Flamurtari – Ballkani, deklarohen Munishi dhe Keçi
Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi pas humbjes që pësoi skuadra e tij nga Flamurtari (2-0), ka thënë se në ndeshjet e Ballkanit si mysafir ka pasur disa rrethana të çuditshme.
“Kam pritur që të jetë një fushë më e rënduar, por ishte në gjendje që të luhet futboll. Duke ditur se Flamurtari lufton për mbijetesë, gabuam në dy ndërprerje të cilat i kemi stërvitur. Ne vijmë pas dy super sfidave, gjithsesi tentuam me një gol rikthimin tonë, por pak ishin edhe rrethanat, duke mos komentuar edhe referimin. Faza e tretë? Do të jetë përparësi e madhe të luajmë si vendas lojën e fundit të kampionatit, pasi si mysafir kemi pasur rrethana të çuditshme”, ka thënë pas ndeshjes Ismet Munishi, trajner i Ballkanit.
Ndërsa trajneri i Flamurtarit, Sunaj Keçi pas ndeshjes deklaroi: “Ishte një ndeshje mjaft e rëndësishme për ne, na janë nevojitur shumë të tria pikët. Kemi punuar më shumë në anën psikologjike në ditët e fundit pas humbjes nga Drenica. E mundëm një kundërshtar që e synon titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Djelmoshat treguan karakter dhe treguan që mund t’i mposhtin të gjitha ekipet, pa marrë parasysh a është Ballkani, Prishtina, apo dikush tjetër”.
/Epoka e re/