Flamuri shqiptar tërbon serbët, hyjnë në fushë dhe përplasen me Balotellin (video)
Skandal në Itali. Në takimin miqësor që Brescia po luante ditën e sotme ndaj serbëve të Vojvodinës, sfida është ndërprerë që në minutën e 52-të.
Takimi po fitohej 2-1 nga klubi i Serisë A, por pezullimi i ndeshjes nuk erdhi aspak prej rezultatit. Disa tifozë serbë që po mbështesnin Vojvodinën, kanë vënë re flamurin kombëtar të shqiptarëve, i cili qëndronte i varur në një nga tribunat e fushës.
Disa ultras kaluan rrethojat dhe shkuan drejt vendit ku valëvitej flamuri kuqezi, duke shkaktuar edhe trazira në fushën ku po zhvillohej ndeshja. Gjyqtari vendosi që ta mbyllte takimin në këtë moment, ndërkohë disa prej tyre shkuan edhe drejt Mario Balotellit që gjendej në fushë, si për t’i thënë lojtarëve të ndalonin ndeshjen.
Brescia fitoi me shifrat 2-1 këto minuta që u luajtën falë penalltisë së shënuar nga Donaruma në minutën e shtatë, dhe golit të Bisolit gjashtë minuta më pas. Miqtë shkurtuan rezultatin në të 35-tën me Djuriçin.