Flamuri kombëtar zbukuron sheshin e Prishtinës
Muaji nëntor nuk është një muaj i zakonshëm për shqiptarët. I mbushur me festa kombëtare, ky muaj mbetet i veçantë sa i përket rëndësisë që ka për historinë e popullit tonë.
Dita e Flamurit, 28 Nëntori, shënohet pothuajse kudo që flitet shqip. Me flamuj kuq e zi shihet i zbukuruar edhe Sheshi i Prishtinës nga ku shihet se është vendosur edhe një flamur i përmasave të mëdha.
Kjo datë në të cilin në vitin 1912 është shpallur pavarësia e shtetit shqiptar në katër vilajetet shqiptare, përbën edhe histori të tjera për shqiptarët.
Kjo datë shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane dhe në anën tjetër u hapën rrugët për zhvillim dhe emancipim shoqëror.
Përveç Ditës së Flamurit, Me 28 Nëntor është ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari dhe data kur UÇK doli për herë të parë publikisht, në vitin 1997 në fshatin Llaushë të Skenderajt.
Ndërkaq, ajo që bëri që UÇK-ja të bëjë publike aktivitetet, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga forcat serbe, teksa deklarata e UÇK-së për paraqitjen e saj të parë publike u përgatit nga vetë ushtarët e saj.
Me ardhjen e këtyre festave, shihet edhe një lëvizje më e madhe e qytetarëve në rrugë e sheshe, të cilët kalojnë momente festive në ambiente në të cilat ata mësojnë edhe për historikun e këtyre festave.
Krejt këto bëjnë që emocionet e shqiptarëve në Kosovë në këto ditë nëntori të jenë të mëdha, dhe pothuajse çdo gjë merr ngjyrën e festës.
Kurse sa i përket festimeve në nderim të këtyre festave, institucionet e shtetit kanë organizuar disa aktivitete në mënyrë që të nderohen ata që me veprën e tyre mundësuan lirinë e pavarësinë e trojeve shqiptare.