Shqipërisë Etnike.

E gjithmonshme, pavarësia e Kosovës!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Spektakli i madh i Big Brother VIP Albania 4 pritet…