Flamurtari, i paforcë për Laçin
Flamurtari rezistoi vetëm 48 minuta në Laç, më pas e nxori tri herë topin nga rrjeta e portës së mbrojtur nga Shpëtim Moçka, duke marrë humbjen e radhës, që komplikon situatën në fund të renditjes.
Laçi nga ana tjetër bën “detyrat e shtëpisë”, duke u rikthyer te fitorja dhe duke u ngjitur në vendin e katërt me 22 pikë, vetëm 3 pikë më pak se Partizani që kryeson renditjen në Kategorinë Superiore. Kurbinasit dominuan takimin gjatë gjithë 90-minutëshit, por në pjesën e parë vuajtën të gjejnë hapësira për shkak të impenjimit maksimal edhe nga ana e vlonjateve, që erdhën me ambicie në Laç.
Në fillim të pjesës së dytë ishte mesfushori Julian Shehu që zhbllokoi rezultatin e takimit, ndërsa më vonë Nwabueze me penallti e Teco pak para fundit, vulosën suksesin 3-0, që riktheu qetësinë dhe entuziazmin te Laçi. Komplikohet tërësisht situata te Flamurtari, që ka marrë vetëm 5 pikë në 14 javët e para dhe mbijetesa është shndërruar në një mision të vështirë, për të mos thënë të pamundur, pasi për të shpresuar në janar duhet një merkato “yjesh”. /SS/