Flamurtari shlyen borxhet ndaj lojtarëve, por Thaqi mund të largohet

13 dhjetor 2018 | 15:25

Kryetari i KF Flamurtari, Imer Ademi, i ka gëzuar futbollistët kuqezi me kryerjen e obligimeve ndaj tyre. “Kryetari i klubit i ka kryer të gjitha obligimet ndaj futbollistëve dhe kjo gjë është një për t’u përshëndetur”, ka thënë Arsim Thaqi, i cili ende nuk ka vendosur se a do ta vazhdojë punën në skuadrën kryeqytetase apo do të largohet.

Flamurtari ka kryer obligimet tremujore që kishte ndaj futbollistëve. Lajmin për gazetë e ka konfirmuar trajneri Arsim Thaqi. “Kryetari i klubit i ka kryer të gjitha obligimet ndaj futbollistëve dhe kjo gjë është një për t’u përshëndetur”, ka thënë Thaqi për “Epokën e re”, i cili ende është i pavendosur për të ardhmen, ani pse kontrata e tij me klubin kryeqytetas është deri në fund të kampionatit.

Strategu në fjalë ka qenë më meritori për formën e mirë të klubit, sidomos në xhirot e para të kampionatit, duke mposhtur edhe skuadrat pretendente për titull. “Kam kontratë me Flamurtarin deri në fund të kampionatit, por brenda javës do të ulem dhe të bisedojmë me kryetarin për ta parë projektin që ka klubi. Gjithçka mund të ndodhë, ani pse dëshira ime është të punoj në këtë klub ashtu siç e kemi edhe kontratën”, ka shtuar Thaqi, duke lënë të nënkuptohet se gjithçka rreth përforcimeve dhe largimit të futbollistëve do të vendoset në këtë takim me kryetarin e klubit.

Flamurtari në kampionatin e kaluar mezi e siguroi mbetjen në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, kurse në këtë edicion pati paraqitje shumë të mirë, ku për disajavë ishte edhe lider i elitës. Kjo skuadër është eliminuar nga Kupa, kurse trajneri Arsim Thaqi kërkon që skuadra të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të luftojë për ta siguruar mbijetesën. “Kemi pasur rezultate të mira dhe me pak fat kemi mundur të kemi më shumë pikë të grumbulluara dhe të jemi në pozitë më të lartë. Megjithatë, duhet të jemi të kënaqur me atë që kemi arritur për faktin se në klub na kanë përcjellë disa probleme. Nuk kemi shumë pikë larg skuadrave të fundit. Synimi ynë është mbetja në Superligë”, ka deklaruar ish-trajneri i Prishtinës dhe 2 Korrikut.

Skuadra e Flamurtarit sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e shtatë me 22 pikë, ku nga shtatëmbëdhjetë ndeshje regjistroi gjashtë fitore, katër barazime dhe shtatë humbje.

/Veton ZYMBERI/

 

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka parakaluar sot para trupave…