Flamuri serb në ndeshjen Farul – Mitrovica, reagon FFK-ja
Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar përmes një komunikate zyrtare ndaj gjesteve provokuese sot në ndeshjen Farul Costanta – KFF Mitrovica, e luajtur në Rumani.
Në këtë ndeshje disa tifozë rumunë, e shpalosën një flamur të Serbisë.
Lidhur me këtë, në reagimin e FFK-së thuhet se këto gjeste i konsideron kundër “Fair – play”.
Shtëpia e futbollit kosovar ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Federatës së Futbollit të Rumanisë dhe UEFA-s me një shkresë zyrtare për ngjarjen e sotme.
“FFK do të dërgojë një notë proteste zyrtare në Federatën e Futbollit të Rumanisë dhe në UEFA, duke kërkuar ndëshkime dhe veprime konkrete ndaj provokimeve të tilla dhe për të parandaluar përsëritjen e situatave të ngjashme në të ardhmen. Jemi të bindur se bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë janë kyç për të ruajtur vlerat e vërteta të futbollit. Futbolli duhet të shërbejë si urë bashkimi dhe jo si platformë për nxitjen e urrejtjes dhe tensioneve ndërmjet popujve”, thuhet në njoftimin e FFK-së transmeton Klankosova.tv
FFK-ja i bën thirrje për sjellje pozitive në ndeshjen e së premtes, e cila do të luhet pikërisht kundër kombëtares rumune.
“Pavarësisht provokimeve të tilla në prag të ndeshjes tejet të rëndësishme ndërmjet Kombëtares së Kosovës dhe asaj të Rumanisë, FFK apelon tek opinioni futbolldashës që të jenë të përqendruar vetëm në futboll, duke lënë mënjanë sjelljet e tilla të tifozëve rumun dhe nga shtete tjera mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës. Futbollistët tanë dhe tifozët do të vazhdojnë të jenë shembull i sjelljes sportive, duke u fokusuar vetëm në fushën e lojës dhe duke treguar motivimin dhe përkushtimin maksimal për të arritur sukseset e reja”, përfundon komunikata.